Ditari i javës/ Bunin: 5-6 shkurt 1918 - Gazeta Express
string(36) "ditari-i-javes-bunin-5-6-shkurt-1918"

Ditari i javës/ Bunin: 5-6 shkurt 1918

Arte

Gazeta Express

29/03/2024 15:56

Botuar së pari në një gazetë periodike të Parisit dhe vetëm më 1936 në vëllim, ditari i Buninit, ‘Ditët e mallkuara’, është një kronikë e tmerrshme – ambientuar në sfondin e Moskës dhe Odesës – e luftës civile që e kishte përgjakur Rusinë mes viteve 1918-1919.

5 shkurt –

Lexo Edhe:

Nga data një shkurt është urdhëruar përshtatja me kalendarin e ri. Kështu që sot, sipas kalendarit të tyre, është i dhjeti.

Dje mora pjesë në një takim të së “Mërkurës”. Kishte shumë të “rinj” të pranishëm. Majakovskij mbajti një qëndrim bukur të këndshëm, sado që s’bëri tjetër gjë veçse e nxori në pah, me një lloj pavarësie trashamane, sinqeritetin e tij idiotik të gjykimit: mbante një këmishë të butë pa kravatë dhe kush e di pse mbante jakën e setrës të ngritur lart, si ata tipat që banojnë në dhoma të mjera hoteli dhe në mëngjes, të rruar keq, ia mësyjnë nevojtores.

Erenburgu dhe Vera Inberi lexuan pjesë nga veprat e tyre. Sasha Kojranski komentoi:

Erenbergu ulurin,

Inberi makute

Përmbledh apelin e saj

As Moska as Pjetërburgu

Nuk do të mund ta zëvendësojnë Berdiçevin.

6 shkurt

Ofensiva gjermane mbizotëron në media. Të gjithë përsërisin: “Ah, po të ishte e vërtetë!”.

Shkuam në Lubjanka. Aty-këtu ca “mitingje”. Mbështjellë në një pallto dhe jakën rrumbullake të astrakanit, një tip kuqalosh me qerpikë të dendur të kuqërremtë, fytyrën e pudrosur të rruar rishtazi dhe me ca mbushje dhëmbësh të arta bukur në dukje, i përmend me zë monoton, si të lexonte, padrejtësitë e bëra nga regjimi i vjetër. Një zotëri me hundë të shtypur dhe me sytë e dalë ia kthen me mllef. Gratë e pranishme ndërhyjnë me zjarr dhe pa vend, e ndërpresin diskutimin (e fillimit, me fjalët e tipit flokëkuq) me hollësira dhe rrëfime nxitimthi të nxjerra nga përvoja e tyre personale që do të duhej të demonstronin se vetëm dreqi e di se çka po ndodh. Disa ushtarë, me sa duket, nuk kuptojnë gjë, por, si gjithmonë, duke dyshuar se mos ka diçka (më mirë, krejtësisht) dhe e luajnë kokën mosbesues.

U avit një muzhik, një burrë në moshë me faqet e zbehta e të fryra dhe me mjekërz me maje: duke u avitur, e përvodhi kureshtar mes turmës, duke e futur si pykë mes mëngëve të dy zotërinjve të cilët gjatë kohës rrinin të heshtur duke dëgjuar. Mandej u avitën një punëtor me sytë na dhe ushtarë goxha rrapashyta që, në duar fishekët me fara luledielli, përtypin dhe vëzhgojnë mosbesues dhe kërcënues.

Punëtori, në fytyrën e të cilit ndrin një buzëqeshje dashakeqe dhe zbavitëse dëng me përçmim, rri anash pranë turmës, shtiret se është ndalur veç për një minutë, për argëtim: duket sikur thotë, e di tashmë se këta veç ia këpusin budallëqe.

Një zonjë ankohet furishëm se s’ka as edhe një thërmi buke, deri vonë e mbante një shkollë, po tash i ka liruar të gjitha nxënëset sepse s’ka me çka t’ua shuajë urinë:

«Po pse, kush po ia kalon mirë me bolshevikët? Për secilin është më keq, sidomos për ata si ne, për popullin!».

Duke e ndërprerë, një dosë e lyer e mori fjalën gjithë zjarr dhe nisi të thotë se gjermanët po vinin dhe se çdonjëri do të paguante për atë që ka bërë.

«Para se të vijnë do t’jua presim gurmazin të gjithëve», ia këputi punëtori dhe ia mbathi.

Dy ushtarët, para se të largoheshin edhe ata, ripohuan: «Tamam, pikërisht kështu!».

