Erotimatologio / Stefan Çapaliku - Gazeta Express
string(30) "erotimatologio-stefan-capaliku"

Erotimatologio / Stefan Çapaliku

Arte

Gazeta Express

24/03/2023 17:26

Stefan Çapaliku është autor i shumë librave dhe është sprovuar me sukses në shumë gjini letrare.

Ai është i njohur si dramaturg, në të cilën fushë ka shënuar suksese të dallueshme, dhe ka marrë vlerësime ndërkombëtare, gjithashtu njihet edhe si studiues e estet, sidomos me një studim tejet serioz për satirën e poetit tonë kombëtar, Gjergj Fishtës. Stefan Çapaliku është edhe autor i disa romaneve, librave me tregime si dhe monografive kushtuar personaliteteve të rëndësishme të qytetit të Shkodrës. Duhet nënvizuar se Shkodra, qyteti i shkrimtarit, është në fokusin krijues të autorit, libër pas libri, histori pas historie, ai skanon ngjarjet më të rëndësishme të jetës së këtij qyteti dhe ndërton antologjinë e tij.

Lexo Edhe:

Libri i parë

Nuk më kujtohet. Kishim shumë libra në shpi. Ishte një bibliotekë që pasurohej pandërprerje prej tim eti dhe librat “bluheshin” nga të gjithë. Në shpinë tonë vazhdoi të lexohej madje edhe mbasiqë hyri televizori. Mbaj mend madje se qëllonte që të mos shkoja në shkollë vetëm e vetëm që të mbaroja librin që kisha në dorë.

Libri që do të doje ta kishe shkruar.

Asnjë. Nuk di të jem ziliqar në letërsi. Shkruaj që të mësoj sesi shkruhet më mirë…

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri.

Romani “Një ëngjëll veshë me frak”.

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Të gjithë ma kanë ndryshuar nga pak. Shumica për mirë, por ka edhe prej atyre që ma kanë ndryshuar për keq: më kanë bërë më tinzar, më individualist, më interesaxhi ndoshta.

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Librat e miqve të mi: Tregimet e fundit të Ridvan Dibrës, romanin e fundit të Ag Apollonit “Kësulkuqja”, gjithashtu romanin e fundit të Andreas Dushit “Në besë të tatuazhit tënd”.

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Fatkeqësisht edhe këto janë shumë. Sidomos nga letërsia bashkohore shqipe, ku edhe bëj pjesë.

Libri që ju ka befasuar

“Buzë të ngrira në gaz” i Zef Zorbës, “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit dhe “Ditari” i Mustafa Greblleshit.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Drama “Hamletmakina” e Hainer Myller. Kaq shumë i jam rikthyer sa edhe e di përmendësh…

Libri i fundit

Lexoj për herë e më shumë letërsi dokumentare, ditare, shënime udhëtimi, kujtime etj.

/Gazeta Express