Manifesta nji ‘rizomë’ brenda Prishtinës dhe kaosi i kosovares, II - Gazeta Express
string(63) "manifesta-nji-rizome-brenda-prishtines-dhe-kaosi-i-kosovares-ii"

Manifesta nji ‘rizomë’ brenda Prishtinës dhe kaosi i kosovares, II

Arte

Gazeta Express

15/08/2022 15:01

Ka një dobësi në këtë mes, vepra e artit e ashtu-njohur “Vëllazërim Bashkim” është prej guri, dhe në këtë është e mundshme të flitet për atë, të uzurpohet, e të shndërrohet për motive krejtësisht banale e tejet të rrezikshme, por dobësia duke u thelluar, guri, gjithnjë krijon jehonën e njeriut, qoftë edhe vetëm në zë dhe në këtë kjo ka mundësi të krijojë bumerangun e tërë asaj që është politizuar me një emër aq dramatik të Kosovës dhe shoqërisë së saj, për shkaqe krejtësisht të papranueshme

Nga: Ballsor Hoxha

Lexo Edhe:

II.

Është e ditur se lufta përpos ngjalljes së gjakimit për liri (por, fatkeqësisht pamundësi prë t’i ikur ideologjisë; lexo: pa u politizuar e parti-zuar), me ndjesinë e barotit duke u kallur, krijon varësinë, si për viktimën ashtu edhe për tjetrin, gjë që më tutje merr pafund, dhe pandalshëm versione të luftës dhe të vazhdimit të saj, aq sa ajo kthehet pas pesë viteve, së paku si paralajmërim, në fjalët e kryeministrit të Kosovës: do të ketë luftë; pikërisht derisa Bienalja e Manifestas, si bombë atomike e kulturore e artistike në mesin tonë, qoftë “edhe me ne” njerëzit e mbijetuar të kësaj lufte, (me qëllim ironia) ka shpërthyer. Kjo varësi ndaj luftës është si njëlloj flamuri që flatron pikërisht mbi vezullimën e shpatave të Skënderbeve të qyteteve jashtë Shqipërisë, e që është përsëritja dhe të ndalimi, ekzakt, i mundësisë së shfaqjes së ngadhënjimit. Është si njëlloj flamuri i luftës së vazhdueshme, të pakryer, të pambarim, të tonë, përmes konfliktimit të po të njëjtit monument. A nuk është kjo, sipas mjekësisë rruga drejtë impotencës?! Po të jemi naiv, duke harruar (shih më lartë rreth të qënit të harruar) dhe të pyetemi: çka nëse kisha ortodokse e Millosheviq, ndërtuar duke uzurpuar territorin e universitetit të Prishtinës me qëllim rrënimin e tij, është e njëjta gjë sikur edhe tendenca për të ndryshuar, rrënuar e qoftë edhe politizuar këtë vepër në fjalë “Vllazërim Bashkim”-i. Në këtë pyetje, sigurisht naive, mund dhe të kuptojmë se fshirja e të vërtetës, qoftë edhe ad hoc, e spontane, e edhe si agjenci e pavetëdijshme e ndonjë ideologjie të caktuar, është pikërisht hapja, paradoksalisht, e – the trace – të po të njëjtës të të vërtetë (Jacques Derrida; Freud). Apo, më tutje, duke vazhduar naivitetin, le ta krahasojmë një ide që ka ndodhur në Sarajevë (së paku) të të lënit edhe të plumbave të agresorit në vizuelen e qytetit, me – ankesën – për fshirjen e gjurmëve “të dhembshme” të historisë së përgjakjeve në Ballkan, e edhe në Kosovë, po ashtu edhe të “Vëllazërim Bashkim”-it. Apo, le të kthehemi dhe të krahasojmë, gjithnjë në këtë naivitet, (“megjithëse lufta po afrohet”), vezullimën e shpatës së ngritur të Skendërbeut në epiqendrën e Prishtinës. Ajo është pikërisht ndanë një restoranti turk tashmë të hapur dhe shumë të frekuentuar, dhe aq më shumë përballë një numri të madh të xhamive dhe aq më shumë më të rëndësishmeve në historinë e Prishtinës. Por, ç’ bën Skendërbeu me shpatën ngritur pikërisht në Prishtinë, derisa ai i takon Tiranës, pra derisa jemi në estetikë dhe filozofinë e saj, derisa së paku një Skënderbe i shqiptarëve të Kosovës do të mund të kishte dashur të dukej ndryshe, e ndoshta edhe të çirrej se më së shumti i dhemb kur ne që ishim viktima të njohura globalisht nga lufta, gjakojmë të nxisim vezullimën e shpatës së ngritur të Skënderbeut qoftë si ballafaqim i mbetjeve millosheviqiane, e qoftë si krenari mbi luftën. Ndoshta Skënderbeu kosovar do të ishte një monument i përkulur ndaj tragjedisë së luftës?! NJë cigare në gojë (si ne që e konsumojmë aq shumë) e ulë për të pushu nga çfarëdo që po na ndjekë tërë këtë kohë. Anash naivitetin, ne jemi duke ndërtuar, jo jo, jemi duke u ‘maruar’, si shoqëri e shtet, që nga paqja e arritur. Ne e kemi (- the trace -) dëshminë më të madhe për këtë prapë në qendër të Prishtinës – Newborn. Apo, për të qenë më të saktë, uzurpimi përmes kishës ortodokse të tërë asaj në të cilën mbrohej Kosova shqiptare gjatë tërë historisë së saj të pasluftës, Universitetit, (megjithëse sipas kolektivit serb kjo kishë është e ndërtuar sipas përkatësive kadastrale e territoriale legjitime, megjithëse sipas ligjeve Millosheviqiane etj), e ky uzurpim si fshirja e gjurmëve shqiptare, komplikoi dhe kompleksoi tërë atë që është në Prishtinë, e sidomos ndonjë gjë të bukur brenda saj; e deri tek kalimi i po të njëjtës kishë në gjurmë të rrënimit; dhe aq më shumë një (- trace -) shenjë – Newborn duke mbirë si rishfaqja e gjurmës, pas fshirjes, pas rrënimit, pas ekzodit dhe deportimit gjatë luftës, e që është saktësisht një vepër arti si Newborn (gjë që ishte njëlloj lindje edhe fizike!!). Ka një dobësi në këtë mes, vepra e artit e ashtu-njohur “Vëllazërim Bashkim” është prej guri, dhe në këtë është e mundshme të flitet për atë, të uzurpohet, e të shndërrohet për motive krejtësisht banale e tejet të rrezikshme, por dobësia duke u thelluar, guri, gjithnjë krijon jehonën e njeriut, qoftë edhe vetëm në zë dhe në këtë kjo ka mundësi të krijojë bumerangun e tërë asaj që është politizuar me një emër aq dramatik të Kosovës dhe shoqërisë së saj, për shkaqe krejtësisht të papranueshme. Dhe aq më shumë denigruese të pikërisht luftës së Adem Jasharit.

/Gazeta Express