Hapet në Prishtinë festivali “Mirëdita, dobar dan” - Gazeta Express
string(47) "hapet-ne-prishtine-festivali-miredita-dobar-dan"

Hapet në Prishtinë festivali “Mirëdita, dobar dan”

Arte

Gazeta Express

14/10/2021 22:49

Dokumentari i Danijella Shtajnfelldit “Zaceli me” (Më shëro), i cili flet për dhunën seksuale, hapi edicionin e tetë të Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, të enjten mbrëma në Prishtinë.

Dokumentari përmban histori intime, dëshmi të të mbijetuarve të përdhunimit, por edhe të autorëve të dhunës seksuale.

Lexo Edhe:

Kjo është hera e parë që festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet me kapacitet të plotë në Prishtinë.

Ai organizohet nga OJQ Integra, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Forumi ZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur.

Igor Gjuriq, nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, tha se organizatorët po përpiqen të ngrenë çështje që u përkasin marrëdhënieve Kosovë-Serbi, serbëve dhe shqiptarëve, por në një mënyrë tjetër, “jo në atë mënyrë që e bëjnë politikanët”.

“Ky festival i ndihmon serbët dhe shqiptarët ta kuptojnë më mirë njëri-tjetrin”, tha ai.

Kushtrim Koliqi, nga Integra, tha se festivali “Mirëdita, dobar dan” është një nga nismat e pakta përmes së cilës bashkëpunojnë shqiptarët dhe serbët.

“Edhe këtë vit do të vazhdojmë t’i promovojmë vlerat e përbashkëta, pavarësisht nga narracioni negativ që ekziston në të dyja vendet”, tha ai, duke shtuar se ky festival është një simbol i unitetit dhe bashkimit të dy popujve.

Në kuadër të festivalit, i cili zgjat deri më 16 tetor, do të organizohen debate, promovime librash, koncert e të tjera.

Festivali mbahet qysh në vitin 2014, një herë në vit.

Qëllimi i festivalit është që takimet e komuniteteve kulturore të Kosovës dhe Serbisë të iniciojnë ndryshime dhe të krijojnë një traditë bashkëpunimi, e cila do të kontribuojë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Në festivalin në Prishtinë, publiku njihet me skenën kulturore të Serbisë, ndërsa publikut në Beograd i prezantohen artistë dhe interpretues që përfaqësojnë skenën kulturore të Kosovës.

Në vitet e mëparshme, ky festival në Beograd është shoqëruar me incidente që kanë shkaktuar grupet e krahut të djathtë./REL