Ditari i javës / Giorgio Bassani: 25 janar 1944 - Gazeta Express
string(44) "ditari-i-javes-giorgio-bassani-25-janar-1944"

Ditari i javës / Giorgio Bassani: 25 janar 1944

Arte

Gazeta Express

02/12/2022 17:01

Kjo pjesë e ditarit është shkëputur nga ‘Diario romano”, një dëshmi e çmueshme e autorit, njëkohësisht militant klandestin i Partito d’Azione. Bassani (1916-2000) ka qenë poet, prozator dhe politikan italian

25 janar (e martë) 1944

Lexo Edhe:

Roma është një bushtër e madhe; pret të shkërdhehet nga anglezët pasi që është shkërdhyer nga gjermanët. Mes të gjitha muhabeteve të dëgjuara gjatë këtyre ditëve të pritjes, këtu në Romë, ky, i bërë dje nga C., rreth orës së një perëndimi të trëndafiltë, mahnitshëm indiferent, më është dukur më i vlefshmi.

Sot e pashë sërish Q-në, para Adriano-s. Q. ka qenë, kohëve të fundit, një krijesë e Bottai-t (shikoje atë mbrojtjen e dobët të protektorit antik që u mundua ta bënte Q. në Esperia, para ca ditësh, kundër elokuencës sime që e konsideroj vulgare në mënyrë jakobine). Është një tip i shëndoshë dhe kaprroç, të një padani sensual dhe të lumtur, Q., borgjezia veriore paraqet bukur shpesh fizionomi të këtij lloji, pikon llogari dhe dinakëri nga të gjitha poret e një lëkure të trashë dhe të nxirë prej fshatari që ka zbritur në qytet së voni. Më shumë se sa që të më lyhet – siç ma hante mendja në fillim – e ka pamjen e atij që dëshiron të më mbrojë. Ma tha në mirëbesim se në redaksinë e “Risorgimento liberale”, ku ai punon, detyra e tij do të jetë ajo që ta mbarojë “politikën e brendshme”. Q., e njeh bukur shumë njerëz, të cilët po m’i prezanton ditë mbas dite. Mes të tjerësh më njohu edhe njëfarë F., redaktor i “Popolo di Roma”, një dyzetvjeçar i dëshpëruar dhe ironik, po edhe bukur simpatik.

Qarkullo një atmosferë e çuditshme mistifikimi moral mes të gjithë këtyre letrarëve në ethet e rrogave fikse: atmosferë që, pavarësisht lustrës së shkathët dhe shkëlqyese gazetareske alla ‘Omnibus” vërehet edhe mes rrashtash, edhe pse rigjidë dhe të ngrefosur – sado që të varfra për nga përmbajtja politike dhe të një aktualiteti të vërtetë – të “Risorgimento”-s. Partia liberale, siç më është dukur deri më tani, mbi të gjitha më duket një ndërmarrje e rëndësishme gazetarie, e lindur nga ujditë mes kamorrave të forta letrare dhe fondeve të mëdha të parave. Pëshpëritet herë pas here, për t’i tërhequr nostalgjikët dhe të pastërtit, ndonjë emër të madh: Croce, Einaudi… Dhe, si dëshmi, mund të shihen male me kartëmonedha (njëqindmijë, më rrëfente se i kishte në portofol i miri Q.), të gjithë të destinuar të blejnë letër për ta siguruar një muaj jetë në gazetë. Muajin e parë. Sepse qëllimi është që kjo punë të zgjasë sa më gjatë dhe të prosperojë.

Roma i pret “anglo-amerikanët” me ankthin e të persekutuarëve dhe me ethen e hareshme të aventurierëve nga të cilët gëlon. Priten pushkatime nga momenti në moment. Sot ndalimqarkullimi është vënë për në orën pesë pasdite, për shkak të dy bombave të hedhura, duket, para Flora-s. Radio ka përsëritur disa herë se Komanda gjermanike do t’i shpërblejë me dyqind mijë lira kush do të japë informacione për t’u rënë në gjurmë ekzekutuesve të një atentati me dinamit që u ka kushtuar me jetë dy grave.

Por shkoj me mendjen se atentatorët nuk do t’ua lënë ato dyqind mijë euro askujt, të gëlltitur, siç do të jenë tashmë, nga ai deti i thellë i shtëpive siç është Roma.

Nga ana tjetër, gjermanët e kanë mendjen krejt tjetërkund. Hirësia që banon në pensionin tim tregonte, me maturia vatikani, se e kishte parë me sytë e tij një majori të Wermacht-it, herave të tjera “i gjallë si luan”, të qante si fëmijë.

Gjermanët, ndërsa dukej e pamundshme vite më parë, nuk kanë aeroplanë, kanë mungesë njerëzish, gjylesh, municionesh, benzine. E hedhin në ajër Casilina-n. Pra, tërheqja nga Cassino tashmë po ndodh, por përmes bjeshkëve të Abruzzo-s së lartë, duke e shmangur Romën. Më mesditë shfaqeshin anglezët në Aprilia. Në mbrëmje vinte në anën e kundër të njerëzve në kërkim të tramvajeve të fundit një oficer i Guardia Repubblicana, me kafkën e metaltë mbi beretën baske të rënë mbi sy, me zymtësinë e pesëdhjetëvjeçarit që ka jetuar dhe është plakur keq. I mbante nënsqetull dy vajza. Duke i kaluar përbri ma zuri veshi këtë frazë: “A e di si thuhet në dialektin napoletan Francesca? Jo? Ciccia”. Njerëzit ktheheshin nxitimthi ta shikonin, me të njëjtën shprehje zemërimi të plebeut të përjetshëm të frikësuar dhe keqdashës kur has në ndonjë bandit të dënuar në litar, teksa dërgohet në vendin e varjes.

Marrë nga Giorgio Bassani, “Racconti, diari, cronache (1935-1956)”, Feltrinelli Editore, 2014

/Përkthimi: Gazeta Express