Metamorfozat e Zenelit, liria është të kuptosh çka mund të bësh - Gazeta Express
string(62) "metamorfozat-e-zenelit-liria-eshte-te-kuptosh-cka-mund-te-besh"

Metamorfozat e Zenelit, liria është të kuptosh çka mund të bësh

Arte

Donjeta Abazi

09/08/2022 17:48

Hulumtimi i Driant Zenelit (1983) ripërcakton idenë e dështimit, utopive dhe ëndrrave, duke i pozicionuar ato si ide që hapin alternativa të mundshme. Zeneli punon në forma të shumta të prodhimit artistik, nga vizatimet te filmi e deri te performanca.

Kati i nëntë i Grand Hotelit mban nëpër mure emrin e Driant Zenelit. Artisti shkodran ka kontribuar në fushën artistike këtë vit për nder të ‘Manifesta 14’ që po mbahet në Prishtinë. Pos tjerash Zeneli ka prezantuar ditë më parë trilogjinë ‘The Animals’, në të cilën përfshihen tri projekte, tri video, tri vepra arti: ‘Asnjë peshk i mençur nuk do të shpëtonte pa fluturuar’, ‘Sa thellë mund të notojë një pilivesa nën oqean?’, ‘Xixëllonja vazhdon të bjerë dhe gjarpri vazhdon të rritet’.   

Lexo Edhe:

Biblioteka Kombëtare e Kosovës në Prishtinë, Piramida e Tiranës në Shqipëri dhe Posta në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, janë tri ndërtesa që janë përdorur për t’i bërë vend krijimeve të artistit i cili përdori kafshët për ta përçuar mesazhin e tij.

‘Asnjë peshk i mençur nuk do të shpëtonte pa fluturuar’, videoja 7 minuta e 10 sekonda ka në thumb lojën mes një zogu dhe një peshkaqeni, vendi është biblioteka Kombëtare e Kosovës. Lufta e dy lodrave që janë krijuar nga artisti në bashkëpunim me fëmijët paraqet anën e dyfishtë të gjërave. Peshqit e mëdhenj i hanë të vegjlit ose qëndrimi në një vend mund të kushtojë e ka pasoja ose shumë e shumë shpjegime tjera. Në titullin e krijimit artistik mesazhin e kemi të qartë, lufta është e kot nëse mjetet për shpëtim nuk futen në funksion. ‘Qëllimi e arsyeton mjetin’, po, e arsyeton edhe në rastin e zogut, i cili i përdor krahët për t’i ikur sulmuesit, për të shpëtuar nga tjetri i cili sulmon pa pushim, por edhe pa arsye. Interesante është krijimi i dy personazheve përmes kartonëve dhe loja e tyre në hapësirat e Bibliotekës, brenda e jashtë. Përpjekja është e kot, lëvizjet janë të ngadalshme ama qëllimi i mesazhit është i qartë. Arratisja si kërkesë e mishëruar, largimi si nevojë dhe liria si domosdoshmëri i japin shpjegim videos se artistit Zeneli, që luan për shtatë minuta me publikun e vëmendjen e tyre.

Peshku fluturues shpëton sepse e ka kuptuar që aftësinë e tij ta përdorë në favor të vetin, sepse njëjtë ndodh me të gjithë, në momentin që e zbulojmë pikën tonë të fort, gjysma e rrugës është tejkaluar.

‘Sa thellë mund të notojë një pilivesa nën oqean?’, kjo vepër, ky lloj filmi i shkurtër është realizuar bazuar në ngjarjen e vërtetë të një të riu nga Shqipëria i cili në moshën 21 vjeçare u dënua me 21 vjet burg, i akuzuar për vrasje. Ani pse shpallet i pafajshëm, ai ka mbushur 41 vjeç kur lirohet në vitin 2020. Gjatë periudhës në burg ai e zbulon pasionin e tij për art dhe robotik. Me mjete të ndryshme të gjendura aty për aty dhe me motor elektrik, ai ndërtoi mikrorobotin ‘Dragonfly’ i cili është protagonisti i filmit të porositur enkas për të. Për vite me radhë kjo ndërtesë është përdorur për funksione të ndryshme derisa në ditët e sotme përdoret si objekt kulturor për Tiranën dhe mundësi zhvillimi karriere për gjeneratat e reja.

