Pse jemi PISA? - Gazeta Express
string(13) "pse-jemi-pisa"

Pse jemi PISA?

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

11/12/2023 13:57

Është krejtësisht e qartë se nxënësit tanë nuk lexojnë mjaftueshëm. Edhe atëherë kur lexojnë, leximi nuk është cilësor. Lexohet sa për të arritur një rezultat; një notë të dëshiruar në test, një notë të dëshiruar… Nuk lexohet për të mësuar. Ky mund të jetë shkaku qëndror i amullisë që ka kapluar sistemin tonë arsimor

Florend Krasniqi

Vëmendja jonë kolektive ndaj fushës së arsimit aktualizohet vetëm kur dalin rezultatet e PISA-s.  Pra, një herë në 3 ose 4 vjet, i madh e i vogël, njohës e laikë të fushës së arsimit, u sulen rrjeteve sociale apo studiove televizive për të dhënë mendimin e tyre “të vlefshëm” se pse jemi këtu ku jemi; për të gjetur përgjegjësit që na katandisën në këtë mënyrë.  Përnjëherë, të gjithë bëhemi të ditur, të gjithë kemi opinion, të gjithë kemi një zgjidhje. Por, çuditërisht asgjë nuk ndryshon. Euforia që na kaplon kalon brenda pak ditësh, kurse problemet mbesin. I kthehemi realitetit tonë të përditshëm. Vëmendja jonë kolektive kthehet tek dialogu me Serbinë, asociacioni dhe temat e tilla nga të cilat nuk po mund assesi të shkëputemi. Mbetet që për arsimin të flasim prap pas 4 vjetësh kur të shpallen rezultatet e testit të ardhshëm të PISAs, kuptohet nëse Kosova prap do të jetë pjesë e tij.

Si profesionist i fushës së arsimit, si mësimdhënës në nivelin e mesëm të lartë, unë përballem çdo ditë me sfidat e diskutuara ditët e fundit. Dhe sigurisht se problemet janë të mëdha. Por, testi PISA nuk është pasqyrë e saktë e problemeve në sistemin arsimor të Kosovës. Po, është një nga indikatorët e problemit, por jo më i rëndësishmi dhe sigurisht jo i vetmi. Rezultatet e testit PISA janë pasojë. Dhe problemi është se duke u përqëndruar krejtësisht në rezultatet e PISA-s si pasojë, ne e heqim vëmendjen nga shkaku që shkakton këtë pasojë.

Prandaj natyrshëm shtrohet pyetja, pse nxënësit tanë dalin kaq dobët në PISA?  A i kemi nxënësit vërtet kaq të dobët sa tregojnë rezultatet?

Kur u zhvillua testi PISA në vitin 2021, rezultatet e të cilit sapo u publikuan, shkolla ku unë punoj ishte një nga shkollat e Kosovës në të cilat u zhvillua ky test. Pas përfundimit të testit unë bisedova me nxënësit që ishin pjesë e testit për të marrë mendimet e tyre në lidhje me testin. Emërues i përbashkët i përvojës së nxënësve ishte se procesi ishte i lodhshëm. I gjithë procesi i testimit zgjati mbi 5 orë, me një pauzë gjysëm orëshe. Nga lodhja dhe nga monotonia, nxënësit shpejt e humbën interesimin për test dhe në pjesën më të madhe të tij vetëm kanë dhënë përgjigje sa për ta përfunduar testin. Procesi ka qenë i keqmenaxhur sepse nuk kishte seriozitet. MASHT kishte dërguar studentë nga fakulteti i edukimit për administrim të procesit, qëllimi parësor i të cilëve nuk ishte cilësia e procesit, por vetëm përfundimi i tij. Ka munguar informimi i duhur i nxënësve me qëllim që ata të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka ky test. “Ky test nuk ndikon në notat dhe suksesin tim, pra nuk është i rëndësishëm për mua” – ishte qëndrimi i nxënësve ndaj testit. Prandaj, nuk duhet të jetë aspak befasues rezultati që doli.  Nuk duhet të çuditemi sepse nuk kishte si të dilte ndryshe. Pra, rezultati i PISA-s ishte pasojë e gjithë këtij keqmenaxhimi. Sikur procesi të ishte menaxhuar më mirë, sikur të kishte një fushatë informimi tek nxënësit, sikur të kishte më tepër seriozitet nga drejtuesit e procesit, rezultati ndoshta do të ishte më i mirë. Por, jo shumë më i mirë.

