INTERVISTË/ Enver Hasani: «Riislamizimi i popullsisë shumicë në Kosovë ka marrë përmasa tragjike» - Gazeta Express
string(93) "interviste-enver-hasani-riislamizimi-i-popullsise-shumice-ne-kosove-ka-marre-permasa-tragjike"

INTERVISTË/ Enver Hasani: «Riislamizimi i popullsisë shumicë në Kosovë ka marrë përmasa tragjike»

Arte

Dritan Dragusha

29/03/2024 16:09

Intervistë me juristin Enver Hasani, kryetari i parë i Gjyklatës Kushtetuese të Kosovës, i cili para pak ditësh ka botuar librin “Rruga për Damask”, në të cilën flet fillimisht mbi edukimin e tij dhe më pas rreth problemeve thelbësore kosovare mbi të cilat përpiqet të hedhë dritë libri i tij, si: rreziku që paraqet për Kosovën bashkësia e komunave serbe e dalë nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, për dallim nga Asociacioni i vitit 2013 dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015; si dhe për tashmë procesin e ridizajnimit të Republikës së Kosovës, i cili po çon, potencialisht, drejt afrimit të Kosovës me Serbinë dhe mbi të gjitha, më besueshmërisht, drejt radikalizimit fetar të shoqërisë kosovare

Intervistoi: Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Gazeta Express: Tani sapo keni publikuar librin “Rruga për Damask”. Të flasim pak për titullin, sepse siç e dimë këtë titull e mban një nga pikturat më të famshme të piktorit të madh Michelangelo Merisi da Caravaggio. Pse vendosët këtë titull?

Enver Hasani: Libri mban këtë titull bazuar në një shkrim timin, që u pat botuar në shtator të vitit 2013 në “Koha Ditore”, pas dështimit të administratës Obama për të goditur regjimin kriminal të presidentit sirian Bashar al Asad, pas helmimeve masive të civilëve. Kisha krahasuar presidentin Obama me misionin e Shën Palit, me shpresë se do t’i jepte fund terrorit ndaj civilëve të pafajshëm sirianë. Kjo, megjithatë, nuk ndodhi: Presidenti Obama u zmbraps dhe, për më tepër, ftoi presidentin Putin të Rusisë si partner në menaxhimin e tragjedisë që po shpalosej në Siri. Putin këtë e shfrytëzoi me mjeshtëri, fuqizoi presidentin sirian, klientin e tij, dhe mori mesazh të qartë se perëndimi ishte në defensivë në raport me të. Pastaj ndodhi aneksimi Krimesë dhe agresioni në Ukrainë. Asnjëra nuk do kishte ndodhur sikur presidenti Obama të kishte goditur fuqishëm regjimin në Damask më 2013. Pika kthesë për të keq në politikën e jashtme amerikane është pikërisht ky mosveprim i presidentit Obama.

GE: Në libër, përveç referencave që vijnë nga fusha e drejtësisë, fushë profesionale e Juaja, ka edhe shumë referenca nga filozofia, letërsia dhe historia. Sa kanë ndikuar ose sa kanë qenë të rëndësishme këto fusha në formimin e juaj edhe si jurist, por edhe si gjykatës?

E. Hasani: E vërteta është se formimi im i hershëm profesional ka qenë ai i juristit të përgjithshëm, në ndërkohë që kam studiuar të drejtën ndërkombëtare dhe, më pas, të drejtën civile, për të vazhduar studimet e rregullta të masterit dhe të doktoratës në shkencat e marrëdhënieve ndërkombëtare. Formalisht jam doktor i filozofisë, në ndërkohë që studimet e doktoratës kanë qenë multidisiplinore dhe kanë përfshirë të drejtën, historinë dhe filozofinë. Këto të fundit kryesisht kanë pasur për fokus marrëdhëniet ndërkombëtare. Çdoherë, si student dhe jo vetëm, kam pasur pasion historinë dhe letërsinë, dhe fushat që kam studiuar kanë qenë ngushtësisht të lidhura me këto dy dimensione të dijes njerëzore. Kjo ka bërë që edhe në shkrimet e mia të reflektohet ndikimi i historisë dhe letërsisë. Në formimin tim të hershëm, sistemi arsimor ka qenë i tillë që forcërisht ka imponuar leximin e veprave letrare, gjë që ka ndihmuar shumë edhe në orientimin tim intelektual.