Pilivesa hyn brenda objektit që figurativisht është oqeani në të cilin ka një oktapod dhe dy luftimi në këtë rast është i qetë. Pilivesa përfundon brenda objektit në brendësi të tij e labirinti për të dalë është i vështirë, është sfidë, është i padrejtë. Oktapodi është një krijesë, tentakulat e të cilit nuk lëshojnë pe, nuk arsyetojnë, veç zaptojnë. Çdo metër për t’u ngjitur kushton një vit dhe kështu vazhdon për vite. Tortura më e madhe është pritja. Lufta më e madhe është kundër pabarazisë. Dëshira më e madhe është arratisja.

Zëri i artistit Zeneli e rrëfen mundin e insektit, zhurma e të cilit pushon në momente të caktuara për t’u pajtuar me fatin për t’i dhënë fund shpresës së tij sa herë sheh në drejtim të oktopodit.

Liri. Pilivesa kërkon paqen, larg labirintit, larg oktapodit, larg ndjenjës së inferioritetit, e lirë.

‘Xixëllonja vazhdon të bjerë dhe gjarpri vazhdon të rritet’, historia rrëfehet, duke u përcjellë me pamje (video për të cilën artisti ka punuar me studentë të inxhinierisë).

Tri pyetjet e xixëllonjës drejtuar sulmuesit (gjarprit) janë tejet të arsyeshme ama jo edhe përgjigjet. A hyj në listën e ushqimeve tuaja?, A të kam bërë diçka të keqe?, pse dëshiron të më hash?, janë tri pyetje përgjigjet e të cilave tregojnë pushtet, autoritet, arrogancë. Kapja e xixëllonjës nga gjarpri i kushton me jetë, ndriçimi zgjatë veç disa sekonda, pastaj shpërthimi i xixëllonjës shkatërron kundërshtarin. Sepse revanshi i pafajësisë kushton me shumë se dhjetë revanshe të një sulmuesi, sepse sulmi në krah të pushtetit kushton me vetëshkatërrim.

***

Për artin e tij flet edhe vet Driant Zeneli:

“Të gjitha përrallat ndodhin në një kontekst, konteksti nuk është zgjedhë rastësisht por është arkitektura brutaliste, piramida në Tiranë, posta në Shkup dhe Biblioteka Kombëtare në Prishtinë. Arkitektura që kanë kaluar momente të ndryshme historike në veçanti mbas rënies së murit të Berlinit”- përfundon Zeneli.

Angazhime tjera të artistit janë edhe punëtorit, e në veçanti punëtoria me fëmijët. Në këto punëtori artisti bashkë me fëmijët krijojnë ‘storytelling’, ndërtojnë personazhe me kafshë, punime këto që ndërtohen me plastikë të recikluar dhe veçmas kësaj mësohet komplet teknika se si të arrihet tek rezultati. Në mesin e këtyre fëmijët kanë mundësinë të mësojnë edhe nga fusha e robotikës.

E zakonshme për çdo fabul të re është tropoja e arratisjes – si një mënyrë shpëtimi, qoftë nga shtypja, izolimi apo kurthi, dhe si një mjet metamorfoze dhe fuqizimi.

Për Zenelin, krijimtaria mbështetet në takime të paplanifikuara. Shfaqjet e tij marrin formën e ndërhyrjeve pjesëmarrëse, gjatë të cilave artisti bashkëkrijon kuptimin me spektatorët. Në filmat e tij, fuqia dhe historia ndërthuren me narrativa individuale, duke krijuar utopi që përmbysin rendin natyror të gjërave.

Që nga viti 2008, Zeneli ka nisur një projekt edukimi artistik kushtuar marrëdhënies midis praktikës dhe kërkimit, duke hetuar praktikat alternative arsimore dhe krijuese. Zeneli gjithashtu krijon seminare tregimi për fëmijë, duke përdorur mjete të tilla si elektronika dhe robotika për të krijuar vetëkuptim më të thellë dhe për të inkurajuar lojën imagjinative.

/Gazeta Express