Gjeopolitika, rajoni dhe perspektiva - Gazeta Express
string(35) "gjeopolitika-rajoni-dhe-perspektiva"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

05/03/2021 10:35

Gjeopolitika, rajoni dhe perspektiva

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

05/03/2021 10:35

Kalkulimet gjeopolitike për shtetet e mbetura jashtë NATO-s dhe BE-së pothuajse janë inekzistente dhe pranimi i këtij realiteti do të ndikonte shumë pozitivisht në përcaktimin e politikave themeltare strategjike

Nga: Besfort Rrecaj

Gjeopolitika paraqet një imazh të marrëdhënieve ndërkombëtare ku politika ndërtohet mbi bazën e pozicionit territorial të shtetit i cili mund të ketë një ndikim të rëndësishëm politik në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, gjeostrategjia paraqet zhvillimin e politikave afatgjate të bazuara në gjeopolitikë. Në kohët e fundit dhe përgjithësisht pas luftës së dytë botërore, gjeopolitika nuk paraqet një fushë aq të rëndësishme studimi. Zhvillimet teknologjike, mundësitë e reja të komunikimit ndërshtetëror të transportit të udhëtarëve dhe mallrave, ndryshimi i mënyrës së luftimit, sidomos shfrytëzimi i teknologjisë moderne e ngërthyer me arritjen në fushën e IT-së kanë ndikuar shumë në rënien e rëndësisë se gjeopolitikës. Për më tepër, gjeopolitika nuk mund të shikohet e izoluar në një konstelacion të caktuar shtetesh dhe territoresh pasi që ajo gjithmonë ka një ndërlidhje shumë më të gjerë, ndoshta globale ku duhet të kemi parasysh pozicionimin e aktorëve kryesorë ndërkombëtar.

P.sh. në pikëpamje gjeopolitike Ukraina posedon një pozicion të rëndësishëm strategjik karshi Rusisë për shkak se shumica e gypave të gazsjellësit rus për të furnizuar Evropën Perëndimore me gaz kalojnë përmes Ukrainës. Kjo, mund të jetë e vërtetë për aq sa ekziston ky rrjet aktual furnizimi si i tillë dhe pa konkurrencë, por kjo mund të ndryshojë në rast të diversifikimit të rrugëve furnizuese për të cilat Rusia është duke investuar para të mëdha siç është rasti me ndërtimin e gazsjellësit të ri të Rrjedhës Veriore. Me këtë hap, Rusia po përpiqet që të largojë këtë rëndësi gjeopolitike që përkthehet në fuqi politike të cilën e ka Ukraina. Duke zvogëluar këtë fuqi, Rusia mund të jetë më e lirë për një politikë edhe më agresive ndaj saj. Për këtë arsye, SHBA-të në mënyrë të theksuar e kundërshtojnë projektin e Rrjedhës Veriore duke vënë së fundi sanksione ndaj kompanive që janë të angazhuara në këtë projekt. Në këtë mënyrë, SHBA-të përpiqen që të mbajnë sadopak një balancë të forcave Rusi-Ukrainë në kuptimin që të frenojë sa më shumë që është e mundur një intervenim rus në shkallë më të gjerë. Një intervenim më i madh rus në rrethanat aktuale do të dëmtonte në masë të madhe vetë Rusinë për shkak se do të kishte ndikim në rrjedhjen e gazit dhe kështu vet Rusia do të privohej nga paratë e mëdha që i merr nga ky sektor i energjisë. Në anën tjetër pozicioni aktual i Ukrainës e mban Evropën të interesuar për marrëdhëniet Rusi-Ukrainë duke marrë parasysh që edhe ato do të vuanin nga mungesa e gazit sidomos gjatë stinës së dimrit. Rusia është një shtet i cili ka pak a shumë një ekonomi monolite e cila varet në masë shumë të madhe nga shitja e gazit dhe naftës ashtu që çfarëdo ndërhyrje në këtë sektor do të ndikonte mjaft shumë në gjithë ekonominë ruse duke përfshirë edhe sektorin ushtarak.

