Ditari i javës / Yeva Skalietska: 24 shkurt 2022 - Gazeta Express
string(45) "ditari-i-javes-yeva-skalietska-24-shkurt-2022"

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 17:02

Ditari i javës / Yeva Skalietska: 24 shkurt 2022

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 17:02

Yeva Skalietska (2010) ka ikur nga vendi i lindjes (Kharkiv) bashkë me gjyshen. Historia e saj është regjistruar nga kanali televiziv Channel 4 News. Sot jeton në Dublin. Gjatë ditëve të para të luftës më Ukrainë, Skalietska ka mbajtur një ditar që është botuar në fund të vitit në Angli dhe pastaj është përkthyer në gjuhë të tjera.

Ukraina e shpall gjendjen e emergjencës në pritje të një pushtimi të mundshëm rus

Lexo Edhe:

The Irish Times

Shpërthime larg që dëgjohen në Kharkiv, qyteti i dytë ukrainas

The Washington Post

Ukrainë, presidenti Zelenski: “Rusia është në rrugën e së keqes”

CNN

Forcat tokësore ruse përshkojnë Ukrainën

Kyiv Post

Kombet e Bashkuara: “Bota jonë po përballet me një moment të vështirë

Independent

Dita e parë

Fillimi – Tmerri – Lufta – Frika në sytë e mi

Nata ka qenë krejt normale. Po bëja një gjumë të thellë. Pastaj, për ndonjë arsye, u zgjova papritur në orën pesë të mëngjesit. Vendosa të dilja nga dhoma e gjumit që të provoja të flija përsëri në dhomën e ndejës. U shtriva në divan, i mbylla sytë dhe pothuajse po më zinte gjumi përsëri.

5:10

Një kumbim i fortë metalik jehoi në rrugë, duke më zgjuar papritur. Në fillim mendova mos ishte ndonjë makinë që ishte përplasur dhe katandisur në kub metali,  po në këto anë s’ka hekurishte, prandaj hipoteza ime nuk kishte kuptim.

Në atë çast e kuptova se bëhej fjalë për një shpërthim.

Gjyshja ishte para dritares, me shikimin e kthyer ka kufiri rus. Ua kishte ngulur sytë raketahedhësve Grad që i mbikëqyrnin fushat. Papritur një raketë e stërmadhe e çau qiellin dhe shpërtheu me shumë fuqi sa zemra m’u ndal në vend.

Plasën alarmet e makinave. Gjyshja po mundohej ta mbante qetësinë. U avit dhe më tha: “A po do përnjëmend Putini të bëjë luftë me Ukrainën?”.

Isha e turbulluar. S’dija si të përgjigjesha. Gjyshja po thoshte vetëm  të vërtetën, por ishte e vështirë ta besoje. Jam rritur duke dëgjuar të flitej për luftën, por kurrë s’jam gjendur në mesin e saj. Isha e terrorizuar.

Nuk kishim kohë për të menduar. Askush s’na kishte shpjeguar çfarë duhej të bënim në rast lufte. Nuk ishim të përgatitur. As unë, as gjyshja, as fqinjët tonë. Dinim vetëm se duhej ta braktisnim apartamentin dhe të shkonim te strehimi nëntokësor më i afërt.

Më dridheshin duart, i cakëlloja dhëmbët. Ndihesha e shkërmoqur nga frika. Aty e kuptova se isha duke e pësuar sulmin e parë të panikut. Gjyshja mundohej të më qetësonte, më thoshte se duhej ta mbaja qetësinë. Ma vuri kryqin e artë në qafë. Ishte dhuratë e pagëzimit, por deri më atë ditë s’e kisha vënë kurrë. Mandej gjyshja e fshehu kutinë e stolive në orman. 

E kontrollova telefonin. Në chat-in e shkollës kishte nisur një diskutim mbi atë që po ndodhte.

Pasi u bëmë gati zbritëm në bodrum. Me të hyrë brenda, e pata prapë atë ndjenjën e panikut. Nuk mund të merrja frymë, i kisha duart e ftohta dhe të djersitura.

Lufta kishte filluar.

Shpërthime, zhurmë, zemra ime rrihte fortë: me gjithë atë frikë dhe potere nuk arrija të mendoja. I kisha sytë me lot; kisha frikë për njerëzit që i doja dhe për veten time.

Bodrumi i pallatit tonë nuk ishte ndërtuar si strehim antiajror. Kishte tube të ftohta dhe të nxehta ngado. Tonelata me pluhur. Tavani ishte shumë i ulët. Disa dritare të vogla në nivelin e rrugës. Ishim pak veta. Njerëzit po mundoheshin t’i siguronin, duke vendosur thasë me rërë, në mënyrë që askush, në rast shpërthimesh, të mos lëndohej nga xhamat e thyer.

