Një kompani kroçerash po u ofron pasagjerëve një përvojë të pazakontë: të kalojnë një natë si eksploruesit e fundit të shekullit XIX, në një kabinë të rikrijuar me detaje historike nga viti 1896.
HX Expeditions ka ndërtuar këtë ambient të veçantë në anijen e saj MS Fridtjof Nansen, si pjesë e një projekti që shënon gati 130 vjet nga nisja e udhëtimeve të para eksploruese të kompanisë.


Sapo hyn brenda kabinës, ndryshon krejt atmosfera: krevate marinari në stil viktorian, një oxhak dekorativ dhe madje edhe një “bar i fshehur” brenda një fuçie druri të rikrijuar. Në vend të teknologjisë moderne apo luksit bashkëkohor, hapësira është e mbushur me objekte detare të periudhës, si llamba, dekorime druri dhe elemente që evokojnë udhëtimet e shekullit XIX.
Sipas CEO-s së kompanisë, Gebhard Rainer, qëllimi është të rikthehet përvoja e hershme e eksplorimit detar:
“Kabina 1896 është krijuar për të nderuar origjinën tonë. Ajo që kanë realizuar ekipet tona e tejkalon çdo pritshmëri. Shpresojmë që mysafirët të ndjejnë si ishte jeta në det 130 vjet më parë.”
Kabina është ndërtuar me rreth 140 elemente druri, disa prej të cilave janë marrë nga një kabinë e vjetër në Gjermani për të ruajtur autenticitetin. Brenda saj gjenden dy shtretër, një shtrat i vetëm, dollapë druri, tavolinë pune dhe madje edhe një ulëse tualeti në stil të vjetër.



Sipas kompanisë, ideja nuk është vetëm akomodim, por një “udhëtim historik”:
“Imagjinoni dritën e llambave me vaj që dridhet mbi muret prej druri, ngrohtësinë e sobës dhe aromën e drurit të përzier me ajrin e kripur të detit. Rreth jush marrin jetë historitë e guximit dhe zbulimeve të epokës së eksplorimeve.”
Përvoja kushton rreth 87 paund për person për natë, mbi çmimin e zakonshëm të kroçerës. Të gjithë pasagjerët mund ta vizitojnë kabinën edhe gjatë ditës, ndërsa organizohen edhe prezantime nga historianë.
Gjysma e fitimeve shkon për fondacionin e kompanisë, që mbështet nisma kundër ndotjes plastike dhe mbrojtjen e faunës së rrezikuar.
HX Foundation lidhet me misionin e përgjithshëm të kompanisë për udhëtime në zona të largëta si Arktiku, Antarktiku dhe Ishujt Galapagos.
Sipas kompanisë, kabina “1896” rikrijon jetën e eksploruesve të fundit të shekullit XIX, përpara epokës së navigimit satelitor dhe anijeve moderne të stabilizuara. /GazetaExpress/