Eseja e javës/ Dürs Grünbein: C si citim - Gazeta Express
string(38) "eseja-e-javes-durs-grunbein-c-si-citim"

Eseja e javës/ Dürs Grünbein: C si citim

Arte

Gazeta Express

26/04/2024 16:14

Durs Grünbein (1962), poet, eseist gjerman. Për veprën e tij është shpërblyer me shumë çmime, përfshirë çmimin Georg Büchner, Çmimin Friedrich Nietzsche, Çmimin Friedrich Hölderlin, Çmimin Ndërkombëtar Zbigniew Herbert, Çmimin Passolini, Çmimin Tranströmer etj. Vepra e tij është përkthyer në disa gjuhë

Çdo shkrimtar e di se ka ekzistuar një moment gjatë të cilit një ditë ekzistenca e tij individuale i është dukur si një gjendje shtrëngimi nga e cila do të mund të dilte vetëm përmes një kërcimi, kryengulthi, në citim. Pothuajse askush s’do të mund të kujtohet kur ka ndodhur kjo për herë të parë. Në kujtesë ka mbetur veç ai çast, mbrojtja kokëfortë dhe mëdyshja para vendimit për t’ia hapur të huajës, lakmitare për të hyrë në të në formë citimi, shkrimin vetjak, tekstin e diktuar nga nevoja për t’u vetëpërkufizuar. Në kuptimin e çlirimit që lidhej me të përzihej siguria e një rreziku më të madh – dyshimi i një dorëzimi, frika e kapitullimit semantik. Një zë vazhdonte të kërkonte kujdes, të pëshpëriste në vesh: spiralja, e çara që po e hap tash do të mbetet përherë aty për të ndarë në dysh. Sapo të hyjë aty citimi, nuk e ke më ti në dorë komandën. Një zë tjetër, një mendim që diferencohet fort nga i yti, tash e tutje do të hedhë një hije që do të bëjë të duket në një dritë tjetër gjithë atë që ke shkruar deri më tani, gjithë atë që do të thuash në të ardhmen. Citimet, të dukshme për të gjithë, janë cezura në monolog. Shënjojnë, si prerja në mishin tonë, hyrjen me dhunë në sanctum sanctorum – në të mbyllurën e botës shprehëse të subjektit. Posa të shfaqen njëherë (ato citime), lexuesi do të të perceptojë vetëm në shoqëri të sugjeruesit të huaj, si individ i çarë në bashkëjetesë kërcënuese. Ankthi i ndikimit është formula me të cilën një teori letrare e markës psikanalistike e ka treguar problemin. Ajo që në shkencat natyrore dhe në shkencat humane është konsideruar një premisë e heshtur, në arte është njollë. Ai që citon, jepet. Në lojën e pafundme të gjuhës e zë vendin e të dashurës që i jepet të dashurit që ta penetrojë. Kjo vlen edhe atëherë kur citimi i shërben autorit në një proces të paprovuar pro domo sua, kur duhet t’u shërbejë qëllimeve të vetëkonfrimimit, apo edhe vetëm për të demonstruar familjaritetin me format e komunikimit në përdorim në shoqërinë civile. Përshtypja e autoritetit e marrë hua nga të tjerët kurrë nuk shkon huq. Karakteri i fortë do të jetë më i priruri për të cituar fjalët e një të panjohuri. Pa lënë të shihet pasurohet duke ngjyer në sfera private. E gjithë ajo që tashmë është botuar për të është tabu.

Lexo Edhe:

Paradoks i çdo citimi është të markojë boshllëkun ekzistues në hapësirën e vet shprehëse duke qenë se e mbush dhe lëshon rrënjë në të si moment i diferencës në krahasim me pjesën tjetër të tekstit. Sado të shumëfishta që të jenë teknikat citimore, sado të ndryshme që të jenë arsyet e tyre, në vetëdijen e atij që citon mbetet gjithmonë kjo plasaritje, lexuesi s’do të harrojë kurrë se këtu autori ka bërë një akt përnderimi. Edhe nëse ajo që e ka motivuar ka qenë nevoja e dëshmive, sinqeriteti i plotë ose mbase një afri prëzgjedhëse mes poetësh, edhe nëse e ka diktuar nevoja logjike, ajo që kuptohet është fakti se është nënshtruar.