«Përmes filozofisë politike mund të jepet përgjigja në pyetjet madhore që kanë shoqëruar njeriun nga antikiteti: Çka është lumturia dhe lulëzimi njerëzor? Çka është drejtësia? Çka është liria? Pasi të jenë zgjidhur këto pyetje teorike, vijnë dilemat mbi çështjet praktike: Si maksimizohet lumturia? Si arrihen më së miri liria dhe barazia njerëzore? Si mund të respektohen të drejtat e njeriut?»

GE: Cili është roli i Filozofisë në formësimin Tuaj?

E. Hasani: I jashtëzakonshëm, veçanërisht një degë e saj, dega kryesore – filozofia politike. Mendoj se një jurist i mirë nuk mund të jetë i tillë nëse nuk e ka të qartë filozofinë politike të njerëzimit, në veçanti të botës perëndimore e cila në pjesën më të madhe të kohës pas Krishtit ka dominuar njerëzimin. Si mund të jetë një jurist normal nëse nuk e ka të qartë filozofinë e Platonit e Arsitotelit, të Tomas Hobsit, Rusosë, Monteskies dhe të filozofëve të drejtësisë të shekullit njëzet si Hans Kelsen e Karl Shmit? Si mund të kuptojë juristi të drejtën romake, e cila përfaqëson abecenë e sistemit kontinental të së drejtës, pa kuptuar filozofinë e Ciceronit, Mark Aurelit, Tit Livit dhe filozofëve dhe historianëve të tjerë romak, filozofi mbi të cilën u ndërtua Roma republikane dhe perandorake? Si mund të jetë jurist normal një njeri që nuk e kupton rëndësinë e filozofisë antike dhe të asaj mesjetare në ndërtimin e Evropës moderne dhe shtetit të saj? Si mund të jetë jurist normal një person që nuk kupton se kur dhe pse ka lindur shteti modern dhe si është reprodukuar në përmasa globale? Thënë shkurt, tregimi mbi shoqërinë politike nuk mund të kuptohet nga një jurist që nuk posedon gjuhën e filozofisë politike. Kjo degë e filozofisë merret, siç dihet, me çështje praktike lidhur me organizimin e jetës shoqërore, fizionominë e qeverisjes, rolin dhe të drejtat e qytetarit, detyrat dhe kufizimet e shtetit. Vetëm përmes filozofisë politike mund të jepet përgjigja në pyetjet madhore që kanë shoqëruar njeriun nga antikiteti: Çka është lumturia dhe lulëzimi njerëzor? Çka është drejtësia? Çka është liria? Pasi të jenë zgjidhur këto pyetje teorike, vijnë dilemat mbi çështjet praktike: Si maksimizohet lumturia? Si arrihen më së miri liria dhe barazia njerëzore? Si mund të respektohen të drejtat e njeriut? Këto një jurist nuk mund t’i kuptoj asnjëherë duke interpretuar në mënyrë dogmatike të drejtën, e cila edhe vetë është një fenomen shoqëror, por vetëm përmes mësimit rrënjësor të filozofisë mbi të drejtën, të rolit dhe pozitës së saj në shoqërinë njerëzore.

GE: Çka është letërsia për Ju dhe sa ka pas ndikim tek Ju?

E. Hasani: Siç ju thashë, letërsia ka qenë faktor mjaft me ndikim që në rininë e hershme dhe kjo i dedikohet modelit të arsimit në Kosovë në atë kohë. Për pushimet verore, çdoherë ka ekzistuar një detyrim për lexim të së paku 5 romaneve apo novelave: përzgjedhja e tyre ka qenë shumë e kujdesshme dhe me pak ndikim ideologjik; mund të them që ka qenë kryesisht përgjedhje e orientuar kah letërsia klasike, gjë që ka ndikuar dukshëm në formimin e gjereratës sime në raport me letërsinë. Letërsinë greke, ta zëmë, e kam pasur të njohur që në shkollë të mesme. Një rol të rëndësishëm në këtë mes kanë luajtur edhe radio dhe televizioni, të cilët në kohën e rinisë sime kanë pasur karakter të theksuar edukativ: ka pasur emisione të rregullta mbi letërsinë dhe historinë, që kanë pasuruar e përplotësuar atë që kemi mësuar në shkollë.