Në kalkulimet gjeopolitike më shumë vjen në pah aftësia e një shteti të caktuar për të bërë dëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në rastet kur një shtet është i aftë të bëjë një dëm të konsiderueshëm përtej kufijve të tyre dhe potencialisht me efekt më të gjerë atëherë vëmendja ndaj këtyre shteteve rritet dhe rrjedhimisht edhe qasja politike nga fuqitë e mëdha kundrejt tyre. Këto shtete fitojnë një rëndësi të caktuar dhe në këtë mënyrë kanë një përparësi negociuese dhe normalisht vëmendje më të madhe.

Në lidhje me gjeopolitikën dhe rëndësinë e saj është shkruar mjaft në fillim të shekullit të kaluar. Një nga shkencëtaret e gjeopolitikës, anglezi Sir Halford Mackinder, në vititn 1904 kishte thënë se ‘kush sundon Evropën Lindore komandon zonën qendrore, kush sundon zonën qendrore komandon ishullin botëror [Euro-Azinë], kush sundon ishullin botëror komandon botën’. Ndërsa sa për të sfiduar këtë argument, shkencëtari Nicholars J. Spykman i kishte dhënë më shumë rëndësi zonave periferike të Euro-Azisë sipas të cilit, kontrollimi i periferisë është qenësor në parandalimin e dominimit nga zona qendrore. Sipas Spykman ‘kush kontrollon periferinë sundon Euro-Azinë’ dhe ‘kush sundon Euroi-Azinë kontrollon fatin e botës’. Doktrina e Spykman ka patur rol shumë të rëndësishëm gjatë Luftës së Ftohtë pasi që SHBA-të përmes doktrinës së frenimit të udhëzuar nga stretegu politik George Kennan ishin tentuar që të kontrollojnë periferinë duke mbajtur BRSS-në për të mbajtur atë brenda kufijve të saj ose në fqinjësinë e afërt. Për këtë arsye janë zhvilluar shumë luftëra gjatë Luftës së Ftohtë përgjatë kësaj zone të periferisë Euro-Aziatike.

Nga këndvështrimi i realizmit strukturalist (neorealizmit) bota udhëhiqet nga një strukturë ndërkombëtare e përcaktuar nga balanca e fuqisë rreth të cilave rreshtohen shtete tjera më të dobëta. Sot mund të themi se jetojmë në një botë multipolare me SHBA-të të cilat ende janë duke e ruajtur primatin e tyre por e sfiduar nga fuqitë tjera si Kina, Rusia apo shtetet tjera që mund të fuqizohen në të ardhmen si India, Brazili, Indonezia etj. Në pikëpamje të politikës së jashtme BE nuk po arrin të vendos vetën si një aktor i rëndësishëm për shkak të mungesës së integrimit në këtë fushë. BE parqet edhe më tutje një gjigant ekonomik por një xhuxh në politik dhe roli i lidhjeve Euro-Atlantike është jetik në këtë aspekt e kjo më së mirë duket në rolin dhe  funksionimin e NATO-s.

