Kandidati për kryeministër nga AAK, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se ka takuar një mik të vjetër dhe bashkudhëtar politik, Dr. Fadil Ademajn, mjek të suksesshëm në Gjermani, i cili i ka ofruar mbështetje në rrugëtimin politik.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka kujtuar fillimet e përbashkëta me Dr. Ademajn, duke theksuar se që nga viti 2000 kishin garuar bashkë si kandidatë për Asamblenë Komunale në Gjakovë.
“I frymëzuar nga përvojat e vështira të luftës në Kosovë, ai iu dedikua mjekësisë. Sot, Dr. Fadil Ademaj është emër elitar i mjekësisë në Gjermani, udhëheqës në Klinikum Nürnberg dhe fitues i çmimit prestigjioz ‘Fritz-Böhrer’”, ka shkruar Gjini.
Tutje, ai e ka cilësuar Ademajn si pjesë të krenarisë së mërgatës shqiptare, duke vënë theksin te roli i profesionistëve shqiptarë jashtë vendit në zhvillimin e Kosovës.
“Truri ynë në mërgatë nuk është thjesht krenari, por partneri kryesor në projektin tonë shtetndërtues”, ka theksuar Gjini, duke e falënderuar Dr. Ademajn për mbështetjen.