Për të njëjtën gjë po kuvendonin edhe në një grup tjetër, ku ai që konfrontohej me punëtorin këtë herë ishte një praporshçik. Ai po sforcohej të fliste me mirësjellje të skajshme, duke i përzgjedhur shprehjet më të pafajme dhe duke u munduar ta nxiste të ishte logjik. Ishte tashmë në skaj të lurtimit, e megjithatë punëtori i hoqi vërejtjen:

«Ata si ju duhet të flasin pak më pak, ja ç’them unë! S’duhet të bëni propagandë mes njerëzish!».

K. thotë se R. mbrëmë ka qenë përsëri tek ta. Ka qëndruar aty ulur katër orë dhe gjatë gjithë kohës ka mbajtur kokën ulur duke lexuar një libërth mbi valet magnetike që dikush e kishte lënë aty në tavolinë, pastaj ka pirë çajin dhe e ka ngrënë tërë bukën. Për nga natyra ai është person i butë, i qetë dhe aspak i pacipë, por tash vjen dhe ulet pa kurrfarë skrupulli, gllabëron çkado që i ofrohet pa pikën e respektit ndaj të zotëve të shtëpisë. Sa shpejt bie poshtë qenia njerëzore!

A. Bllok foli hapur dhe iu bashkua bolshevikëve. Botoi një artikull që e nxiti adhurimin e Koganit (P.S.). Ende s’e kam lexuar, por ia përmblodha përmbajtjen hipotetike Erenburgut – me sa duket në mënyrë besnike. Bëhet fjalë për një kanconetë aspak të mprehtë, po edhe ashtu Blloku është njeri goxha hajvan.

Nga “Novaja Žizn’”, e përditshmja e Gorkit:

«Duke u nisur nga sot është e qartë edhe për njeriun më të thjeshtë se kur është fjala te komisarët e popullit nuk ka kuptim të flitet jo vetëm për koncepte si guximi e vlera revolucionare, po madje as për konceptin më elementar të ndershmerisë. Para nesh është një kompani avneturierësh që, për interesa personale dhe me qëllim që ta zgjasin edhe për disa javë agoninë e autokracisë së tyre që po vdes, janë të gatshëm ta bëjnë edhe tradhtinë më të turpshme të interesave patriotike dhe revolucionare, interesat e atij proletariati rus në emër të të cilit masin e qepin në fronin bosh të Romanovëve».

Nga “Vlast’ Naroda”:

«Në dritën e asaj që vërejtur në shumë xhirime dhe parë në rastet e përsëritura të rrahjeve që u bëhen çdo natë individëve të arrestuar gjatë marrjes në pyetje pranë Sovjetit të deputetëve të punëtorëve, i kërkojmë Sovjetit të komisarëve të popullit të heqë dorë nga sulme të tilla të befasishme dhe nga veprimet prej banditësh… ».

Denoncim nga Boroviči.

Da “Russkoe Slovo”:

Muzhikët e fshatit Pokrovskoe, regjioni i Tambovit, kanë redaktuar një procesverbal:

«Më datë 30 janar komuniteti ynë ka përndjekur dy plaçkitës, bashkëqytetarët tonë Nikita Aleksandrovič Bulkin dhe Adrian Aleksandrovič Kudinov. Me pajtimin e komunitetit tonë, ata i janë nënshtruar gjykimit dhe menjëherë janë vrarë».

Ky “komunitet” menjëherë e ka elaboruar një kod penal sui generis për fajtorët:

Nëse një person godet dikë, viktima duhet ta godasë ofenduesin dhjetë herë.

Nëse një person godet dikë duke i shkaktuar plagë apo thyerje, ofenduesi do të privohet nga jeta.

Nëse një person bën vjedhje, apo përvetëson sende të vjedhura, do të privohet nga jeta.

Nëse një person zihet duke vënë zjarr, do të privohet nga jeta.

Pa shkuar shumë dy hajna janë zënë me prush në duar. “Gjykuar” në çast, janë dënuar me vdekje. Së pari e kanë vrarë njërin: ia kanë thyer kokën me shtizën e kandarit, shqyer krahun me sfurk dhe e kanë hedhur kufomën, krejtësisht lakuriqe, në rrugë. Pastaj kanë kaluar te tjetri.

Këtyre ditëve lajmë të këtij soji janë në rend të ditës.

Në Ptrovka disa murgj thyejnë akullin. Kalimtarët brohorasin, madje ngazëllehen:

«Ah, më në fund! Ju nxorën nga strofulli! Tash e keni radhën ju, vëllezër, s’keni çare».

Në oborrin e një shtëpie në Povarskaja një ushtar me një xhaketë lëkure po bëhet gati të çajë drutë. Një muzhik është ndalur për një kohë të gjatë ta bëjë sehir skenën, pastaj luajti kokën dhe psherëtiu:

«Ah, mirë e ke gjetur! Bash mirë e ke gjetur, diseltor i mallkuar! Rusia është në rrënojë!».

/Marrë nga Ivan Bunin, “Giorni maledetti”, Voland, 2021

/Përkthimi: Gazeta Express