Çështja e dytë që e kuptova nga nxënësit është se ata nuk kishin durim të lexonin paragrafët e gjatë të pyetjeve që ishin pjesë e testit, sidomos në kategorinë e leximit dhe shkencës.  Kur nuk ka durim për të lexuar pyetjet, nuk do të ketë vëmendje në atë që lexohet, nuk do të kuptohet ajo që lexohet dhe rrjedhimisht nuk do të ketë as rezultat. Ky është shkaku i dytë që ka për pasojë rezultatin e PISAs. Dhe ky shkak është shumë më i komplikuar për t’u analizuar. Efektet e tij janë shumë më komplekse dhe shumë më serioze sesa efektet e shkakut të parë. Kjo ka të bëjë me bazamentin e sistemit tonë arsimor, me mësimnxënien. Është krejtësisht e qartë se nxënësit tanë nuk lexojnë mjaftueshëm. Edhe atëherë kur lexojnë, leximi nuk është cilësor. Lexohet sa për të arritur një rezultat; një notë të dëshiruar në test, një notë të dëshiruar nga analiza e një romani apo diçka e ngjashme. Nuk lexohet për të mësuar. Ky mund të jetë shkaku qëndror i amullisë që ka kapluar sistemin tonë arsimor.

Pse ndodh kjo? Besoj se janë një numër faktorësh që ndikojnë këtu.  Shoqëria jonë nuk e ka të zhvilluar një kulturë leximi. Problemi fillon nga prindërit. Në vend të librave, prindërit u blejnë fëmijëve telefona të mençur.  Nga mosha e hershme parashkollore fëmijët aktivitet kryesor argëtues kanë video lojërat apo rrjetet sociale, siç është Tik-Toku, që mund të krijojë mungesë të vëmendjes apo shpërqëndrim. Problemi vazhdon në shkolla, ku mungon një program që inkurajon leximin. Një fëmijë i cili nuk e krijon shprehinë e leximit gjatë nivelit fillor të shkollimit, do ta ketë shumë të veshtirë që të krijojë atë më vonë. Tutje, problemi vazhdon me librat që u kërkohet nxënësve të lexojnë, të cilat nuk përkojnë me kohën të cilën po e jetojmë. Nxënësve u kërkohet të lexojnë po ata libra të cilët më janë dhënë mua para më shumë se 30 vitesh. Por, bota sot është krejtësisht ndryshe nga ajo që ka qenë para 30 vitesh dhe rrjedhimisht edhe nevojat e fëmijëve janë krejtësisht të ndryshme. Edhe ata nxënës të cilët kanë dëshirë të lexojnë, i lexojnë me vështirësi këta libra, apo nuk i lexojnë fare. Një nxënëse e klasës së 7-të, e cila vazhdimisht lexon libra sipas dëshirës së saj, më tha: “Profesor, leximi duhet të jetë argëtues. Nuk bëhet me zor. Këto lektyra nuk më ngjallin kënaqësi. Më japin stres. Nuk e gjej veten në ata libra, nuk mund të lidhem emocionalisht me ta”. Ngjashëm qëndron gjendja me librat mësimorë, cilësia e të cilëve lë shumë, po shumë, për të dëshiruar, sidomos për nivelin e mesëm të ulët ose të lartë. Shumica e librave janë të shkruar në atë mënyrë që nuk promovojnë mendimin kritik. Prapë, shumica e librave edhe për nga përmbajtja, edhe për nga dukja, dallojnë pak nga librat nga të cilët kam mësuar unë si nxënës, gjatë viteve 80-të dhe 90-të. Në situatë të këtillë, librat përdoren shumë pak. Nxënësit nuk mësojnë nga librat, sepse mësimdhënësit përgatisin prezantime të shkurtuara të njësive mësimor, ose u japin nxënësve pyetje për t’u përgatitur për vlerësim. Në këto kushte, nxënësit bazohen në mësimin në mbamendje, që nuk siguron sukses të qëndrueshëm. Dhe kjo na dërgon tek shkaku i tretë, ndoshta më krucial, që është kurrikula bërthamë.

