Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019, shpallen juria dhe veprat në garë - Gazeta Express
string(68) "cmimet-kombetare-te-letersise-2019-shpallen-juria-dhe-veprat-ne-gare"

Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019, shpallen juria dhe veprat në garë

Arte

Gazeta Express

07/12/2020 15:04

Fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2019, do të shpallen në datën 20 dhjetor, në 6 zhanre të përfshira, ndërsa juria sapo ka përmbyllur fazën seleksionuese duke publikuar botimet që do të garojnë për secilin Çmim

Poetja e njohur Natasha Lako do të jetë kryetarja e Jurisë së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2019. Lajmi bëhet i ditur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, bashkë me detajet e këtij aktiviteti të rëndësishëm  në fushën e Letrave, me një traditë tashmë të konsoliduar. Si lajm i mirë vjen edhe rikthimi i Çmimit letrar “Kadare”, i cili prej 5 vitesh mbështet autorët shqiptarë, të cilët konkurojnë me vepra në dorëshkrim.

Lexo Edhe:

Fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2019, do të shpallen në datën 20 dhjetor, në 6 zhanre të përfshira, ndërsa juria sapo ka përmbyllur fazën seleksionuese duke publikuar botimet që do të garojnë për secilin Çmim.

Natasha Lako është një nga figurat e rëndësishme të poezisë shqiptare. skenariste, shqipëruese, ajo ka një kontribut të spikatur në skenën kulturore shqiptare.
Lako është autore e librave “Marsi brenda nesh”, 1972; “E para fjalë e botës”, 1979; “Këmisha e pranverës”, Prishtinë 1984; “Yllësia e fjalëve”, Tiranë 1986; “Natyrë e qetë”, Tiranë 1990; “Thesi me pëllumba”, Tiranë 1995; “Këmbë dhe duar” 1998; Përkthimet e Tomas Transtromer “Perandoria e barit” 2002; “Lëkura e ujit” 2005; ribotim Tomas Transtromer-ripërmbledhje “Qielli i lënë përgjysmë” 2011;  Ese “Energjia filmike”, 2006;  romanin “Stinët e jetës”, ”Kundërpërfytyrimi” 2016.  Skenarë filmash: “Mësonjtorja”, “Një emër mes njerëzve”, “Fjalë pa fund”, “Muri i gjallë”, “Partizani i vogël Velo”, “Rruga e lirisë”,  “Një vit i gjatë”, “Plumba perandorit”, “I paharruari”, “Fletë të bardha”, “Lule të kuqe, lule të zeza”, “Përcjellja, shkronjat e pavarsisë”, “Të fala Ndrekë Luca”, “Koha e pelikulës” (Xhanfise Keko).
Poezitë e Lakos janë përfshirë në antologji të ndryshme të letërsisë botërore.

Anëtarët e tjerë të jurisë janë:

Prof. dr. Sadik Bejko është poet, studiues, profesor i njohur i shkencave filologjike. Krijimtaria e tij nis që pas viteve 70-të. Në vitin 1972 ai boton përmbledhjen poetike “Rrënjë”,  në vitin 1981 librin  “Ku e ka folenë bilbili”, më 1994, “Si vdes gruri”, më 1997, “Letër Hamurabit”, më 2003, “Psalm për atin”, dhe në vitin 2017, “Këngë të Solomonit”,  që është një përmbledhje me nota dashurie, trishtimi dhe shprese, etj.  Krijmtaria e Bejkos ka marrë vlerësime të larta nga kritika. Ai është fitues i Çmimit “Penda e Argjendtë” më vitin 1998 për vëllimin “Letër Hamurabit”.

Dr. Ermir Nika mban detyrën e shefit të Departamentit të Arteve në Universitetin Europian të Tiranës. Prej 19 vitesh ai ka punuar si specialist e më pas Drejtor i Drejtorisë së Librit në Ministrinë e Kulturës. Është autor i romanit “Robi i lartësive”; “Kuarteti bohem” (poezi); “Netë mëkatarësh”, me tregime; novela për fëmijë “Gjyshi në Kornizë”; “Re të Ftohta”, poezi etj.

Gjatë këtyre viteve është përfshirë në disa antologji të prozës dhe poezisë shqipe, si edhe ka botuar artikuj kritikë në shtypin periodik vendas dhe të huaj mbi artin dhe letërsinë. Gjithashtu ka marrë pjesë në shumë simpoziume dhe konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare (Gjermani, Rumani, Slloveni, Greqi, Mal i Zi), duke referuar mbi periudha dhe autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe.  Në vitin 2019 ka përfaqësuar poezinë shqipe në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë të zhvilluar në Stamboll si edhe është një ndër autorët e përfshirë në antologjinë e botuar në turqisht.  Nika mban titullin Doktor Shkencash.