Po çka është citimi? Fjalori e definon si pasazh tekstual të një autori i paraqitur shkronjë për shkronje me qëllim dokumentimi. Le të shtojmë: një pasazh qartësisht i kufizuar në krahasim me pjesën tjetër të tekstit. Pra bëhet fjalë për përfshirjen e një trupi të huaj, i ngjashëm me insektin apo gjethen e fierit në qelibar. Në gjuhën popullore citimi merr formën e thënieve dhe mënyra të shprehjes, të batutave të personazheve të njohura. Për studiuesin janë bukë e përditshme. E studiuesi është ai që më së shumti e ndien domethënien e fjalës latine citatio, që ka zanafillën në ambientin juridik si terminus technicus për ta përvijuar citimin në gjyq. Si gjykatësit e Romës antike, edhe studiuesit, të cilësdo degë, edhe sot e kësaj dite thërrasin në gjyq fjalët, siç ndodhte dikur me dëshmitarët dhe të të akuzuarit. Të parët që u kanë paraprirë kanë qenë profetët – autorët e Biblës te Krishterimi. Nga ta, siç më vonë nga esegjetët e tyre, Etërit e Kishës dhe teologët, vjen përpjekja për të krijuar një metatekst të përbërë krejtësisht nga citimet, një kanun në të cilin do të mund të mbështetej njerëzimi në çelës tradite. Në çdo kulturë ajo që në mënyrë të fryrë quhet «Zbulesë» përbën rezervën aureale të të gjitha citimeve të destinuara që ta mbulojnë rrethin e gjithë asaj që është në qarkullim si valutë semantike. Pra religjionet janë peshtafe citimesh. Në librat e tyre të shenjtë është regjistruar ajo që nga gjenerata në gjeneratë shpreh gjuhën e folur dhe shkrimin e të gjithë atyre që qenë alfabetizuar në emrin e tyre. Sipas normës gjuha amëtare dhe tradita religjioze gërshetohen në atë pikë sa pjesa më e madhe e citimeve nuk njihen më si të tilla. Në njëfarë mënyre kontrabandohen vazhdimisht në çdo vetëdije individuale. Ndërfuten tek e folura para se të mendohet. Nuk mund t’i shmangë ashtu siç nuk mund dalë nga lëkura e vet.

Po njëmend citimi a dëshmon vetëm shtrëngimin, dominimin mbi pavetëdijen e folësit? Sa mashtruese është ideja se citimi nuk është tjetër veçse një dëshmi e varfërisë së atij që e përdor, po aq e kundërt me dialektikën është leximi që do të dallonte në vepër ekskluzivisht tjetrin e autorit e jo edhe njëfarë sensi të familjes, një gatishmëri të dhembshurisë. Shpirti i lirë nuk lejon kurrë të shantazhohet. Më tepër, përmes citimit, e konfirmon sovranitetin e vet, i evokon, duke i cituar, shpirtrat e tjerë të lirë si ai – oswe të ngjashmit e vet. I «mbledh», siç thotë shprehja. Ose i fton në një takim, në një dëgjim sekretar verbalizues i së cilës ai është në këtë moment. Derisa e ka në dorë regjinë, citimi nuk e bën të varfër, përkundrazi, e bën vetëm më të pasur – pikërisht në kuptimin e kredos zanafillore komunsite të Karl Marksit, që e shihte pasurinë e një personi në shumësinë e relacioneve të tij ne personat e tjerë. Citimi, parë kështu, është shenjë se sa individi është i gatshëm për dialog në brendi të universit të tij shprehës. Në një libër, lista e shënimeve në fund të faqes është tregues i zotësisë dialogore të autorit të tij. Citimi çel hapësirën e ndërmjetme për takim. Paraqet shkëmbimin që është në bazë të të gjitha proceseve të mendimit. Liria është e mendueshme përherë vetëm si rezultat i një lëvizjeje nga unë te ti. Aspekti i tij fizik është distanca e dy trupave që e respektojnë pocizionin e tjetrit. Ndërsa aspekti i tij metafizik gjendet në afrimin e dy psikave për të cilat hapësira e ndërmjetme bëhet fushë vibimesh – qendër e bashkëndarë. Meqë çdo logjikë është gjithmonë me teh të dyfishtë, çdo e vërtetë lind nga të kundërtat, në filozofi dhe në art, ose në poezi, ka nevojë për një sferë qarkullimi pa të cilën mendimi do të paralizohej. Në fushën e pafundme të mendimit autarkia nuk është vetëm një gënjeshtër e qartë për të gjithë, por është një iluzion që çmaskohet vetvetiu. Në citim vërehet me qartësi të pashoqe hapësira e ndërmjetme, vendi ku qarkullojnë identitetet në dialog.

Si do të mund të mbështetej më mirë se sa me një citim ajo që u tha deri më tash? Lë të dalë përpara si dëshmitar poeti Osip Mandelshtam. Është e tija ideja se erudicioni është diçka krejtësisht ndryshe nga «tastiera përkujtuese» e aluzioneve që përbën esencën e vërtetë të kulturës. Në Kuvendim me Danten, një ese, që edhe ai vetë është krejtësisht një dialog, protokoll i një lëvizjeje qarkore përreth bashkëbiseduesit të të gjithë jetës të ardhur nga një kohë e largët, lexohet, fjalë për fjalë: «Citimi nuk është kopijim. Citimet janë gjinkalla». Këkllishin e këkllishin…

/Marrë nga Dürs Grünbein, “I bar di Atlantide – e altri saggi”, Einaudi, 2018

/Përkthimi: Gazeta Express