Barcelona ka bërë lëvizjen konkrete për transferimin e sulmuesit të Newcastle United, Anthony Gordon, ndërsa raportimet nga Anglia dhe Spanja flasin për një marrëveshje që po shkon drejt finalizimit.
Sipas mediave britanike, klubi katalanas ka paraqitur një ofertë zyrtare prej 80 milionë eurosh, përfshirë bonuset, për të siguruar shërbimet e reprezentuesit anglez. Sipas Fabrizio Romanos, Newcastle dhe pronarët sauditë kanë dhënë dritën jeshile për negociatat finale.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e konsideron Gordon si një prioritet për repartin ofensiv, ndërsa drejtori sportiv Deco është gjithashtu një admirues i madh i 25-vjeçarit.

Barcelona po e preferon ndaj Rashford
Fillimisht, Barcelona po shqyrtonte mundësinë për ta mbajtur Marcus Rashford pas huazimit të tij pozitiv në Spanjë, por tani fokusi është zhvendosur tek Gordon.
Klubi beson se anglezi i Newcastle përfaqëson një investim më të qëndrueshëm financiarisht, falë pagës më të ulët dhe mundësisë për një kontratë afatgjatë që do të shpërndante koston e transferimit ndër vite.
Bayern, Chelsea dhe Arsenal gjithashtu në garë
Për Gordon kishte interes edhe nga Bayern Munich, Chelsea dhe Arsenal, por Barcelona duket se ka marrë avantazhin me ofertën konkrete.

Bayern raportohet se hezitonte të paguante shumën e kërkuar nga Newcastle, gjë që i ka hapur rrugën klubit katalanas të avancojë në negociata.
Sezon i shkëlqyer me Newcastle
Anthony Gordon zhvilloi një sezon shumë të mirë me Newcastle, duke shënuar 17 gola në 46 ndeshje në të gjitha garat. Në Ligën e Kampionëve ai spikati veçanërisht me 10 gola në 12 paraqitje.
Që prej transferimit nga Everton në vitin 2023, ai është shndërruar në një nga lojtarët më të rrezikshëm ofensivë në Premier League dhe tashmë është pjesë e rëndësishme e kombëtares angleze. /GazetaExpress/