“Toka e shpirtrave të trazuar” nxiti shumë diskutime - Gazeta Express
string(50) "toka-e-shpirtrave-te-trazuar-nxiti-shume-diskutime"

“Toka e shpirtrave të trazuar” nxiti shumë diskutime

Arte

Gazeta Express

26/01/2023 15:19

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis nga Prishtina, me shfaqjen “Toka e shpirtrave të trazuar” erdhi në Talian e Flakës për natën e tretë të festivalit, të mbështetur financiarisht nga Komuna e Gjilanit dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Kjo shfaqje vjen nga autorja Shqipe Malushi, me dramaturgji të Shpëtim Selmanit, regji të Zana Hoxhës, koreografi nga Robert Nuha e me kërcimtaret Altina Binakun, Qendrim Makollin, Erëza Grajqevcin e Patriot Osmanin, me solistët e solistet Donika Rushitin, Shaban Behramajn, Urta Hazirajn dhe Etrit Nurën; me kostumografi të Arbnor Brahimit, videoprojeksionet skenike nga Florian Canga, asistente dhe organizatore Elira Llukën, skenografi të Arben Shalës, tonistin Arben Aliun, ndriçimin nga Sherif Sahiti dhe Mursel Bekteshi, me mjeshtër skene Aziz Malokun e Rrahman Mehmetin, grimin nga Myrvete Tahirin e Flora Hasanin. Aktorët e aktoret pjesëmarrëse në shfaqje ishin: Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Kaltrinë Zeneli dhe Edlir Gashi.

Lexo Edhe:

Sipas sinopsisit të shfaqjes, “Toka e shpirtrave të trazuar” është një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet tona kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj, e në veçanti, ndikimin në traumat tona ndër gjenerata. E shtrirë në një format unik eksperimental, performanca e regjisores Zana Hoxha krijon një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës, dramaturgji të Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe të këndimit, si dhe video-projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive. Ky projekt nga Trupa Artistike e Artpolis-it së bashku me artistë të rinj të muzikës dhe vallëzimit, vjen përmes fragmenteve të ndryshme poetike apo teksteve të mbushura me dhimbje, kushtrim, shpresë e forcë dhe si imazhe të aftësisë sonë kolektive për t’u përballur me ashpërsitë e jetës ose rehabilituar shpejt pas vështirësive. “Toka e shpirtrave të trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë. Por, a është e mjaftueshme të jesh i lirë? A ka diçka përtej saj? “Toka e shpirtrave të trazuar” është një album fotografish që assesi nuk duhet ta mbulojë pluhuri, apo të harrohet në ndonjë sirtar.

Pas shfaqjes “Toka e shpirtrave të trazuar”, u zhvillua edhe debati me dy panelistët e rregullt, Josif Papagjonin – autor i dhjetëra librave për teatër e dramë, si dhe Trina Hotin, sociologe. Në debat u përfshi edhe përfaqësuesja e shfaqjes, regjisorja Zana Hoxha, gazetarët e publiku i gjerë.

“Kurgjo në shfaqje nuk është e vizatuar. As nuk është e shkruar diku Kosovë, as Gjakovë dhe është menduar edhe për publikun jashtë vendit. Sot, enkas është përkthyer krejtësisht në gjuhën shqipe për festivalin e Gjilanit. E kemi realizuar për 21 ditë. Ka qenë shumë sfiduese edhe për aktorët, sepse është teatër i poezisë, e këtu sfidë mbetet çka po themi, a do të arrihet mesazhi te publiku, teksti nuk komunikon si tekstet e tjera, por e ruan një komunikim intim, personal” – u shpreh regjisorja Hoxha.

Ndërsa panelistja Hoti, duke u nisur nga mosha e saj e re kalendarike dhe si gjeneratë e pasluftës në Kosovë, u shpreh: “Jam fëmijë i lindur në vitin 2000. Është edukim për mua me pa shfaqjen. Shfaqja ngërthen më vete idenë e vendeve të kujtesës, paraqiten vende të caktuara të kujtesës, e të cilat transformohen në vende të ndryshme gjeografike. Në fillim ndahet kujtesa individuale, intime, personale, ku aktorët e aktoret më pas në lojën e tyre në grup e kor, bëhen bashkë, ndajnë kujtimet me njëri-tjetrin dhe nga memoriet individuale kalohet në memorie kolektive. Shumë kujtime janë spostuar në raftet individuale. Mendoj që në krijimin e memories, duhet të kemi edhe dallime në mes të fakteve dhe memorializimit. Shfaqja jep mesazhin për t‘i ndarë kujtimet individuale dhe si shtet, kemi problem institucionalizimin e memories. Dora e shtetit është vetëm formalisht. Në agjendë, nuk i jepet shumë rast familjarëve për të ndarë kujtimet e tyre të luftës, por vetëm politikanëve. Shfaqja e institucionalizon memorien, e bën më gjithëpërfshirëse, dhe mos të jetë vetëm ky aspekti i armës, ushtrisë, e fuqisë, por edhe memories së të gjithëve, duke bërë thirrje që edhe gratë e secili person ta ndajë përvojën e kujtimet e veta personale dhe intime.”