Lindita Arapi,  është poete dhe shkrimtare, autore e një programi të përjavshëm për Europën në Deutsche Welle. Autore e disa librave me poezi, më 2010-tën ajo ka botuar romanin “Vajzat me çelës në qafë”, i cili është përkthyer e pritur mirë edhe nga kritika gjermane. Arapi ka botuar në gjermanisht dhe vëllimin poetik“Am Meer, nachts” (Edition Thanhäuser) dhe një libër studimor mbi atropologjinë  e shqiptarëve, “Wie Albanien albanisch Wurde – Rekonstruktion des Albanien bildes” (Tectum Verlag), 2006.

Lindita Arapi është nderuar me disa çmime letrare si ai “Kult” 2011 për librin e vitit, dhe çmimin e Poetekës, “Nositi”, 2008. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë, anglisht, frëngjisht, në gjuhën kroate e malazeze. Lindita Arapi ka një kontribut dhe në përkthimin e kulturës gjermane në gjuhën shqipe.

Thoma Jançe është lektor në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin e Firences, anëtar i Accademia della Poesia “Poliziano” të Firences. Karriera e tij si përkthyes ka nisur si gazetar e përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ai është përkthyes i disa autorëve të rëndësishëm nga gjuha spanjolle dhe ruse. Prej vitesh ai drejton Revistën e përmuajshme kulturore “Fenix”.

Sipas QKLL-së, edhe këtë vit do të ruhet tradita, duke u dhënë zë gjinive të ndryshme të letërsisë, si romani më i mirë, libri poetik më i mirë i vitit dhe ai me tregime, libri studimor/esseistikë, përkthimi më i mirë si dhe libri më i mirë për fëmijë.

Librat e nominuar për Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2019:

ROMANI

1- Luan Starova, “Emigrimi i ngjalave” – Poeteka

2- Mira Meksi, “Diktatori në Kryq” – Onufri

3- Ylljet Aliçka, “Metamorfoza e një kryeqyteti” – Onufri

4- Preç Zogaj, “Anjeza nuk u zgjua” – UETPRESS

5- Bashkim Shehu,  “Triptiku i magjistarëve” – Toena

TREGIMI

1- Agron Tufa, “Kur këndonin gjelat e tretë” – Onufri

2- Ana Kove, “Kambanat e së Dielës” – Toena

3- Dhimitër Anagnosti, “Ulliri, Pema e dhimbjes” – Toena

4- Romeo Çollaku, “Mikrobus dhe tregime të tjerë” – Zenit

5- Majlinda Rama Nana, “Arzoe” – Agora

POEZIA

1- Arian Leka, “Hartë memece për të mbyturit” – Poeteka

2- Skënder Buçpapaj, “Imgur” – Onufri

3- Aleksandër Çipa, “Deti nuk ka portë” – Dritëro

4- Denata Ndreca, “Kohë e Mohueme” – Jozef

5- Alisa Velaj, “Shtjellë reje shtjellë zjarri” – Luis Print

LETËRSIA E PËRKTHYER

1- Homerus “Iliada”, Llambro Ruci – Toena

2- “100 vjet vetmi”, Gabriel Garcia Marquez / Mira Meksi – Onufri
3- Jorgos Seferis, Romeo Çollaku, Alket Çani – Pika pa sipërfaqe

4- Marina Cvetajeva “Tetori në vagon”, Korab Hoxha – Aleph

5- Han Kang; Vegjetariania / Bujar Hudhri – Onufri

ESE

1- Matteo Mandalà, “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve” – Naimi

2- Petrit Palushi, “Kukësi në 79 ditë : pranverë 1999” – Ombra GVG

3- Ardian Vehbiu – Gjuha e thyer, gjuha që thyen – Çabej

4- Tonin Çobani, “Tri ese : Shqiptari i refuzuar si shqiptar. Dimensioni
kulturor i  Kanunit. Mitologjia në Lahutë” – Gjergj Fishta

5- Pirro Prifti, “Kombi shqiptar : univers historik dhe fetar” – Jozef

 LETËRSIA PËR FËMIJË

  1. Shkëlzen Zalli, “Kartolina e zileve” – ADA 5 vota

2- Viktor Canosinaj, “Elefantët. Shtamba” – Dyrrah

3- Fatmir Gjestila, “Edhe pëllumbat qajnë” – Emathia

4- Alma Zenellari, “Një libër për yjet” – ADA

5- Iliaz Bobaj, “Bota është sa nëna ime” – ADA                                          /Gazeta Liberale