Një botë multipolare jep më shumë mundësi të zhvillimit të gjeopolitikës duke qenë se kemi më shumë apetite reale për zgjerim influence dhe territori dhe rrjedhimisht hapet mundësia për kalkulim interesash nga elitat shtetërore politike. Një shtet, duke parë rëndësinë e tij nga aspekti gjeostrategjik, mund t’ia ofrojë partneritetin një fuqie apo një tjetre varësisht nga incentivat të cilat i merr. Kjo na përkujton politikat e Jugosllavisë e cila për shkak të pozicionit të saj duke qëndruar territorialisht ndërmjet dy blloqeve kryesore gjatë Luftës së Ftohtë mund të rrëshqiste lehtë drejt njërit bllok apo tjetrit. Por ajo vendoste që të përfitonte nga një lloj neutraliteti duke përfituar nga marrëdhëniet e kontrolluara në raport me të dy blloqet, por duket që ishte dhe interes i bllokut perëndimor apo lindor që të paktën Jugosllavia të mos rreshtohej tërësisht në anën e kundërt. Me përfundimin e Luftës së Ftohtë kjo rëndësi bie dhe me këtë erdhi edhe vet shkatërrimi i Jugosllavisë pasi që nuk kishte më interes që të mbahej një shtet i tillë me çdo kusht. Njëjtë mund të themi edhe për Shqipërinë në kohën e Luftës së Ftohtë e cila kishte vendosur që të ketë një aleatë si Kina e largët me ambicie të mëdha. Shqipëria i siguronte Kinës një derë të vogël të ndikimit në Evropë nga një shtet i vogël dhe i cili i qëndronte besnik ideologjisë ekstreme staliniste e llojit të vet. Në këtë marrëdhënie Shqipëria kishte përfituar ndihma të mëdha ushtarake por dhe në fushën e inxhinierisë si ndërtimi i hidrocentraleve apo edhe në fushat tjera zhvillimore të cilat megjithatë kanë lënë shumë për të dëshiruar.

Tani shtrohet pyetja nëse Ballkani Perëndimor sot ka një pozicion gjeografik i cili ka premisa premtuese të kalkulimit gjeopolitik. Këtu në mënyrë të ngushtë mund të flasim për shtetet të cilat kanë mbetur jashtë NATO-s, Kosova, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina (shtetet e mbetura) apo në kuptim pak më të gjerë që përfshinë edhe tri shtete të cilat kanë mbetur jashtë BE-së, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Sot, shtetet e mbetura janë të rrethuara nga vendet e NATO-s. Anëtarësimi i Malit të Zi e ka mbyllur edhe derën e fundit të qasjes ruse përmes detit të hapur përmes të cilës Rusia ka mundur të projektojë forcë fizike serioze në rajon. Pamundësia e projektimit të forcës fizike në mënyrë të drejtpërdrejte nënkupton një zvogëlim maksimal të ushtrimit të ndikimit politik. Në këtë këndvështrim, margjinat e zhvillimit të politikave nga shtetet e mbetura të bazuara në pozicionin gjeografik të territorit të tyre jenë pothuajse të barabartë me zero. Shtetet e këtij rajoni nuk kanë shumë mundësi zgjedhjeje të politikave të tyre për shkak se rreshtimi politik dhe mbështetja në partnerë jashtë NATO-s është pothuajse e pamundur. Secili shtet i mbetur i cili eventualisht do të kërkonte ndihmë ushtarake nga ndonjë shtet jashtë NATO-s do të kishte të vështirë që të marrë një ndihmë duke marrë parasysh se çfarëdo qarkullimi i natyrës ushtarake duhet të ketë lejen e kalimi përmes ndonjë shteti anëtar të NATO-s, sipas parimit të sovranitetit shtetëror. Pra, të gjitha projeksionet gjeopolitike janë nën kontrollin e NATO-s.