Pas një copë kohe, pasi u kthye heshtja, e mblodha tërë guximin dhe e lashë bodrumin për të dalë jashtë. I lexova lajmet e fundit në telefon. Njerëzit po mblidheshin, duke u munduar t’i jepja një kuptim asaj që po ndodhte. Po pas pak… bomba të tjera; shpërthime të forta dhe të vazhdueshme. U kthyem vrap në bodrum, që tashmë ishte bërë streha jonë antiajrore. Një sulm i tretë paniku, lot, shpërthime të tjera, aq shumë sa që ishte e pamundshme t’i llogarisje.

6:22

Nadya

A e dëgjuat zhurmën?

6:23

Yeva

Po

6:23

Yeva

Kam frikë

6:23

Myron

O zot!

6:31

Misha

Jam e trembur përnjëmend

6:31

Tolya

Tash jam edhe

më e trembur. Ka

shpërthime afër shtëpisë sime

6:32

Tolya

Njëqind metra larg

6:32

Myron

I pashë tanket

6:32

Myron

Një shpërthim tjetër

6:33

Misha

Eh po

6:33

Myron

E çka dreqin do të bëjmë

tash?

6:34

Ruslan

Djem, mos u shqetësoni

6:34

Ruslan

Jini të qetë

6:34

Myron

Gjeni. E lehtë ta thuash!

6:34

Ruslan

Lutem të shkojë

gjithçka mirë

6:34

Misha

Eh po

6:46

Yeva

Tung, të gjithëve. Kam dalë

nga strehimi dhe ndihet

era e djegies

11:30

Fqinji ynë shkoi t’i nxirrte ca para nga bankomati, por s’pati fat; aty kishte luftëtarë ukrainas me mitraloz, pastaj rifilluan shpërthimet dhe njerëzit u kthyen në shtëpi me vrap. Fqinji ynë, i terrorizuar, bëri të njëjtën. Thonë se mbi çatitë e pallateve të lagjes sonë janë vendosur snajperistët ukrainas.

Menjëherë pasi që i dëgjova këto gjëra, i thirra të gjithë miqtë e mi për ta marr vesh si ishin. Disa prej tyre kishin përvoja shumë të forta për t’i rrëfyer.

Njëri prej shokëve të mi të shkollës e kishte dëgjuar të dridhej ndërtesa e tij. Një tjetër tha se i kishte shpërthyer një bombë njëqind metra larg shtëpisë. Disa të tjerë kanë rrëfyer se te ta po dridhen xhamat e dritareve.

Një shoqe tjetër e shkollës, Maryna, tregoi se i është dashur një shekull që të arrinte te strehimi i tij, sepse kishte trafik të tmerrshëm. Olha është ngujuar në shtëpi dhe thotë se s’do të shkojë askund.

E jemi vetëm në fillim të ferrit.

12:30

E binda gjyshen të shkonim t’i hidhnim një sy apartamentit tonë. U freskuam dhe drekuam. Mora ditarin sepse dua të vazhdoj të shkruaj për atë që shoh teksa ndodh. E mora edhe kompjuterin, letër dhe laps – në rast se më vjen të vizatoj – pak ushqim, jastëk dhe mbuloja. Pastaj u kthyem në bodrum.

15:30

Po thonë se pa gjysmë ore do të ketë aeroplanë, trupa dhe bomba.

16:00

Ende s’ka ndodhur asgjë. Shikohemi të gjithë me tmerr.

Ditët me diell s’më kanë goditur kurrë kaq shumë. Qielli i kthjellët kurrë s’ka pasur ndonjë gjë të veçantë. Po tash ka ndryshuar gjithçka. Më parë, kur dëgjoja të flitej për fëmijë në luftë, nuk e kuptoja sa e lemerishme ishte.

Pasi që i kaluam pesë orë nëntokë, i shoh gjërat në një mënyrë tjetër. E gjitha më është më e qartë, e ndiej frikën dhe dhimbjen. Bota nën sytë e mi ka ndryshuar; ka ngjyra të reja. Qielli është i kaltër, dielli shkëlqyes, ajri i freskët: e gjitha duket aq e bukur. Tash e di se duhet t’i shijojmë.

Çdo orë që kalon vijnë lajme të reja. Njëra nga to, që në fillim dukej e vërtetë, më ka bërë të mendoj se të shkruarit e këtij ditari është humbje kohe. Kishte zëra se Rusia kishte tërhequr forcat e saj nga Ukraina dhe se Kharkivi ia kishte dalë mbanë ta mbronte pavarësinë e vet. Doli të jetë krejt e pavërtetë: pas pak dëgjuam shpërthime të tjera dhe bombardime.

