Bonuset rekord për punonjësit e Samsung-ut: 310 mijë euro nga boom-i i AI - Gazeta Express
string(72) "bonuset-rekord-per-punonjesit-e-samsung-ut-310-mije-euro-nga-boom-i-i-ai"

AutoTech

Gazeta Express

27/05/2026 20:50

Bonuset rekord për punonjësit e Samsung-ut: 310 mijë euro nga boom-i i AI

AutoTech

Gazeta Express

27/05/2026 20:50

Punonjësit e divizionit të çipave të memories në Samsung Electronics pritet të marrin bonuse mesatare rreth 310,000 euro për person, sipas një marrëveshjeje historike për ndarjen e fitimeve, ndërsa kërkesa e madhe nga inteligjenca artificiale po rrit ndjeshëm fitimet e industrisë së gjysmëpërçuesve.

Marrëveshja u miratua pas një votimi ku 74% e mbi 62,000 punonjësve që morën pjesë e mbështetën atë, duke shmangur një grevë të mundshme që do të kishte paralizuar prodhimin.

Sipas marrëveshjes, Samsung do të ndajë 10.5% të fitimeve operative të divizionit të saj të gjysmëpërçuesve për bonuse speciale për punonjësit. Kjo i jep fund një konflikti të ashpër pesëmujor, të ndërmjetësuar edhe nga qeveria e Koresë së Jugut.

Kompania përbën rreth një të katërtën e eksporteve të vendit, dhe një grevë e gjatë do të kishte pasoja të rënda për ekonominë koreano-jugore dhe zinxhirët globalë të furnizimit me çipa.

Bonuse shumë të ndryshme brenda kompanisë

Marrëveshja mund të krijojë tensione të brendshme, pasi punonjësit në sektorë të tjerë të Samsung-ut, si elektronika e konsumit, do të marrin bonuse dukshëm më të ulëta.

Sipas raportimeve të Reuters, një punonjës me pagë bazë rreth 53,400 dollarë (afërsisht 49,000 euro) pritet të marrë bonus deri në rreth 416,000 dollarë (rreth 384,000 euro), kryesisht në aksione. Mesatarisht, Bloomberg vlerëson se punonjësit e këtij divizioni do të përfitojnë rreth 340,000 dollarë (rreth 314,000 euro).

Samsung ka rreth 78,000 punonjës në sektorin e gjysmëpërçuesve, përfshirë prodhimin e çipave të memories, kontraktimin dhe dizajnimin e tyre.

Rritja e industrisë së çipave nga AI

Marrëveshja vjen në një moment kur industria e çipave po përjeton një bum të fortë falë kërkesës nga qendrat e të dhënave për inteligjencë artificiale. Kjo ka shkaktuar mungesë furnizimi dhe rritje të ndjeshme të çmimeve, duke shtuar fitimet e kompanive.

Rritja ka çuar vlerën e gjigantëve të memories si SK Hynix dhe Micron mbi 1 trilion dollarë për herë të parë. Aksionet e SK Hynix u rritën mbi 9%, ndërsa Micron u rrit me rreth 19% pas rritjes së objektivave të çmimit nga analistët.

Sipas analistëve, tregu po zhvendos fokusin nga procesorët grafikë drejt çipave të memories, të cilët janë thelbësorë për ruajtjen dhe transferimin e të dhënave në sistemet e AI. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement