Miliona përdorues të iPhone mund të jenë duke humbur pa e ditur shumë hapësirë në telefonat e tyre për shkak të skedarëve të fshehur, fotografive të ruajtura automatikisht dhe të dhënave të përkohshme që grumbullohen nga aplikacionet.
Eksperti i teknologjisë Pradeep Pandey ka treguar se arriti të lironte 47GB hapësirë në vetëm 10 minuta, pasi ndryshoi tri cilësime që shumë përdorues zakonisht i anashkalojnë.
Sipas tij, aplikacione si WhatsApp, Instagram, TikTok dhe Telegram mund të ruajnë në sfond video, fotografi dhe të dhëna të përkohshme, duke zënë gradualisht shumë hapësirë në pajisje.
Hapi i parë është ndalimi i shkarkimit automatik të fotografive dhe videove. Në WhatsApp, përdoruesit duhet të hapin aplikacionin, të shkojnë te “Settings”, pastaj “Chats” dhe të çaktivizojnë opsionin “Save to Camera Roll”. Në Telegram, duhet hapur “Settings”, pastaj “Data and Storage” dhe të çaktivizohet “Save to Gallery”.

Ky ndryshim parandalon ruajtjen automatike të çdo fotografie, videoje apo materiali tjetër që dërgohet në biseda, sidomos në grupet aktive, të cilat shpesh bëhen burim i madh i konsumimit të hapësirës.
Hapi i dytë është pastrimi i të dhënave të përkohshme të aplikacioneve. Aplikacionet sociale dhe ato të mesazheve ruajnë skedarë të përkohshëm për të ngarkuar më shpejt postimet, videot dhe bisedat. Me kalimin e kohës, këto skedarë mund të zënë hapësirë të konsiderueshme.
Për të parë cilat aplikacione po përdorin më shumë hapësirë, përdoruesit duhet të hapin “Settings”, më pas “General” dhe “iPhone Storage”. Aty shfaqet lista e aplikacioneve sipas hapësirës që zënë. Nëse një aplikacion duket shumë i madh, sidomos TikTok, Instagram, WhatsApp apo Telegram, mund të fshihet dhe të instalohet përsëri nga App Store për të pastruar cache-in e fshehur.
Hapi i tretë është pastrimi i dosjes “Recently Deleted” në aplikacionin Photos. Shumë përdorues mendojnë se fotografitë dhe videot zhduken menjëherë pasi i fshijnë, por Apple i mban ato deri në 30 ditë para se t’i largojë përfundimisht.
Për ta pastruar këtë dosje, duhet hapur Photos, më pas Albums dhe të zgjidhet “Recently Deleted”. Pas zhbllokimit me Face ID ose kod, përdoruesi mund të zgjedhë “Select” dhe më pas “Delete All” për t’i fshirë përgjithmonë.
Një tjetër vend ku mund të fshihet shumë hapësirë është iMessage. Fotografitë, GIF-at dhe videot e dërguara përmes Messages mund të ruhen në telefon për vite të tëra. Për t’i kontrolluar, duhet shkuar te “Settings”, “General”, “iPhone Storage”, pastaj “Messages” dhe “Review Large Attachments”, ku skedarët e mëdhenj mund të fshihen më lehtë.
Këto hapa të thjeshtë mund të ndihmojnë përdoruesit të lirojnë hapësirë të konsiderueshme pa pasur nevojë të blejnë menjëherë më shumë hapësirë në iCloud apo të ndërrojnë pajisje. /GazetaExpress/