Liri Belishova, në rrëfimin mjeshtëror të Bashkim Shehut - Gazeta Express
string(55) "liri-belishova-ne-rrefimin-mjeshteror-te-bashkim-shehut"

Liri Belishova, në rrëfimin mjeshtëror të Bashkim Shehut

Arte

Gazeta Express

07/12/2020 15:02

Nëse do të përpiqeshim ta katalogonim në një gjini të përcaktuar veprën që sot po i paraqitet lexuesit shqiptar, mund të kishim ndonjë vështirësi në emërtim, gati sui generis

Diana Kastrati

Lexo Edhe:

Nëse do të përpiqeshim ta katalogonim në një gjini të përcaktuar veprën që sot po i paraqitet lexuesit shqiptar, mund të kishim ndonjë vështirësi në emërtim, gati sui generis. Pena e sigurtë, e konsoliduar, mjeshtërore e shkrimtarit, përkthyesit e estetit letrar Bashkim Shehu, na sjell kësaj radhe të konceptuar në një mënyrë moderne dhe mbase jo fort të rrahur në lëminë e letrave shqipe, një vepër  që mbart të gërshetuara sa tiparet e një analize të mirëfilltë studimore të karakteristikave të komunizmit shqiptar e atij ndërkombëtar të ish-kampit socialist, por po aq edhe rrugëtimin biografik tragjik të njërës prej protagonisteve të skenës politike shqiptare të pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, Liri Belishovës. Por, rasti Belishova, është vetëm ilustrimi i një analize të thelluar, shterruese, të kontekstit politik e ideologjik të kohës në Shqipërinë që rrëshqiti shumë shpejt në totalitarizëm. Vepra na vjen si një mozaik i plotë analizash politike, gjeopolitike, përsiatjesh sa filozofike aq edhe letrare e psikanalitike të cilat e kornizojnë, por duke mbajtur në qendër të tyre Belishovën si një ndër shembujt më dramatikë ku mbrojtësja dhe bija e ideologjisë komuniste, shndërrohet në viktimën e saj.

Paradigma e veprës jepet që në fillim kur autori citon Milan Kunderën se “Totalitarizmi nuk është vetëm ferri, po është edhe ëndrra e parajsës: ëndrra e stërlashtë e një bote ku të gjithë jetojmë në harmoni, të bashkuar në një vullnet të vetëm dhe në një fe të vetme…”. Prej këtu vijnë e shtjellen në një ndërthurje interpretuese sa filozofike, aq edhe letrare, nëpërmjet citimit të një galerie erudite autorësh si Peter Weiss, William Faulkner, Bernard Tönnes, Jorge Luis Borges, Fëdor  Dostoevskij, Evgenij Aleksandrovič Evtušenko, Ágnes Heller, Hannah Arendt, Raymond Abellio, Isaac Deutscher, Tony Judt, François Fejtö, Umberto Eco, George Orwell,  një seri konceptesh filozofike si ai i kohës, të kaluarës, i kujtesës, i idealit, i aspiratave njerëzore. Ndër këto aspirata, komunizmi paraqitej si i tillë për të rinjtë e Rezistencës: “ishim si të droguar” – i shprehet vetë Belishova shumë dekada më vonë. Kjo “drogë” e ëndrrës së premtuar për barazi, do ta kishte efektin aq të gjatë në “venat” e protagonistes tonë, po aq sa të një pjese të mirë të këtyre të rinjve, sa që do t’i duheshin dyzetë e kusur vjet për të kuptuar se e Keqja fatale në Shqipëri nuk qëndronte thjesht tek sistemi, por edhe tek vetë njerëzit që e aplikuan e u aplikuan në atë sistem. Një konstatim ky që na ndërmend Dostoevskijn i cili, disa vite pas suksesit të botimit të parë të romanit të tij “Demonët”, i shkruante në letër botuesit të tij se: “tek romani Demonët është një sasi personazhesh që m’i kanë kundërshtuar si tërësisht pjellë e fantazisë. Por në vijim, më besoni apo jo, që të gjithë janë konfirmuar nga realiteti”.