Studimet e drejtësisë i kam nisur më 1980. Pas vitit 1981 dhe politizimit të skajshëm të jetës, ngritjes së vetëdijes nacionale të shqiptarëve nën ish Jugosllavi, një lloj i veçantë i letërsisë u fut në jetën time – letërsia politike. Romanet historike të Sylejman Krasniqit, libri “Gjarpinjtë e gjakut” i Adem Demaçit, “Kritikë letrare” e Ibrahim Rugovës dhe Sabri Hamitit, drama “Futa” e këtij të fundit dhe kështu me radhë, kanë dominuar menynë e leximit në vitet e mia formative si jurist. Leximi i letërsisë ka kultivuar të unë mendimin kritik në një mënyrë të veçantë.

GE: Sa është e rëndësishme historia, jo vetëm për një vend dhe shoqëri, por edhe për një jurist?

E. Hasani: Kosova i takon universitet greko – romak të së drejtës, pra ne mësojmë filozofinë e krijimit, zhvillimit dhe zhdukjes së civilizimeve greke dhe romake, që janë themeli i kulturës juridike të sistemit të drejtës në Kosovë dhe në botën perëndimore në përgjithësi. Mosnjohja e historisë së këtij civilizimi është një handikap i madh dhe këtë e vëren njeriu në paraqitjet publike dhe në shkrimet e juristëve të Kosovës, që botohen në vend dhe në botën e jashtme. Ato paraqitje dhe shkrime dominohen nga interpretime shterpe, dogmatike të strukturave normative, që në të shumtën e rasteve përfundojnë në tautologji, pikërisht për shkak se iu mungon njohuria themelore mbi historinë dhe filozofinë e civilizimit perëndimor.

«Ajo çfarë duhet të bëjnë politikanët është të nxjerrin ligje të mira që ndalojnë politizimin e gjyqësorit, ta zëmë, duke ndaluar kandidimin për gjyqtarë të njerëzve që vijnë nga politika, të kërkojnë kritere të rrepta profesionale, siç janë përvoja akademike dhe praktike e gjyqtarëve, të sigurojnë procese transparente të përzgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues sipas modeleve të vendeve perëndimore dhe kështu me radhë. Në të kaluarën, për fat të keq, ka pasur raste kur politika ka futur në sistem juristë me përgatitje mizërie profesionale, servilë të politikës, që kanë shërbyer më parë në politikë në mënyrë të verbër»

GE: Tani t’i kthehemi temës qendrore që prek ky libër –  gjyqësorin apo më konkretisht Gjykatën Kushtetuese. Cili është raporti i politikës ose i politikanëve me Gjykatën Kushtetuese? Sepse, siç edhe e dimë tanimë, politika dhe politikani kosovar ende nuk është i mishëruar me botëkuptimet konstitucionaliste?

