Dashunia dhe dhimbja midis vargjeve të Alfonsina Stornit - Gazeta Express
string(56) "dashunia-dhe-dhimbja-midis-vargjeve-te-alfonsina-stornit"

Dashunia dhe dhimbja midis vargjeve të Alfonsina Stornit

Arte

Gazeta Express

06/05/2022 17:38

(Rreth librit poetik “Poezitë e dashnisë” të Alfonsina Stornit, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2021)

Shkruan: Agnesë Shkodra

Lexo Edhe:

Alfonsina Storni është një nga poetet më të shquara latino-amerikane, e njohur kryesisht për poezitë e dashnisë. Duke refuzuar çdo lëvizje ideologjike, me veprën e saj, Storni bëhet e para anëtare grua në qarkun intelektual të Buenos Aires. Ndërsa, idetë e saj për barazi gjinore, përveç në poezi, i shfaqë edhe në prozë, dramë e ese.

Guximi për të shprehur ndjenjat dhe dëshirat e saj reflektohet në librin “Poezitë e dashnisë”, të cilën, ajo, nuk e konsideron vepër letrare. Kjo përmbledhje është e mbushur me poezi, të shkruara brenda pak ditësh, si rezultat i përvojës së një dashurie të humbur: sepse ti më lëndove para se me më dashunue. Pra, Storni dashuron dhe ndjen një afsh për me ba diçka të jashtëzakonshme. Prandaj, ngjarjet e jetës së saj, ajo i pasqyron në këtë autobiografi poetike. Në formë thaniesh të thjeshta, e përmes një gjuhe të thjeshtë lirike, Alfonsina dashuron, bën diçka madhështore, të re, të panjoftun; ajo i këndon dashurisë.

Ky vëllim, i strukturuar në katër pjesë (andërr, begati, grahmë, natë) tematizon ndjenjën e dashurisë, humbjes, vetmisë, e edhe mallit. Përmes vargjeve, lexuesi udhëton nëpër të gjitha ndjenjat e Stornit nga magjepsja në dashuri, nga ndarja në vuajtje, dhe nga dëshpërimi te malli. Duke hapur portat e botës së saj të brendshme, ajo përshkruan dorëzimin dhe humbjen e vetes: thithe tmerrshëm aromën e gjakut tim; por dhe mënyrën për të ecur përpara: ti më zgjove dhe, menjiherë, nisi stuhia. Pra, vargjet e saj, shpesh herë karakterizohen edhe nga diskursi feminist (gjinocentrist): mos më këqyr aq i friksuem, ti kështu ke dashtë.

Gjuha e drejtpërdrejt bën që receptuesi të nënkuptojë se frymëzimi i poezive të saj është ai, i dashuri anonim, që në raste të shumta krahasohet edhe me diçka hyjnore (landë shndritëse, drandofil hyjnor). Poetja e detit, me një zë unik, fytyrën e tij e vizaton në sytë tanë duke na dhuruar këngët, por emrin e tij – jo. E këngët e saj janë aq të thella e të ndjera dhe peshojnë aq shumë saqë çmendunia e saj shndërrohet në hyjnore dhe ngjitëse. Prandaj kujdes!

/Gazeta Express