Si e censuroi “Europa Nostra” debatin për Manastirin e Deçanit - Gazeta Express
string(60) "si-e-censuroi-europa-nostra-debatin-per-manastirin-e-decanit"

Si e censuroi “Europa Nostra” debatin për Manastirin e Deçanit

Arte

Gazeta Express

20/10/2021 1:06

Federata Evropiane e Trashëgimisë Kulturore “Europa Nostra”, ka bërë presion që të mos flitet assesi për Manastirin e Deçanit, nga pjesëmarrësit në një konferencë që po mbahet në Pejë.

“Europa Nostra” si dhe Universiteti Katolik i Leuvenit në Belgjikë, u kanë bërë presion organizatorëve të konferencës ILUCIDARE Playground & Conference që po mbahet në Pejë, duke kërkuar që të anulohet çdo bisedë dhe aktivitet për Manastirin e Deçanit. Kjo ka bërë që të anulohet punëtoria e studiueses nga Universiteti i Cambridge-it Nora Visoka Weller, e cila ishte ftuar të fliste mbi politizimin e trashëgimisë kulturore.

Lexo Edhe:

Ndërkohë, ajo për RTKLive ka thënë se: “Është hera e parë në jetën time që më kërkohet direkt të mos flas për hulumtim shumëvjeçar që është shikuar nga shumë akademikë të mirënjohur të trashëgimisë kulturore nga Universiteti i Cambridge-it. Kjo censurë është kundër legjislacionit evropian për lirinë e shprehjes dhe kundër misionit të publikuar të këtyre organizatave, që thonë se punojnë për krijimin e platformave për debate të shëndosha mbi trashëgiminë kulturore, por që po kontribuojnë në politizimin e trashëgimisë dhe ndarjen e shoqërisë multietnike në Kosovë. Ironikisht ky është shembull se si politizohet trashëgimia kulturore”.

Më tutje, Weller ka shtuar se “gabimet serioze dhe politike që Europa Nostra i ka bërë kur ka shpallur Manastirin e Deçanit monument të rrezikuar, tashmë janë të mirë dokumentuara dhe do të jenë shembull i ligjërimit ndër vite se si politizohen kufijtë e trashëgimisë kulturore”.

E pyetur se kush ka kërkuar anulimin e punëtorisë së saj, Weller ka thënë se nuk e ka të qartë, por që i është thënë nga organizatorët që presioni ka ardhur nga Profesor Koen Van Balen nga Universiteti Katolik i Leuvenit, i cili pritet që sapo të pensionohet të shkojë në Europa Nostra.

Federata Evropiane e Trashëgimisë Kulturore “Europa Nostra”, para disa muajsh e kishte listuar Manastirin e Deçanit në mesin e “7 monumenteve më të rrezikuara”, për çka kishte marrë letër ankuese nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, me shpjegime që Manastiri i Deçanit nuk rrezikohet nga askush.