Nëpërmjet një shpjegimi të argumentuar hollësishëm dhe me imtësinë e kirurgut, autori Shehu na sjell në paradë faktet e vendosjes së terrorit dhe totalitarizmit të komunistëve shqiptarë që në kohën e luftës së rezistencës, një rrugëtim i gjatë, i programuar gati në përsosmëri e që në rrënjë, i strukturuar thuajse me akribi shkencore. Arkitektët e këtij terrori na vijnë me një identikit qartësisht të lbyrët nga autori i kësaj vepre, duke filluar nga kryearkitekti Enver Hoxha e, duke mos kursyer asnjë, as të atin e tij, Mehmet Shehun, një nga emblemat e atij pushteti e sistemi, si në të gjallë, por po aq me ikjen e tij nga kjo botë duke u shndërruar kësisoj në një legjendë permanente të mistershme. Ky qëndrim i distancuar dhe objektiv i autorit, i cili nuk është thjesht hartuesi i veprës, por tek e fundit edhe dëshmitar e vuajtës i intrigave e tragjedive të kurdisura në “oborrin e mbretit”, i bën nder të jashtëzakonshëm atij, po aq sa rindërtimit të kujtesës historike të një periudhe shumë gdhendëse për fatet e shqiptarëve. Ky rindërtim vjen e ndihmohet edhe falë nxjerrjes në pah të dokumenteve të kohës, si procesverbalet e plenumeve ku u vulos, u bë e u zhbë edhe fati i Liri belishovës dhe e familjarëve të saj për pasojë. Pasojë e këtij totalitarizmi e terrori do të binin një e nga një Mustafa Gjinishi, Sejfullah Malëshova e më pas Naku Spiro me vetëvrasjen e tij, një varg i gjatë e i pafund shkëlqimesh e rëniesh pikiatë të një morie individësh besnikë të idealit komunist, por gjithaq edhe të figurës së Njëshit, Enver Hoxhës.

Në përshkrimin mjeshtëror të autorit Shehu të kësaj kurbe që po merrte përmasa gjigande brenda vetë strukturave më të larta partiake, më kobndjellësja mbetej asgjësimi absolut i përmasës vetiake, i individualitetit, i të menduarit ndryshe. Gati si në një manual me udhëzime, gjenden saktësisht të gjithë përbërësit e totalitarizmit: homologimi mendor e ligjërimor, krijimi i figurës së domosdoshme të “armikut”, terrori si thelb e si formë, i sanksionuar tashmë nëpërmjet manipulimit gjuhësor, rrafshimi i opozitarizmit si koncept e si praktikë, dogmat.

Në këtë kuadër apokaliptik të situatës shqiptare në gjithë vitet e totalitarizmit, i cili i serviret masës me “pudrosje të sheqerosur” duke krijuar pikërisht atë iluzionin e parajsës të shprehur më lart nga Kundera, qëndron Liri Belishova, një ndër figurat më të keqpërdorura, një emër që ka hyrë në kujtesën historike të Shqipërisë për të mos dalë më kurrë. Fatkeqësisht, për tragjizmin që mbart kjo figurë komplekse.

Në rindërtimin e kalvarit të jetës së saj, autori e përshkruan atë si viktimën me efekte anësore të një trioje (e më shumë) faktorësh: personalë, gjeopolitikë e të terrorit. Në një erashkë me reflektime, observime, analiza psikosociale e asocime letrare ku këto të fundit janë gjurma e pashlyeshme e shkrimtarit Shehu, ka gjetje shumë përfshirëse e gati shekspiriane, siç është rindërtimi i misterit të përndjekjes makbetiane të fantazmës të Naku Spiros, Enver Hoxhës. Të të njëjtit nivel gjithëpërfshirës e interesant, janë edhe përsiatjet e zbërthimit të personit të Liri Belishovës, në një çelës psikoanalitik, përsëri nëpërmjet letërsisë. