Ditari i javës/ Camus: Shtator 1937-prill 1939 - Gazeta Express
string(44) "ditari-i-javes-camus-shtator-1937-prill-1939"

Ditari i javës/ Camus: Shtator 1937-prill 1939

Arte

Gazeta Express

26/04/2024 16:12

Nga viti 1935 Camus mbajti në mënyrë të çrregullt shënime në formë ditari. Në qendër të çdo reflektimi lidhet shkrimi: projekte, blloqe shënimesh, citate të nxjerra nga veprat e lexuara, shënime udhëtimesh, reflektime, që shpesh shndërrohen në një ditar të vërtetë personal

Shtator 1937-prill 1939

Lexo Edhe:

Ese mby dyzet orët.

Në familjen time: punë, dhjetë orë. Gjumë. E diel-e hënë – Ndejë:  njeriu vajton. Mjerimi i madh i njeriut është pikërisht në këtë vajtim dhe kur i uron vetes atë që e poshtëron (konkurs).

***

“Në këtë periudhë po flitet shumë për dinjitetin e punës dhe nevojës së saj. Gignoux, në veçanti, në lidhje me këtë ka mendime goxha të qarta…”.

Por është thjesht mashtrim. S’ka dinjitet të punës përveçse në punën e pranuar me vullnet të lirë. Vetëm otiumi është vlerë morale, ngase mund të shërbejë për t’i gjykuar njerëzit. E është fatal vetëm për mediokrit. Është leksioni dhe madhështia e tij. Ndërsa puna i shtrydh të gjithë njerëzit. Nuk jep elemente për ndonjë gjykim, por bën të shpërthejë njëfarë metafizike e poshtërimit. Më të mirët, në këtë formë të skllavërimit që ia jap aktualisht shoqëria e konformistëve, nuk e mbijetojnë…

***

Propozoj ta kthejmë kokëposhtë formulën klasike dhe ta bëjmë punën fryt të otiumit. Dinjiteti i punës ekziston te punëthet që bëhen të dielen. Ngase këtu puna përzihet me lojën dhe loja e nënshtruar ndaj teknikës e çik veprën e artit dhe krijimin total…

E pranoj se hallakaten dhe indinjohen. Po qysh? Punëtorët e mi fitojnë katërdhjetë franka në ditë…

Në fund të muajit nëna ime, me një bzuëqeshje inkurajuese: “Sonte, kafe me qumësht! Sa për pak ndryshim”.

Po të paktën do të mund të bënin dashuri…

***

Vëllazëria e vetme e mundshme sot, e vetmja që është ofruar dhe lejuar, është ajo e shurdhër dhe squllët para vdekjes në luftë.

Qershor

Në kinema, oranezja e vogël e shoqëruar nga i shoqi derdh lotë të nxehtë për shkak të fatkeqësive të heroit. Burri e lut të pushojë. E, mes lotëve: “Hë de”, thotë ajo, “Lermë të përfitoj”.

***

Vdekje e lume:

Në tren, përballë tij, ulet Zagreusi. Veç se, në vend të shamisë së zakonshme, bart një kravatë verore shumë të pastër (pas deliktit kthehet në apartamentin e tij. Nuk ndërron asgjë. Vetëm e vë një pasqyrë të re).

***

Tundimi i përbashkët i të gjitha inteligjencave: cinizmi.

***

Mjerimi dhe madhështia e kësaj bote: nuk ofron të vërteta po dashuri.

Mbretëron Absurditeti dhe dashuria humbet.

***

Te romanet e fejtonit ekziston një psikologji e drejtë, por është psikologji përgjithësuese. Nuk i llogarit hollësitë. Ngjall besim. prandaj është false.

***

Kotësia e veçantë e njeriut që dëshiron të besojë dhe lë të besohet se po aspiron një të vërtetë kur i kërkon kësaj bote veç një dashuri.

***

Gusht

Një dhomë në oborr – e hapur brenda një dhome tjetër që merr dritën dhe që nga ana e saj nxjerr kokën brenda një dhome të tretë pa dritare. Këtu tre dyshekë. Tre persona që flenë. Po meqë dhoma, në gjersinë e saj më të madhe, është më e shkurtër se dyshekët, pjesa e sipërme mbështetet në muri dhe njerëzit flenë të harkuar.

***

Një i verbër del natën, mes orës një dhe katër, me një mik, i verbër edhe ai. Ngase janë të sigurt se s’do ta hasin në askënd në rrugë. Nëse përplasen për ndonjë shtylle ndiçimi mund të qeshen sa të duan. Dhe qeshin. Ndërsa ditën ua pamundëson mëshira e të tjerëve.

“Shkruaj”, thotë ky i vërbër. “Po s’do t’i interesonte askujt. Ajo që zgjon interesim te një libër është shenja e një ekzistence patetike; dhe jetët tona patetike nuk janë kurrë”.

***

Që të shkruash duhet të jesh përherë pakëz këtej në shprehje (më mirë se andej). Pa thashetheme, për çdo rast.

Eksperienca “reale” e vetmisë është ndër më pak letraret që ekzistojnë – një mijë lega larg idesë letrare që krijohet nga vetmia.

Krh. sa degradim përmban çdo vuajtje. Mos iu lësho boshllëkut. Kërko të fitosh dhe të “mbushësh”. Kohën – mos e humb.

***

Liria e vetme e mundshme është ajo në raport me vdekjen. Njeriu vërtet i lirë është ai që, duke e pranuar vdekjen si të tillë, i pranon në të njëjtën kohë edhe pasojat – do të thotë përmbysjen e të gjitha vlerave tradicionale të jetës. “Gjithçka është e lejuar” e Ivan Karamazovit është shprehja e vetme e një lirie koherente. Por duhet t’i shkohet deri në fund formulës.

/Marrë nga Albert Camus, Taccuini, BOMPIANI, 2018

/Gazeta Express