Ekzemplari Konjufca - Gazeta Express
string(19) "ekzemplari-konjufca"

Ekzemplari Konjufca

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

19/12/2023 16:37

Konjufca edhe mund të jetë filozof hegelian, por tek çështjet gjinore e tradhton gjinia.

Nga Teutë Rrusta

Doli Glauku në televizor. Po flet për çështje gjinore. Për herë të parë, besoj. Prej fillimit deri në fund, asgjë nuk mungoi. Askënd nuk e acaroi. Të gjithë/a i pajtoi. I shpenguar prej realitetit, ai përshkruante proceset, problemet, me një lehtësi për lakmi.

Gluak Konjufca, politikan, filozof, e tash kryeparlamentar, në emisionin “Prijmë – Sa janë të “sigurta” gratë ne Kuvend” (https://www.youtube.com/watch?v=bedDOqEERsU) ku shprehet për çështje gjinore, me theks Kuvendin, në shikim të parë duket korrekte. Madje tejet korrekte. Teksa shpjegon gjerë e gjatë, shumica e konstatimeve nuk bien në radarin e tradicionales, e as të liberalës. Çudi. E kush nuk do të pajtohej që jeta e njeriut është e vlefshme, pavarësisht gjinisë. Të gjithë jemi për të drejtat e njeriut, apo jo? Dhe të grave, poashtu. Por për çfarë të drejta dhe liri bëhet fjalë nëse me ato pajtohet i madh e i vogël, në një kontekst shoqëror ku femicidi është në rritje. Sa pushtet kushtetojnë këto të drejta?

Vrasjet dhe dhuna janë të dënueshme. “Ndëshkimi” është mbiemri i qeverisë aktuale. Të gjithë e kanë kuptuar, e kanë mësuar, ose bëhen sikur. Nuk ka një gjë që thuhet aty e bie në konflikt me ndonjë hierarki pushteti. Dhe pikërisht kjo lindi dyshimin. Si mund të jesh aq i kujdesshëm saqë mos t’i prekësh interesat e atyre që supozohet se po i kritikon? Cili duhet të jetë vendi nga i cili flet e të mos zgjosh asnjë reagim, e as lavdatë, sa për ata.  

Çështja është se sa duhet t’i tkurrim ato që të jenë të pranueshme nga të gjithë? Dikush do të mund ta cilësonte pikërisht arritje këtë “kontratë”, si kusht i domosdoshëm i ecjes shoqërore. Dhe se arritjet sot janë në kuadër të një negocimi. Argument ky që sfidohet seriozisht nga historia. Por nuk është ky momenti ku dua të zgjatëm.

Ajo prej të cilës e shoh të shpërlarë intervistën e Konjufcës është trajtimi nga aspekti ekonomik. Kjo mungesë e mungon pastaj edhe shpjegimin për pavarësimin e gruas. Edukimi në familje, arsim dhe nga mediat, siç i radhiti Konjufca, janë totalisht jashtë mundësisë që t’i rezistojnë shtypjeve, seksizmit, mizogjinisë, eksploatimit dhe pabarazisë gjinore. A vjen mësimi prej shkollës apo prej luftës? Emancipimi shoqëror nuk mund të paramendohet pa kontradiktën shoqërore. Asnjëherë në vakum, në saje të ndonjë kurikule apo vegle metodologjike, pedagogjike. Këto janë të rëndësishme, por krejt të pamjaftueshme. Por këtu mungon logjika dialektike. Dhe ja ku vjen puna me ia kujtu kontradiktën këtij hegelianit, tash të veshur me pushtet.

Askush nuk ka lënë pozitën e privilegjit dhe apo ka nda tokën sepse është i edukuar mbi barazinë. Sundimtarët nuk janë të paedukuar, sot madje as rolin e gruas nuk e shohin në formën e natyralizuar sikur më parë. Çështja është se këtu ka përplasje interesash ku ata që nuk kanë bazën materiale të siguruar kanë shumë forca kundër. Në këtë pozitë janë edhe gratë deputete. Ndonëse ushtrojnë pozita të pushtetshme, çdo herë kanë edhe një lloj faji për ato. Zëri publik i gruas vjen me vështirësitë që historia ia ka ngarkuar e ia projekton. 

Të drejtat qe ne sot i gëzojmë mbesin të papërdorshme në plotëninë e tyre. Ta zëmë, të drejtat politike, gjithsesi të rëndësishme, ngelin të papushtetshme kryesisht nga struktura ekonomike e cila kushtëzon vendimet dhe veprimet tona. Pastaj ju hartoni kode të etikës e rregullore në Kuvend, vazhdoni me strategji njëvjeçare, tremujore, gjashtë.. ! Këtë e keni në mandatin tuaj. Por, zgjerimi e fuqizimi i të drejtave dhe transformimi i situatës ndodhet jashta mandative të përcaktuara. Andaj nga ju pritet që të folni pa kujdesin e shtuar për këto tema, pa moralizim rreth asaj se ku duhet te banojë edukimi e edukata. Shprehja me aq ngulm për edukimin e brezave, pa marrur në shqyrim dinamikat shoqërore, interesat e papajtueshme, e lë tregimin e Konjufcës veç tregim, pa pushtet. Për më keq, nga veprimet institucionale të paraljamëruar nga kryeparlamentari, disi në shpjegim nuk permendet që nëse një ndryshim sado i vogël po bëhet aty është vetëm dhe vetëm në saje të punës së deputetëve. Ato janë shtysa. Sepse kur dëgjon intervistën disi beteja brenda Kuvendit mbetet pa subjekte dhe i lihet merita rrjedhës së “natyrshme” të gjërave. 

Tutje, sa i përketë dhunës mbi baza gjinore, dënimi duket të jetë mënyra kryesore institucionale përmes të cilës Qeveria po trajton problemin. Dhe kryesisht përmes thirrjeve për dënime maksimale, të cilat nuk janë as të drejta, as efikase. Dënimet e këtij lloji janë rritur, por dhuna poashtu nuk është zvogluar. Nëse nuk merremi me shkaqet seriozisht e aktivisht, krimet vetëm sa do të marrim forma të reja adaptimi në kushtet e reja. Por asesi të ndalen. Mësimi pëmes dënimeve nuk është trajtim i fenomenit. Është menaxhim. 

Intervista zhgënjen tej mase sepse nuk cenon asnjë interes. Tamam në stilin e Konjufcës; mbi palët. Testi matës se cilët interesa ke prekur tregon përjetimi për çka thuhet në intervistë. Të gjithë pajtohen sepse askush nuk preket. Po e marr intervistën edhe si ekzemplar të analizës së pushtetit në raport me temën në fjalë. Konjufca është më i miri në rrafshim dallimesh.

Dhe krejt në fund bëri atë që mundet vetëm burri i pushtetshëm të bëjë. Në fund të intervistës, teksa përgjigjet për ndarjen e punës në familjen e tij, ai kthen kritikën në arsyetim, madje duke kritikuar arsyetohet. Shume mirë që din me hekuros. Pjesa tjetër mbetët për t’u mësuar. Konjufca edhe mund të jetë filozof hegelian, por tek çështjet gjinore e tradhton gjinia.

Ky është shqyrtimi im i papërkryer rreth një interviste të përkryer.