Në këtë situatë, NATO mund të lejojë cilindo shtetet e mbetura që të rritë forcën e vete ushtarake derisa nuk përbën ndonjë kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë rajonale. Këtu hyjnë edhe marrëveshjet e fundit të Serbisë me Rusinë për avancimin e flotës së aeroplanëve ushtarak MIG 29 apo edhe cilado marrëveshje tjetër dhe bashkëpunim me Rusinë. Kjo mund të jetë parë me shqetësim në rajon, por raportet Rusi-Serbi praktikisht mund të jenë më shumë në kufij të dëshirave se sa që mund të ketë zhvillime më konkrete dhe kjo jo nga mungesa e vullnetit të tyre por nga pamundësia që të kenë një marrëdhënie më serioze sidomos kur ajo do të mund të cenonte interesat e NATO-s. Po të konsideronte si kërcënim të sigurisë, NATO do të mund të ndalonte këtë tregti. Këtu mund të cekim edhe Qendrën Humanitare Serbi-Rusi për të cilën tash e shumë vite Rusia kërkon që t’i ofrohet imunitet diplomatik por të cilën Serbia edhe më tutje e refuzon dhe kjo gjithsesi është si rezultat i kundërshtimit nga NATO. Serbia ka bashkëpunim të caktuar ushtarak me Rusinë në shumë fusha megjithatë, mund të shohim, gjithashtu, se Serbia është angazhuar në shumë aktivitete të përbashkëta me NATO-n duke hyrë po ashtu në një program special të partneritetit për paqe me të. Proporcionalisht, Serbia zhvillon shumë më shumë aktivitetet me NATO-n se sa me Rusinë.

Si pjesë e rajonit më të gjerë, kalkulime gjeopolitike janë bërë në lidhje me Bullgarinë dhe Rumaninë të cilat, në një mënyrë, duket se kanë marrë pozicionin që dikur e kishte Jugosllavia pasi që gjenden në kufirin e skajshëm të Evropës liberal-demokratike. Këto dy shtete ishin pranuar si anëtare të NATO-së por edhe BE-së përkundër faktit që ndoshta edhe sot këto shtete nuk i plotësojnë të gjitha kriteret për anëtarësim veçanërisht në BE. Është interesant fakti që Bullgaria dhe Rumania edhe më tutje pranojnë një lloj të raportit të progresit për çdo vit i cili i ofrohet vetëm shteteve që nuk janë në BE por kanë një perspektivë evropiane.

Megjithatë, kjo nuk nënkupton se shtetet e mbetura nuk mund të zgjedhin fare partnerët dhe vlerat të cilat i mbrojnë, por çfarëdo zgjedhje jashtë vlerave Euro-Atlantike do të qonte në një drejtim të gabuar që nënkupton shtangim politik, ekonomik e shoqëror në përgjithësi për arsye praktike dhe strategjike. Këto shtete nuk mund të kenë një komunikim të lirshëm fizik të çfarëdo lloji pa kaluar përmes NATO-s dhe BE-së.

Në fund mund të themi se shtetet që kanë një pozitë të mirë territoriale që do t’i mundësonte kalkulime gjeopolitike kanë një lloj mallkimi të kësaj fuqie. Kjo për arsye se, për shkak të rëndësisë së këtyre shteteve, fuqitë e mëdha kanë një qasje më pragmatike e kalkuluar në terma të fuqisë dhe real politikës ndaj tyre. Interesi i kalkulimit të fuqisë i nxit fuqitë e mëdha në gjetjen e rrugës sa më të shpejtë të bashkëpunimit me ato shtete dhe futjen nën kontrollin e tyre. Kështu, shtetet shpesh kanë avancuar pozicionet e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare në dëm të vlerave të rëndësishme siç janë sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut etj. Vlen të përmendet edhe njëherë rasti  i Bullgarisë dhe Rumanisë të cilat u bënë anëtare të NATO-s dhe BE-së pikërisht për shkak të rëndësisë së tyre gjeostrategjike për botën euro-atlantike. Shpesh herë këto shtetet që kanë pozicion të rëndësishëm gjeopolitik kanë tendencë të prodhojnë liderë autokratë. Liderët shtetëror manipulojnë me popullatën e tyre duke projektuar një botë të egër në të cilën liderët e tyre punojnë në mbrojtjen dhe shpëtimin e tyre duke shpërqendruar vëmendjen e popullatës nga problemet reale të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve të tyre. Në këtë mënyrë ata mbajnë pushtetin e tyre duke shfrytëzuar politika populliste. Në anën tjetër, elitat politike të këtyre shteteve pikërisht duke parë këtë rëndësi manipulojnë me fuqitë botërore të cilave në njërën anë iu ofrohet bashkëpunim të bazuar në gjeopolitikë i cili duket më joshës se sa përqendrimi në vlera tjera thelbësore duke lejuar në mënyrë të heshtur apo edhe duke përkrahur ngritjen e regjimeve autokratike ose shteteve korruptive, siç mund të jetë rasti me shtetet nën ndikimi rus apo Kinez në kohët moderne. Kjo veçanërisht duket absurde për NATO-n dhe BE-në të cilat janë ngritur mbi themelet e demokracisë liberale, të drejtat e njeriut dhe sundimit të ligjit por bashkëpunojnë me shtete të cilat lënë shumë për të dëshiruar në këto vlera.