Në këtë moment e kam vetëm një pyetje në kokë: si do të jetë nata? Më kanë treguar se, në kohë lufte, momentet më të tutshme janë nata dhe mëngjesi, ngase s’mund ta dish kurrë çka të pret. E marr me mend se s’ka shumë gjë për të bërë: vetëm të presësh dhe të shohësh çka po ndodh.

16:55

Ka luftime. Të shtëna mitralozi apo raketa? E pamundshme ta kuptosh.

Kemi marrë fleta kartoni nga ca kuti të vjetra dhe i kemi përdorur, bashkë me mbulojat dhe jastëkët që i kemi marrë pak më herët në shtëpi, për ta mbaruar një lloj shtrati për të fjetur. Dikush e ka sjellë poshtë një tavolinë, disa karrige dhe disa lojëra për të na habitur ne fëmijëve.

Ka dy dalje që nxjerrin në rrugë, në anën e kundërt të pallatit, por të dal atje jashtë s’po ma mban. Bodrumi është si një tunel i gjatë që kalon përposh tërë ndërtesës. Burrat na treguan ku janë banjat. Të gjithë e kuptuam se do të qëndrojmë këtu edhe për një kohë.

Burrat po ia vënë një shul derës, kështu që natën mund të mbyllemi këtu brenda. Vendosa të shkoja të kontrolloja nëse kishin vënë ndonjë shul edhe në derën tjetër dhe e kuptova se jo, s’e kanë vënë.

Mandej, befas, mikja ime Nadya hyri me turr nga dera derisa dikush nga të rriturit ishte duke e mbyllur. Më përqafoi fort dhe unë ia ktheva, duke u munduar ta qetoja; dridhej. Kishte dëgjuar një shpërthim sa kishte qenë në rrugë.

18:40

Tash është terr. Dal jashtë të marr një trohëz ajër dhe gjithçka duket e qetë. Kthehem nëntokë.

Nadya dhe familja e saj kanë vendosur të ngjiten për pak në shtëpi, mirëpo, derisa po bëheshin gati të niseshin… bum!… një shpërthim tjetër. Ndërruan mendje.

Të gjithë të rriturit po thonë se më e keqja do të vijë tekrar.

Është vendosur ora policore nga ora dhjetë e mbrëmjes deri në orën gjashtë të mëngjesit. Na thonë po ashtu të mos e lëshojmë strehimin, ngase bombardimet mund të rifillojnë nga njëri moment në tjetrin. Paj…

Dyshoj se do të mund të fle sonte.

21:00

Koha kurrë s’ka kaluar kaq ngadalë. Bien bomba pa pra. Me sa duket Rusia e ka rrethuar Ukrainën. Duan dorëzimin e Kharkivit. Prapë bomba. Ndiej se do ta kem një tjetër sulm paniku. Ulem pranë gjyshes dhe ajo më përqafon. Jemi të trembura. Thonë se nesër do të ndalen uji dhe rryma, sepse s’është e mundur të vazhdohet me furnizim në kohë lufte, por ne nuk biem në dëshpërim. S’na mbetet veçse të lutemi.

Secili e ka mendjen te vetja. Ka që flenë (ose shtiren). Të tjerët flasim me miq dhe familjarë në telefon, duke vrarë mendjen se çfarë të bëjnë.

Dikush ia tregon grupit lajmet e fundit. Ka të moshuar që zvogëlohen në karriget e tyre dhe s’nxjerrin fjalë nga goja. Ne fëmijët ulemi përreth tavolinës, dikush vizaton, të tjerët luajnë me letra, ndërsa unë i bashkohem grupit për një lojë me domino. Disa të tjerë thjesht ngjiten për telefoni.

Gjyshja i thërret miqtë e saj për ta parë si po ia dalin. Pyet a mund t’i takojmë dhe apo a mundemi të bashkohemi me ta në një strehim më të sigurt, sepse këtu jemi afër përleshjeve dhe bombardimet mund të përkeqësohen.

Nuk ligështohem, megjithatë, sepse jemi një grup i hareshëm dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin.

Na vijnë fjalë se shtetet e tjera duan të vendosin sanksione, por e përjashtojnë dërgimin e armëve. Nga një pikëpamje, mbase është më mirë kështu.

/Marrë nga Yeva Skalietska: ‘Tu non sai cos’è la guerra: Diario di una ragazza ucraina’, De Agostini, 2023

/Përkthimi: Gazeta Express