Manastiri i Deçanit: si t’i shmangemi një precedenti - Gazeta Express
string(50) "manastiri-i-decanit-si-ti-shmangemi-nje-precedenti"

Manastiri i Deçanit: si t’i shmangemi një precedenti

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

15/03/2024 16:08

Më 13 mars 2024, Qeveria e Kosovës ka vendosur të zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit. Në rrafshin ndërkombëtar, ky vendim është mirëpritur nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e Kuintit e deri tek presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE). Ky vendim plotëson kushtin kryesor të vendosur nga APKE për përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në javën e 15 prillit do të kuptohet nëse APKE do të votoj pro anëtarësimit të Kosovës në organizatën më të madhe dhe të rëndësishme evropiane për sundim të ligjit, të drejtat e njeriut dhe demokracisë.

Shkruan: Kushtrim Istrefi

Në nivelin e brendshëm, zbatimi i vendimit të Manastirit të Deçanit është përcjellë me reagime, shqetësime dhe interpretime të shumta për shkak të origjinës komplekse dhe kontroverse të rastit dhe rrezikut që kjo mund të krijoj një precedent për rastet tjera kontestuese të viteve të 90’ta. Në vijim do të jap interpretimin tim për këto çështje.

Oscilimi i bazës ligjore të pronës: nga vendimi i Millosheviqit e deri tek vendimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) të UNMIK-ut

Pronat e kontestuara iu janë dhuruar Manastirit të Deçanit me 5 nëntor të vitit 1997, me një marrëveshje të lidhur nga Qeveria e Serbisë dhe Manastirit të Deçanit. Çështja kontestuese është nëse ky vendim është i ligjshëm ose jo duke pasur parasysh datën e aprovimit të saj.

Kjo për arsye se sipas nenit 1 të Rregullores 24/1999 të UNMIK-ut, asnjë ligj i nxjerrë nga viti 1989 e deri me hyrjen e UNMIK-ut nuk është i zbatueshëm në Kosovë. Kjo dispozitë sqaron se ligjet pas vitit 1989 kane qenë diskriminuese ndaj popullit të Kosovës. Sipas saj, në rast se institucionet kërkohet të interpretojnë ligjshmërine e dispozitave të aprovuara pas vitit 1989, ajo mund të pranohet përjashtimisht nëse është në përputhshmëri me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Në bazë të legjislacionit të përcaktuar nga vet UNMIK-u, periudha nga viti 1989 deri ne vitin 1999 njeh diskriminimin sistematik në Kosovë. Prandaj, çdo çështje e ligjshmërisë që daton pas periudhës 1989 kërkon të vlerësohet duke pasur parasysh aparteidin e instaluar nga Qeveria e Serbisë në Kosovë.

Nga kjo që u tha më lartë, pronat e dhuruara nga Qeveria e Serbisë në nëntor të vitit 1997 doemos ngrisin shqetësime të ligjshmërisë përveç nëse përjashtimisht mund të vlerësohet përmbajtësisht se vendimi në fjalë është bërë konform të drejtave të njeriut. Një vlerësim i tillë kërkon analizë të detajuar të origjinës së pronës, qëllimit të dhurimit dhe nëse ndokush nga qytetarët në Kosovë është afektuar negativisht nga vendimi në fjalë. Vetëm, kundër një analize të tillë, mund të përcaktohet ligjshmëria e një vendimi të tillë kontrovers.

Megjithatë, fatkeqësisht, çështja e ligjshmërisë së vendimit të vitit 1997 mbi pronat kontestuese të Manastirit të Deçanit nuk është vendosur asnjëherë nga gjykatat e Kosovës. Kjo sepse në vitin 2009, AKM e udhëhequr nga UNMIK-u bëri ujdi jashtë gjyqësore me Manastirin e Deçanit duke vendosur ti jap asaj pronat e kontestuara. Gjykata Supreme me vendimin e saj të vitit 2012 ka konstatuar se AKM ka qenë palë e autorizuar për të vendosur për pronat dhe kjo ujdi e AKM-së me Manastirin e Deçanit është e pranueshme. Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Supreme i vitit 2012 është i formës së prerë dhe se ky rast nuk mund të rihapet. Rrjedhimisht, ky vendim duhet zbatuar, dhe pronat e kontestuara duhet ti posedoj Manastiri i Deçanit.