Josif Papagjoni – panelisti tjetër nga aspekti dramaturgjik, ndau disa nga këto përshtypje, komente dhe analiza mbi shfaqjen: “Nga përvoja në teatër, rrallë kemi parë ndonjë shfaqje jashtë atij klasik. Në fakt, në vitet e ’90-ta kemi eksperimentuar pak. Kjo shfaqje në pikëpamje të dialogut dhe fjalës, nuk është fare dramë, si gjini. Është trup poetik, teatër poetik, e që është eksperimentuar edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, si Fadil Hysaj. Poeten nuk e njoh mirë. Kisha dashur t’i lexoja 5 a 10 poezi të inskenuara aty për aty për ta parë më qartë mesazhin. Regjia është fjala e fundit e kësaj shfaqjeje. Më la shumë mbresa. Pashë në nivelet më të epërme, llojin e teatrit poetik. Pamë gërshetim të mirë të tekstit poetik, muzikës, koreografisë. Modeli dhe episodi i dashurisë si dallgë, diçka fantastike, tupani, tamburet, klithmat, mitet që na bërtasin e na thonë ti je ky, ruaje këtë identitet që ke… Është metaforë teatrore e ngritur në koreografi, muzikë, imazh dhe tekst poetik, të gjitha të harmonizuara shumë bukur. Ky lloj arti krijon magji. Nuk është këtu teatri i fjalës. Shumë gjëra kuptojmë nëpërmes lëvizjes, pikturës, vallëzimit… Atdheu është te shtëpia ime. Këtu jemi në art. Nuk jemi në publicistikë, jubilarë, histori. Teksti është poetik. Ka dashurinë për shtëpinë, atdheun, fëmijërinë… Ka edhe vërejtje: ndonjë rrëmujë që krijohej e nuk dëgjohej mirë deri te spektatorët, pastaj mendova mos po mbyllet shfaqja me shtëpinë, e ajo vazhdoi më tej dhe për vete, e kisha mbyllur me shtëpinë…”

Publiku ndau shumë komente pozitive, por edhe kritika. Një nga kritikat ishte që para fillimit të shfaqjes, ndonëse shumë shkurtër, “politikanët në festivale të tilla teatore, nuk do të duhej të kishin nevojën për të treguar prezencën e tyre në sallë, teatër, shfaqje e festival.” Gjithashtu, u kritikuan edhe fotografët që fotografojnë shfaqjen teatrore, si pengëse për publikun dhe sugjerimin që të fotografonin nga larg, me më pak shkrepje dhe me më pak bezdisje për publikun. Një kritikë tjetër ishte se si para përfundimit të shfaqjes, u paraqit vetëm imazhi i ndërhyrjes së NATO-s, ngazëllimit të popullatës shqiptare dhe falënderimit për ardhjen e trupave shumëkombëshe ushtarake në Kosovë, e jo paraqitjes edhe të imazhit kur popullata shkon edhe i përqafon ushtarët e UÇK-së pas çlirimit e lirisë. Pra, kishte kritika pse nuk ishte paraqitur vizuelisht, edhe rezistenca e armatosur e UÇK-së, e jo të paraqitej vetëm prezenca e NATO-s. Ndërsa spektatori ngulmonte në atë se me tekstin e shfaqjes ishte i pakënaqur, por jo me shfaqjen e aktorët. Me lojën dhe aktorët, shprehu ndjenjat e gëzimit dhe deklaroi se, figurativisht, anashkalimi i imazhit të UÇK-së, e lëndon historinë kombëtare nëse nuk është prezenca e saj si imazh për publikun jashtë vendit, ndonëse nga regjisorja e shfaqjes, u tha se, daullexhiu ishte përfaqësim i një komandati të UÇK-së, pra ajo vetëm nuk ishte e pranishme si imazh, por jo edhe e mishëruar në personazh. Gjithashtu, një spektatore që tregoi përvojat e saj si bija e një veprimtari të çështjes kombëtare, kritikoi shfaqjen në pikën ku sipas saj, shfaqja i paraqiste shqiptarët vetëm si viktima, e jo edhe si popull që ka rezistuar shumë, e veçmas para publikut të huaj jashtë Kosovës. Kishte edhe kritika se në vend se të kishte dialog, kishte më shumë deklamim. Ndërsa një spektator deklaroi se, ishte shumë i kënaqur me shfaqjen, me lojën e aktorëve, konceptin dramaturgjik e regjisorial dhe se shfaqja ishte unike. Të tjerë përmendën praninë e lojës dominante kundruall tekstit, hiperlojës karshi linjës së munguar dramaturgjike, ose lojës pa dramaticitet… Pas debatit, kishte edhe aheng për mysafirët nga Prishtina dhe publikun, si për çdo natë, në Pep’s Taverna.

Ndërsa sot në ditën e katërt të Talias së Flakës, do të jetë shfaqja në dy repriza (18:00&20:00), për shkak të karakterit të saj kamertal e të afërsisë në mes të aktorëve dhe publikut në skenë, për t’ia mundësuar sa ma shumë spektatorëve, për ta parë shfaqjen “Burrnesha” nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Teatrin ODA nga Prishtina./varg e vi