E. Hasani: Kur nisi punën Gjykata Kushtetuese, në qershor të vitit 2009, pata nderin të jem kryetar i parë i saj. Ishte një përvojë krejtësisht e re. Vendimet e para të saj u komentuan nga juristë që ishin brumosur me edukatë juridike komuniste nga gjyqësia kushtetuese e ish-Jugosllavisë, e cila kishte qenë një gjë krejtësisht e ndryshme. Vlerat që ka mbrojtur ajo gjyqësi kanë qenë vlera të sistemit komunist jugosllav, ku individi nuk kishte asnjë rol dhe asnjë mbrojtje kushtetuese. Kritikat e juristëve ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ishin një atavizëm, sepse bazoheshin në njohuritë mbi gjyqësinë kushtetuese jugosllave. Publikut duhet t’i kujtohen kritikat krejtësisht banale mbi atë sesi qenka e mundur që Gjykatë Kushtetuese e Kosovës të nxjerrë aktgjykime, ato i nxjerrin vetëm gjykatat e rregullta thoshin këta juristë (sic!). Ata, pra, nuk kuptonin dimensionin themelor të gjyqësisë kushtetuese perëndimore, sipas së cilës modelohet Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kritikat e tilla banale kanë vazhduar tërë kohën sa kam qenë kryetar, për t’u ndërprerë pas largimit tim. Një kohë ka pasur një lloj qetësie kundrejt punës së Gjykatës Kushtetuese, sikur u krijua një pakt i heshtur në mes të politikës dhe Gjykatës Kushtetuese. Me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, kritikat ndaj gjyqësisë kushtetuese morën përmasa dramatike: kritikat u po bëheshin en general, duke shpallur tradhtarë e të korruptuar tërë trupën gjyqësore. Kjo ishte një  qasje barbare ndaj sistemit të drejtësisë, e paparë ndonjëherë më herët, dhe ka vazhduar për vite. Ironia e fatit eshtë se të njëjtët udhëheqës që kanë drejtuar këtë fushatë primtivive ndaj sistemit të drejtësisë, ditë më parë u detyruan, pa fije dinjiteti, të dërgojnë një letër formale në Këshillin e Evropës, me të cilën u zotuan se – bënë benë dhe rrufenë siç thotë populli – më nuk do të përdorin gjuhë të rrugës dhe nuk do të ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqësorit të rregullt.

Ajo çfarë duhet të bëjnë politikanët është të nxjerrin ligje të mira që ndalojnë politizimin e gjyqësorit, ta zëmë, duke ndaluar kandidimin për gjyqtarë të njerëzve që vijnë nga politika, të kërkojnë kritere të rrepta profesionale, siç janë përvoja akademike dhe praktike e gjyqtarëve, të sigurojnë procese transparente të përzgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues sipas modeleve të vendeve perëndimore dhe kështu me radhë. Në të kaluarën, për fat të keq, ka pasur raste kur politika ka futur në sistem juristë me përgatitje mizërie profesionale, servilë të politikës, që kanë shërbyer më parë në politikë në mënyrë të verbër.

«Bashkësia e komunave serbe, si ombrellë e autonomisë politiko-territoriale serbe, nuk ka asnjë lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që ka qenë i parashikuar më Marrëveshjen e vitit 2013 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit të vitit 2023 kanë bërë prerjen cezarike me zotimet e Kosovës të vitit 2013, të vërtetuara me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015»

GE: Libri juaj ndahet në gjashtë kapituj dhe kapitulli i fundit duket të jetë përveç më i rëndësishmi edhe kapitull që flet edhe për aktualitetin politik. Në këtë kapitull, Ju trajtoni aspektin material të kushtetutës, madje e keni titulluar: “Mbi Kushtetutën Materiale të Albin Kurtit”. Çka është Kushtetuta materiale?, e para dhe e dyta; pse e identifikoni këtë “Kushtetutë materiale” me Kryeministrin Albin Kurti?