Në vitin shkollor 2017/2018 MASHT e qeverisë së atëhershme të Kosovës mori vendim që të fillojë zbatimin e kurrikulës së në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, pas disa vitesh pilotimi në disa shkolla të caktuara.  Kurrikula e re ishte risi për sistemin arsimor të Kosovës. Është një kurrikulë bashkëkohore e bazuar në kompetenca të cilat nxënësi supozohet t’i përvetësojë gjatë gjithë shkollimit parauniversitar, duke filluar nga niveli parafillor. Zbatimi i kurrikulës filloi me klasat 0, 1, 6 dhe 10.  Dhe pikërisht këtu është bërë gabimi i parë. Për nxënësit dhe mësimdhënësit e klasave 6 dhe sidomos të atyre të klasave 10 ndryshimi ishte i madh. Nxënësit të cilët për 5 ose 9 vite kishin mësuar në mënyrën klasike të mësimxënies nuk ishin të përgatitur për këtë ndryshim. Ata nuk i kuptonin ndryshimet, sidomos në mënyrën e vlerësimit. Për më tepër, MASHT nuk kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përgatitur infrastrukturën e duhur teknike (laboratorët, internetin nëpër shkolla, projektorët nëpër klasa, tabelat e mençura etj) për zhvillim të suksesshëm të kësaj kurrikule. Gjithashtu, për vitet e para të zbatimit të kurrikulës mungonin librat e bazuar në programet lëndore të kurrikulës së re.  Gjithashtu, nuk është bërë trajnimi i duhur i mësimdhënësve për zbatim të kurrikulës. Shumica e trajnimeve të bëra nga MASHT ishin bërë në formën shkel-e-shko, ku qëllimi ishte që të thuhej se trajnimi është bërë.  Edhe aty ku trajnimi ishte serioz, nga trajnerë seriozë, mësimdhënësit nuk do të kishin mundësi asnjëherë të zbatonin ato që mësonin në trajnim, pasi në shkollat e tyre mungonte infrastruktura për ta bërë mësimxënien më atraktive apo praktike. Pra, përkundër pritjeve fillestare se kurrikula e re e Kosovës do të ndryshonte gjendjen në arsim, brenda një kohe të shkurtër u kuptua se ky ishte eksperiment i dështuar. Dhe ky eksperiment vazhdon edhe sot e kësaj dite. Edhe pas 7 vitesh shkollore, vazhdon të mungojë infrastruktura e duhur nëpër shkolla për zbatim të suksesshëm të kësaj kurrikule. Shumica e shkollave në Kosovë vazhdojnë të jenë siç kanë qenë këto 30 apo 40 vitet e fundit.  Mësimdhënësve u është dhënë një kurikulë për shekullin XXI, por u është kërkuar të punojnë me kushte të shekullit XIX.  MASHT do të duhej të fillonte zbatimin e kurrikulës vetëm në klasat 0, 1 dhe ndoshta edhe 6. Kjo do të mundësonte që përgatitjet të ishin më të mira, investimet në infrastrukturë shkollore të ishin graduale. Gjithashtu, do të mundësonte përgatitje më të mirë të mësimdhënësve që të jenë më efikas në zbatimin e saj. Do të merrte më shumë kohë derisa të përfshihej i gjithë sistemi arsimor parauniversitar, por do të ishte e suksesshme. Problemi tjetër më këtë kurrikulë janë programet lëndore të saj, të cilat janë krejtësisht në mospërputhje me qëllimet e saj. Derisa qëllimet e kurrikulës janë që të përgatisë nxënësit për sfidat e shekullit 21, programet lëndore ua mësojnë atyre të kaluarën. Pra, nxënësit vazhdojnë të mësojnë, me pak ndryshime, atë që kemi mësuar që nga gjysma e shekullit 20. Në fund, duhet të merret parasysh edhe ngarkesa që ka kurrikula, sa i përket programit lëndor. Një nxënës i klasës 10 të gjimnazit natyror sot ka 15 lëndë mësimore, kurse ai i gjimnazit shoqëror ka 16. Secili mësimdhënës, i secilës lëndë, kërkon maksimumin nga nxënësit. Nëse secili nxënës i përkushtohet secilës lëndë së paku 2 orë në javë, kërkohen 30 orë në javë. Kjo mund të mos duket shumë, por, nxënësit kanë edhe nevoja të tjera. Ata kanë nevojë të argëtohen, apo të zhvillojnë aftësi dhe shkathtësi të tjera të cilat nuk i marrin në shkollë në mungesë të aktiviteve jashtëkurrikulare (kurse të ndryshme, apo përfshirje në klube sporti). Prandaj, në këto kushte nxënësit gjejnë rrugën më të shpejtë drejt suksesit (marrjes së notës së dëshiruar) – mësimi në mbamendje, mësimi nga pyetjet e dhëna paraprakisht, apo kopjimi.  Është dëshpëruese kur sheh nxënësit të stresuar dhe në ankth nga ngarkesa, sidomos para periudhave të vlerësimit. Dhe këtu po flas për ata nxënës të cilët sinqerisht kanë qëllim që të jenë të suksesshëm. Koncepti i gjimnazit është koncept i tejkaluar që i takon shekullit të kaluar. Nxënësit në gjimnaz mësojnë për gjithcka, por e përfundojnë atë duke mos mësuar asgjë. Shtetet që qëndrojnë lart në PISA kanë kurrikula që bazohen në programet lëndore me më së shumti 8 lëndë. Një program i tillë nuk krijon ngarkesë tek nxënësit dhe siguron efektivitet dhe efikasitet më të lartë.

Ka edhe shumë probleme të tjera që e kanë katandisur arsimin në këtë mënyrë. Por, tre shkaqet e përmendura më sipër besoj se janë thelbi i problemit sa i përket rezultatit të PISA. Dhe deri sa ne të vazhdojmë të shqetësohemi për këtë një herë në 3 ose 4 vjet, gjendja nuk do të ndryshojë.  Arsimi duhet të jetë prioritet mbi prioritetet, që shkon përtej agjendave politike ditore.  “Qëllimi primar i arsimit në shkolla duhet të jetë krijimi i kuadrove që janë të aftë për të bërë gjëra të reja dhe jo thjesht të përsërisin atë që brezat e mëparshëm e kanë bërë. Pra, qëllimi i arsimit nuk është për të rritur sasinë e njohurive, por për të krijuar mundësitë për një fëmijë të shpikë dhë të zbulojë; për të krijuar njerëz të cilët janë të aftë të bëjnë gjëra të reja” (Jean Piaget, dijetar dhe psikolog zviceran). Fatkeqësisht, sistemi jonë arsimor dhe qasja jonë si shoqëri ndaj arsimit, janë shumë, shumë larg arritjes së këtij qëllimi.  Vazhdojmë të vendnumërojmë.

Profesor Florend Krasniqi,

Mësimdhënës i Gjeografisë