Është shqetësuese që AKM e UNMIK-ut në vend se të kërkoj nga gjykatat të bej vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Serbisë së vitit 1997 ka vendosur ti dhurojë Manastirit të Deçanit pronat e kontestuara. Duke bërë këtë ujdi i ka pamundësuar edhe Gjykatës Supreme edhe Gjykatës Kushtetuese të lëshohen në interpretime të ligjshmërisë së vendimit të vitit 1997. Kjo për shkak se pronat e Manastirit te Deçanit janë ‘legalizuar’ jo për shkak të vendimit të Serbisë së vitit 1997 në mënyrë të izoluar, por për shkak të ujdisë së AKM-se të vitit 2009.

A paraqet vendimi për Manastirin e Deçanit precedent për pronat tjera kontestuese të viteve të 90-ta

Gjatë viteve të 90-ta të periudhës së Millosheviqit, një pjesë e pronave u janë dhuruar objekteve fetare. Rrjedhimisht, ekziston dyshimi se rasti i pronave të Manastirit të Deçanit mund të paraqesë precedent të rrezikshëm për të gjitha pronat tjera që janë dhuruar nga vitet 90-ta, e që mund të jenë diskriminuese në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 24/1999.

Megjithatë, rasti i Manastirit te Deçanit jo domosdoshmërisht krijon precedent sepse gjykatat vendore asnjëherë nuk kanë vendosur se dhurimi i pronës në vitin 1997 është i ligjshëm, por se ujdia me AKM-ne ne vitin 2009 është e ligjshme.

Përkundër kësaj, dhe për të hequr dilemat për rastet tjera, Kuvendi i Kosovës mund të nxjerrë një ligj që, ashtu sikurse Rregullorja e UNMIK-ut 24/1999, e precizon çfarë vendime dhe ligje të periudhës 1989-1999 janë te (pa)ligjshme dhe nevojën që gjykatat të bëjnë vlerësimin e tyre në harmoni me të drejtat e njeriut. Një gjë e tillë nuk do të paraqiste ligj retroaktivë, sepse ai mund të bazohet në Rregulloren e UNMIK-ut 24/1999 dhe nenin 145 te Kushtetutës së Kosovës. Pra, ligji i ri, do të paraqiste kontinuitet të rregullores së UNMIK-ut. Kësisoj ligji i ri nuk krijon pasiguri juridike por në fakt krijon kontinuitet të ligjit të aplikueshëm në Kosovë të vendosur nga bashkësia ndërkombëtare qysh në vitin 1999.

Konkluzion

Mënyra se si është zgjedhur kontesti i pronave të Manastirit të Deçanit nga ana e AKM-së por edhe gjykatave vendore len hapësirë për të dëshiruar. AKM, në vend se të interesohej për ligjshmëri, siç kërkonte Rregullorja e UNMIK-ut 1999/24, kishte vendosur që ti jap ato prona Manastirit te Deçanit me ujdi bilaterale. Ky është një shembull se si me veprime politike është zgjidhur një çështje qe duhej te ishte sqaruar me interpretime përmbajtjesore të gjykatave. Gjykatat në anën tjetër nuk e kanë parë të arsyeshme ose të mundshme të lëshohen në interpretime, qoftë edhe në formë të obiter dictum (një interpretimi anësor), për të vlerësuar nëse AKM e UNMIK-ut në vitin 2009 (pra një vit pas pavarësisë) ka poseduar mandat për të bërë një ujdi të tillë dhe nëse një ujdi e tillë që bazohet në një vendim kontrovers të vitit 1997, mund të pranohet si e ligjshme.

Në drejtësi njihet thënia se ‘rastet e vështira krijojnë drejtësi/ligj të gabuar’ (hard cases make bad law) dhe ky rast paraqet një shembull të tillë. Megjithatë, në bazë të asaj që u tha më lartë, institucioneve shtetërore nuk u mbetet asgjë tjetër pos të zbatojnë marrëveshjen e AKM-së me Manastirin e Deçanit e të legalizuar nëpërmjet gjykatave më të larta vendore. Çdo casje tjetër paraqet veprim kundër sundimit të ligjit dhe vetëm e zhagit një proces tanimë të përmbyllur proceduralisht.

Megjithatë, në një realitet të tillë është e rëndësishme që institucionet tona të ndërmarrin veprime koshiente që parandalojnë krijimin e një precedent. Kuvendi i Kosovës mund ta bëj këtë duke nxjerrë një ligj që sqaron statusin juridik të ligjeve dhe vendimeve të caktuara të viteve 90-ta ashtu siç edhe parashihen në Rregulloren e UNMIK-ut, dhe që kërkon interpretim përmbajtjesor nga gjykatat për çështje të tilla ligjore konform standardeve për të drejta e njeriut.

Kushtrim Istrefi, Profesor Asistent i së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Utrehtit, Holandë