E. Hasani : Shprehja kushtetutë materiale nuk është zbulim imi. Atë e ka përdorur për herë të parë juristi italian më origjinë arbëreshe, Kostantino Mortati. Sipas tij, e drejta nuk mund të ndahet nga e drejta. Në këtë zonën gri në mes të politikës dhe të drejtës, K. Mortati ka ndërtuar teorinë dhe praktikën mbi kushtetutën materiale, të cilën e pozicionon në dritëhijen e idesë dhe konceptit mbi kushtetutën materiale. Kjo dikotomi mundëson, në njërën anë, që të hulumtohet raporti në mes të teksteve formale juridike dhe kontekstit material në të cilin ato operojnë, duke zbuluar rëndësinë e qëllimeve politike dhe të forcave shoqërore që mbështesin  qëllimet e tilla. Në anën tjetër, kjo zhvendosje e fokusit nga tekstet formale juridike në drejtim të marrëdhënieve socio-politike që mbështesin tekstet në fjalë, krijon hapësirë për vënien në dukje të epërsisë së aspekteve institucionale dhe organizative kundrejt dimensioneve ekstra – juridike. Kushtetuta formale dhe strukturat normative, pa marrë parasysh formën në të cilën paraqiten, janë një përshkrim fotografik i një rendi ekzistues. Roli i tyre është kësisoj i kufizuar në detyra të thjeshta organizative dhe teknike. Ajo që i jep vlefshmëri dhe pushtet normativ një kushtetute, bërthama e vërtetë e kushtetutës, gjendet gjetiu, përkatësisht vetëm në realitetin e saj material në të cilin operon. Ai realitet material formon kushtetutën materiale dhe përbëhet nga dy elementë të dallueshëm. I pari quhet përmbajtja esenciale tipike e kushtetutës, të cilën Mortati e quan fine politico (qëllimi politik), kurse i dyti përbëhet nga elementet materiale normative, të cilat i japin formë përmbajtjes esenciale të kushtetutës. Këto të fundit konsistojnë në një konfiguracion të caktuar të pushtetit që reflektohet në fuqinë relative dhe organizimin e caktuar të grupeve shoqërore. Si i tillë, ky konfiguracion çdoherë është shprehje e marrëdhënieve të pushtetit, ku një ose më shumë grupe arrijnë të imponohen ndaj të tjerëve: grupi ose grupet përfundojnë në formësimin e fine politico dhe i japin substancë normative kushtetutës. Ekzistojnë forca që dominojnë dhe forca që ngelin jashtë pikturës apo forca që janë të dominuara. Këto të fundit ose mund të pranojnë pasivisht gjendjen e dominimit ose ta sfidojnë dhe kontestojnë të njëjtën në mënyrë aktive. Janë lëvizjet e ndezura nga konkurrenca në mes të forcave dominuese dhe forcave të dominuara ato që shpjegojnë ndryshimet në kuptimin, efikasitetin dhe vlerën normative të tekstit formal kushtetues, të krejt strukturave normative kushtetuese, pa marrë parasysh formën në të cilën paraqiten. Qëllimi politik i Kosovës është deklaruar më 17 shkurt 2008 dhe ka pasur të bëjë me krijimin e një shteti unitar, sovran dhe të pavarur, ku shteti nuk definohet në terma etnik por qytetar, dhe ku komunitetet janë të barabarta pa marrë parasysh numrin e tyre apo koncentrimin gjeografik. Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e vitit 2008 bazohen në këto premisa. Me marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023 janë përmbysur këto qëllime politike, sepse është prishur karakteri unitar i Shtetit të Kosovës, kurse komuniteti serb është ndarë nga komunitetet e tjera, duke fituar një autonomi të theksuar politiko-territoriale në sferën e përfaqësimit politik, në sferën kulturore, shpirtërore, ekonomike dhe në çdo sferë tjetër. Qëllimi politik i shpallur me Deklaratën e Pavarësisë është përmbysur veçanërisht me faktin se Serbia ka fituar të drejtën e paragjykimit të statusit të Kosovës, heqjen dorë nga njohja dhe shndërrimin e dialogut me Serbinë në një proces që nuk mbaron kurrë. Konfiguracioni i forcave, i ndërtuar më 17 shkurt 2008, është përmbysur ashtu që serbët tani e tutje fitojnë struktura institucionale përfaqësuese, ekzekutive dhe gjyqësore, të ndara nga pushteti qendror i bazuar në Kushtetutën e viti 2008. Bashkësia e komunave serbe, si ombrellë e autonomisë politiko-territoriale serbe, nuk ka asnjë lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që ka qenë i parashikuar më Marrëveshjen e vitit 2013 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit të vitit 2023 kanë bërë prerjen cezarike me zotimet e Kosovës të vitit 2013, të vërtetuara me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, sepse kanë krijuar një sistem të detajuar të autonomisë politike territoriale, me struktura institucionale dhe mekanizma për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve, të cilat nuk bazohen në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e viti 2008, por në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB.

