Epistula e javës/ Henry James për z.Haviland - Gazeta Express
string(43) "epistula-e-javes-henry-james-per-z-haviland"

Epistula e javës/ Henry James për z.Haviland

Arte

Gazeta Express

26/04/2024 16:11

Henry James (New York, 15 prill 1843 – Londër, 28 shkurt 1916), ka qenë shkrimtar dhe kritik letrar amerikan, me nënshtetësi britanike. James është i njohur për romanet dhe tregimet me temën e vetëdijes dhe moralitetit

Për z.Haviland

Lexo Edhe:

Znjsh. Lynn Jachney

Boston, 13 Ashburton Place

17 maj 1865

I dashur Haviland –

Shumë faleminderit për letrën tënde dhe pakon nga Mademoiselle Anna, të cilën do të doja ta njihja më mirë se sa me anë të letrave. Nëse gjuha e saj është e mprehtë sa pena e saj, atëherë mund të jetë një zonjë e re shumë e këndshme “për ta pasur përreth”. Në Northampton, për shembull, prania e saj mund të jetë një bekim i madh – Northampton për mua është bërë një kapitull krejtësisht i së kaluarës sa më duket e çuditshme të lexoj se disa miq të mi të vjetër janë ende aty. E besoj fare lehtë se vendi duket i bukur në këto ditë pranvere. Jam i gëzuar të dëgjoj se znj. Haviland po përmirësohet – qoftë edhe vetëm një çikëz. Të lutem përcillja të falat e mia më të përzemërta kur ta vizitosh herën tjetër. Meqë ra fjala, sa shpesh i bën ato vizita? Zonjusha Wheeler po ashtu, latë të kuptohet, është ende në N. Më gëzon pa masë të mësoj se atyre u vjen keq për mungesën time – ose që të paktën e vërejnë atë. Duhet të ndihen të dyja të shpaguara, meqë kanë shpëtuar nga ai që mund të kishte qenë një dimër njëmend i mërzitshëm, me ardhjen e këtyre ditëve të këndshme.

Elizabeth Rock duhet të duket magjepsëse tashmë.

E imagjinoj veten në apartamentin tim të vogël të gjatë: e shoh edhe njëherë hasrën e moçme të rreckosur në dysheme dhe letrën e verdhë në mure. Jashtë, Fredi po bart – dhe përqafon – një barrë me dru zjarri. Një trokitje në derën time: vetja jote me kepele dhe bastun më propozon një shëtitje. Je veux bien. Në hajat, Jenny duke i propozuar një banjë zonjushës Wheeler. Në derën përballë, Ben duke i propozuar një udhëtim në qytet, “Majorit”. Poshtë në rrugë, Doktori duke i propozuar mallkimin një irlandezi kokëmushkë.

Ti thua se e ke parë Howardin, së voni; ku? Në New York?

S’kam marrë lajme prej tij prej kohësh: por po supozoj se u është rikthyer lidhjeve, në mënyrë të qëndrueshme, me Northamptonin. Moti i ngrohtë mund të sjellë pacientë të rinj. E pashë z.Duncan Pell, së voni, në Newport; dhe më tha se vëllai i tij ishte ende aty dhe nuk po bëhej aspak më mirë: çka më erdhi keq të dëgjoja.

A është më mirë zonjusha Wheeler? Të lutem foli për mua në mënyrë të këndshme dhe thuaji se gëzimi im nëse ajo është më mirë është i barabart vetëm me dhimbjen time nëse nuk është. A e ka të njëjtën dhomë të vogël mbi kuzhinë?

A e ka edhe znj. Haviland të njëjtën dhomë po ashtu?

Nuk mendoj si zonjusha Wheeler, por siç ka bërë gjithmonë (znj.H.).

Pra zonjusha Merritt është martuar dhe ka shkuar si kujdestare: kështu mora vesh nga letra jote. Në pamundësi që të jem burri, sa do të doja të isha shtëpia, për të cilën kujdeset ajo! Pardon: duke rilexuar letrën tënde, kuptova se zonjusha M., e ka marrë punën e kujdestares për shkak të vëllait të saj. Tash mund të jem më i qetë, pra.

Më kujto me dashuri te zonjusha Merritt, të lutem; dhe pyete nëse do të donte kalonte kah Kingsley këtë pasdite dhe të blejë ca krem çokollatë.

I ke përmendur fotografitë. Nuk kam asnjë para dorës, fatkeqësisht; por nuk kam harruar premtimin që i kam bërë znj.Haviland; dhe kur (pasi që kam bërë edhe nja njëzet premtime të tjera) presioni i opinionit publik do të më detyrojë të kaloj edhe njëherë nëpër torturën e pozimit, znj.Haviland do ta ketë njërin prej rezultateve të atij veprimi.

Më ke pyetur për prodhimin tim letrar; faleminderit për interesimin tënd. S’ka asgjë në ajër për momentin; sapo të ketë diçka, do të të njoftoj.

I juaji përnjëmend përjetësisht, H. James

/Marrë nga Henry James, Selected letters, The Belknap Press of Harvard University Press, 1987

/Përkthimi: Gazeta Express