Në anën tjetër, mungesa dhe, më e rëndësishme, pranimi i mungesës së një leve gjeopolitike për shtetet e rajonit nënkupton që ne duhet të vetëdijesohemi në lidhje me veprimet tona strategjike dhe vlerat të cilat i ndërtojmë. Kjo në një mënyrë na krijon një hapësirë frymëmarrjeje që të përqendrohemi në zgjidhjen e problemeve reale me të cilat përballen qytetarët. Perspektiva jonë dhe e shteteve të rajoni është drejt integrimeve euro-atlantike si e vetmja zgjidhje e qëndrueshme.  Ne duhet të punojmë shumë në këtë drejtim pasi që nuk kemi një rrugë të shkurtër. Kjo shpjegon edhe atë se përse Kosova edhe më tutje nuk ka liberalizim të vizave. Mund të duket që ndoshta BE po aplikon standarde të dyfishta nga një këndvështrim, mirëpo nga aspekti gjeopolitik kemi zbatim të standardit të njëjtë dhe si çdoherë çështjet e sigurisë dhe politikat strategjike triumfojnë mbi politikat tjera të cilat mund të duken më të ulëta. Kosova nuk ka një pozicion të rëndësishëm gjeopolitik që do të mund të përshpejtonte proceset.

Në të njëjtën mënyrë reflektohen politikat e SHBA-ve e BE-së në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbinë apo ndryshimi i Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës e cila, e dalë nga marrëveshja e Daytonit e vitit 1995, e ka bërë këtë shtet jofunksional. BE dhe SHBA-të, nga këndvështrimi i tyre strategjik, nuk e kanë aq jetike që të imponojnë një zgjidhje të shpejtë përkundër faktit që edhe më tutje mbeten të përfshira deri në një masë në problemet e rajonit. SHBA-të dhe BE-ja e kanë ‘komfortin’ që t’ju japin kohën e mjaftueshme shteteve të mbetura për të gjetur një zgjidhje burimore. Këtë e konfirmoi edhe i dërguari i BE-së për rajonin z. Lajçak i cili pohoi se BE as nuk do të bëjë presion për vazhdimin e dialogut dhe as nuk do të ndikojë në ngadalësimin e tij. Kjo nënkupton që ne duhet të përpiqemi që të gjejmë zgjidhjet adekuate duke u përpjekur që t’i mbajmë aleatët tanë në tavolinë të bisedimeve. Përqafimi i vlerave Euro-Atlantike si ekonomia e lirë e tregut, sundimi i ligjit, demokracia e të drejtat e njeriut janë jetike për zhvillimin e shtetit tonë. Politikat populliste vetëm sa i irritojnë aleatët tanë të cilët shumë lehtë mund të tërhiqen nga agjendat e rëndësishëm pa ndonjë konsekuencë të dëmshme strategjike për ta. Dialogu dhe normalizim i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është shumë i rëndësishëm dhe çfarëdo status quo-je do të ndikonte negativisht në zhvillimin e politikave normale në Kosovë por edhe në Serbi. Një normalizimi i marrëdhënieve duke u bazuar në njohje reciproke do të lejonte Kosovën por edhe Serbinë për një zhvillim më normal politik, ekonomik e juridik.