Kirurgët estetikë po paralajmërojnë për rritjen e një fenomeni të ri të quajtur “AI face”, pasi gjithnjë e më shumë pacientë po kërkojnë operacione kozmetike bazuar në imazhe të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Sipas specialistëve, shumë persona po paraqiten në klinika me fotografi të modifikuara nga chatbotë dhe aplikacione AI, duke kërkuar lëkurë perfekte, mollëza të theksuara, hundë “ideale” dhe simetri pothuajse absolute – standarde që në shumicën e rasteve janë të pamundura të arrihen në jetën reale.
Dr. Nora Nugent, kirurge estetike dhe presidente e Shoqatës Britanike të Kirurgëve Plastikë Estetikë, thotë se fenomeni po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.
“Po shohim gjithnjë e më shumë pacientë që vijnë me versione të tyre të krijuara nga AI dhe besojnë se kirurgjia mund t’i bëjë të duken pikërisht ashtu”, shprehet ajo.

Sipas saj, inteligjenca artificiale po ndikon fuqishëm në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë bukurinë dhe trupin e tyre.
Kirurgu londinez Dr. Alex Karidis thekson se ndryshe nga AI, kirurgjia nuk mund të kontrollojë çdo detaj të fytyrës.
“AI mund të ndryshojë çdo piksel të fotos. Kirurgjia nuk funksionon në atë nivel mikroskopik”, thotë ai.
Ekspertët paralajmërojnë se shumë pacientë krijojnë pritshmëri joreale shumë kohë përpara se të hyjnë në klinikë. Pasi shohin një imazh të “perfeksionuar”, ai mbetet i ngulitur në mendjen e tyre si standard bukurie.

Kirurgët thonë se një nga tiparet më të zakonshme të “AI face” është hipersimetria – një fytyrë pothuajse perfekte dhe matematikisht simetrike, diçka që AI e krijon lehtësisht, por që anatomia njerëzore nuk e lejon.
Dr. Julian de Silva shpjegon se disa elemente të fytyrës nuk mund të ndryshohen në mënyrë të sigurt.
“Nëse një sy është pak më lart se tjetri, AI e korrigjon për sekonda. Por në realitet kjo lidhet me strukturën kockore dhe pozicionin e orbitave të syrit. Nuk mund të ndryshohet pa rrezik”, thotë ai.
Sipas tij, AI zakonisht krijon të njëjtin model bukurie: për gratë fytyrë në formë zemre, nofull të hollë dhe mollëza të ngritura, ndërsa për burrat nofull më të gjerë, vetulla më të ulëta dhe tipare më “mashkullore”.
Një tjetër shqetësim është përdorimi i mundshëm i vetë AI-së nga klinikat estetike në rrjetet sociale për të krijuar rezultate të ekzagjeruara.
Dr. de Silva tregon se pa një video ku një paciente dukej sikur ishte bërë 30 vite më e re, por më vonë vuri re një detaj absurd: dora kishte gjashtë gishta.

Në një eksperiment për të kuptuar fenomenin, një gazetar përdori AI për të gjeneruar versione të ndryshme të fytyrës së tij dhe më pas i analizoi me kirurgë plastikë.
Në fillim, inteligjenca artificiale sugjeroi ndërhyrje relativisht të zakonshme si korrigjim hunde dhe ngritje të lehtë të qepallave, me një kosto të vlerësuar rreth 25 mijë paund.
Por kërkesat më ekstreme sollën rekomandime gjithnjë e më absurde: implante në mjekër, heqje yndyre nga faqet, ngritje qafe, implante të personalizuara dhe trajtime lazer për “lëkurë perfekte”.
“Pikërisht këtu gjërat bëhen të frikshme”, tha Dr. Karidis. “Edhe sikur të kryheshin të gjitha këto operacione, rezultati sërish nuk do të dukej si imazhi i krijuar nga AI.”
Kirurgët paralajmërojnë se njerëzit duhet të kuptojnë se rezultatet e kirurgjisë estetike nuk janë kurrë të garantuara, pasi çdo trup shërohet, plaket dhe reagon ndryshe.
“Pacientët duhet ta kuptojnë se nuk mund të kontrollojmë gjithçka”, thotë Dr. Nugent. “As kirurgjia dhe as jeta reale nuk funksionojnë si inteligjenca artificiale.” /GazetaExpress/
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...