«Ridizajnimet e fundit që i ka bërë Qevria Albin Kurtit me Marrëveshjen e Brukselit dhe Ankesin e Ohrit çojnë në drejtim të kësaj që po them, përkatësisht në drejtim të formimit në të ardhmen të një lidhjeje formale shtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për momentin vështirë të përcaktohen modalitetet e kësaj lidhjeje. E sigurt është se, megjithatë, Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit i kanë hapur dyert një projekti të tillë, më shumë se krejt marrëveshjet e lidhura më parë në mes të Kosovës dhe Serbisë»

GE: Për fund, në (ri) dizajnimet e vazhdueshme që po i bëhen Republikës së Kosovës, si e parashihni të ardhmen e saj, kur kemi parasysh edhe faktin se përveç shpërfaqjes së popullzimit gjithandej nëpër Evropë, fashizmit, nacionalizmit, shprehje mjaft shqetësuese vazhdon të jetë edhe fanatizmi fetar? Ku është Republika e Kosovës në këtë mes?

E. Hasani: Ridizajnimet që po i bëhen në vazhdimësi strukturave institucionale dhe kushtetuese të Kosovës janë shqetësuese, sepse nuk kanë të ndalur. Në një të ardhme nuk duhet habitur nëse vjen propozimi për një lidhje të lirshme dhe asimetrike me Shtetin e Serbisë. Ridizajnimet e fundit që i ka bërë Qevria Albin Kurtit me Marrëveshjen e Brukselit dhe Ankesin e Ohrit çojnë në drejtim të kësaj që po them, përkatësisht në drejtim të formimit në të ardhmen të një lidhjeje formale shtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për momentin vështirë të përcaktohen modalitetet e kësaj lidhjeje. E sigurt është se, megjithatë, Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit i kanë hapur dyert një projekti të tillë, më shumë se krejt marrëveshjet e lidhura më parë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet e mëparshme nuk kanë prekur qëllimet fondamentale politike të shpallura më 17 shkurt 2008, as nuk kanë ndryshuar konfiguracionin e forcave shoqërore në Kosovë. Ndryshimet ideologjike në Evropë, në esencë nuk ndikojnë në raportin në mes të Kosovës dhe Serbisë: janë ndryshimet në konfiguracionet gjeopolitike ato që diktojnë strategjinë e Evropës ndaj Kosovës dhe statusin të saj shtetëror. I vetmi ndryshim që afekton pozicionin e Evropës ndaj Kosovës është ndryshimi fetar: shndërrimi i Kosovës në një shtet mysliman, ndryshon rrënjësisht qasjen e Evropës dhe Perëndimit ndaj Shtetit të Kosovës. Në të vërtetë, unë fuqishëm besoj se ridizajnimet që po i bëhet projektit të Shtetit të Kosovës, duke e afruar me Serbinë çdo herë e më shumë, më shumë kanë të bëjnë me trendët shqetësues të ndryshimit radikal dhe masiv të stofit kulturor shqiptar. Ndryshimi që shohim sot ka marrë përmasa tragjike të riislamizimit të popullsisë shumicë. Kjo nuk ka të bëjë fare me ndryshimet gjeopolitike në Evropë dhe më gjerë. Nuk duhet harruar asnjëherë se mjaft vende në Evropë kanë pasur rezerva serioze për ndërhyrje të NATO-s në Kosovë më 1999, pikërisht nga frika se mund të krijohet një shtet mysliman. Këtë nuk e them unë, por Madeleine Albright në memoaret e saj. Unë këtë e besoj dhe ky është shqetësimi im më i madh, përkatësisht përhapja marramendëse e Islamit radikal ndër kosovarët, e Islamit selafist dhe ideologjive që e mbështesin atë. Islami tradicional i Kosovës, Islami Hanefi, përgjatë shekujve nuk ka prodhuar fundamentalizëm dhe nuk ka paraqitur ndonjë problem në raportet me Perëndimin. Kjo që po shohim tani është tjetër gjë dhe duhet të shqetësojë çdokënd në Kosovë dhe jo vetëm.