Kurti i dështimeve të mëdha - Gazeta Express
string(27) "kurti-i-deshtimeve-te-medha"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

30/12/2023 19:43

Kurti i dështimeve të mëdha

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

30/12/2023 19:43

Kjo është Kosova në duart e Kurtit edhe për një vit. Ky është edhe një vit i thellimit në krizë. Kjo krizë duhet ndalur nëse duam që Kosova të shpëtojë. Prandaj, Kurti duhet të shkojë! Sa më parë e sa më shpejtë

Shkruan Visar Azemi

Lexo Edhe:

Shkoi edhe një vit me Albin Kurtin në krye të shtetit. Me njeriun që aty u vendos pas shumë viteve premtime për reforma substanciale në çdo fushë. Në vitin që po vjen, ai mbush tre vite në pushtet. Kurse, shteti që ai zotohej që do ta ndryshonte rrënjësisht, jo që nuk është më mirë, por në shumë drejtime gjendja është stërkequr. 
Kosova në vitin që lëmë pas përjetoi goditjen më të madhe që nga përfundimi i luftës. Për fajin e atyre që ka në krye, asaj i’u përplasen sanksione nga Bashkimi Evropian e përkeqësim të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilat vendin tonë e gjen edhe viti i ardhshëm. Këto masa ndëshkuese që erdhën nga papërgjegjësia e pushtetarëve, i kushtuan gjithë vendit, i kushtuan gjithë qytetarëve. U dëmtuam politikisht e ekonomikisht. Krejt kjo për një arrogancë e kokëfortësi që nuk prodhoi asnjë rezultat të favorshëm për Kosovën. 
Ballafaqimi me aleatët ndërkombëtarë natyrshëm nuk solli më shumë sovranitet të shtetit. Ky i fundi nuk u shtri në gjithë vendin. Nga dymbëdhetë muajt e vitit, thuajse nëntë nga ta, e gjetën Veriun e Kosovës nën tensione. Mungesa e koordinimit vazhdon ta mirëmbajë një gjendje të brishtë në atë pjesë. Lulzim Hetemi që mbahej me fanatizëm në “Big Brother Leposaviqi”, liroi zyrën pas 6-7 muajve. Së shpejti pritet ta lë edhe detyrën dhe situata të kthehet aty ku ishte. Ndoshta edhe më keq sesa ishte. 
Derisa vendi u përballë me një sulm terrorist e prej të cilit Serbia po shpëton pa ndëshkime, liderët e vendit nxisin vazhdimisht panik se Kosova mund të ballafaqohet me sulme të reja. Paralajmërimet e tilla bëhen në një periudhë kur qytetarët po zhyten në varfëri. E, kur shumë nga ta, nga fillimi i vitit të ardhshëm, pas liberalizimit të vizave, mund ta lënë krejt vendin. 
Në kërkim të një jete më të mirë, ata mund të largohen nga Kosova, ku kjo qeveri brenda dy viteve ua shtrenjtoi dy herë rrymën. Mund ta braktisin këtë vend me pagat më të ulëta në Evropë, e me çmime të produkteve elementare të ngjashme me ato të vendeve më të zhivilluara evropiane. Derisa kuleta e tyre varfërohet dhe shumë qytetarë janë të papunë ose punojnë me kushte të vështira, janë familjarët e klanet e pushtetit që rehatohen në pozita shtetërore e pasurohen nga buxheti i shtetit. 
Dikujt që i është trefishuar fatura e rrymës, i shkon 1/3 e pagës për ta paguar atë, kurse Martin Berishaj e Nagip Krasniqi qarkullojnë miliona euro duke bërë biznes me mafinë energjertike. Dikush punon gjithë javën, mbase më shumë se 8 orë në ditë, për 300-400 euro në muaj, teksa shteti i jep pagë mujore 7.500 euro Gani Jakupit e i paguan meditje shtesë për sorollatje e dreka dhe darka luksoze nëpër vendet e Beneluksit. 
Në këso paga shkoi dëm buxheti i shtetit gjatë këtij viti, kurse Kurti dhe vartësit e tij s’arritën ta bëjnë siç duhet as një Ligj të Pagave. Mbi 100 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik e detyruan Avokatin e Popullit ta çojë atë në Kushtetuese, e cila e rrëzoi. E rrëzoi sikurse shumë ligje të tjera, që kjo Qeveri nuk di t’i shkruajë e hartojë pa e cenuar Kushtetutën. Ndërkohë që përfundon duke i akuzuar e linçuar organet e drejtësisë dhe opozitën pse po e ndalojnë ta shkelë aktin më të lartë juridik të shtetit. 
2023-ta do të mbahet mend si viti kur pikërisht për paga e kushte me të mira, për herë të parë protestuan njësitet më elitare të Policisë së Kosovës. Në dymbëdjetë muajt e tij, qeveria e Albin Kurtit u përkujdes të linçojë sindikalistët dhe këdo që shprehu pakënaqësi për trajtimin nga shteti. U akuzua secili që nuk i shkoi për shtati linjës së veprimeve të këtij pushteti. E, në anën tjetër, bordet e ndërmarrjeve të pushtetit e institucionet si kurrë më parë u mbushën me familjarë e militantë partiakë, shumë nga ta pa përgatitje profesionale. 
As këtë vit, shëndetësia s’e përjetoi asnjë progres të vetëm. Në arsim, situata u përkeqësua dhe testi PISA, me rezultate edhe më të dobëta se vitet paraprake, është pasqyra më e mirë e këtij mjerimi. Asnjë reformë e premtuar s’u bë. Reforma s’pati as në drejtësi. Pati vetëm tendencë për të ndërhyrë në punën e këtyre organeve. Vetëm shumë zhurmë për asgjë. 
Zhurmë siç ka bërë partia në pushtet për një dekadë për Asociacionin, të cilin kët vit e pranoi, në versionin më të rrezikshëm për vendin. Zhurmë siç ka bërë Albin Kurti me parti për zbardhjen e rastit Dehari, e të cilit i humbin mostrat pikërisht gjatë qeverisjes së tyre. Zhurmë si për çdo tjetër në këtë vend, për të cilin njerëzit e këtij pushteti kanë më së paku kontribut. E në anën tjetër, po shkaktojnë më së shumti dëme. 
Kjo është Kosova në duart e Kurtit edhe për një vit. Ky është edhe një vit i thellimit në krizë. Kjo krizë duhet ndalur nëse duam që Kosova të shpëtojë. Prandaj, Kurti duhet të shkojë! Sa më parë e sa më shpejtë!

/ Visar Azemi, anëtar i Kryesisë në LDK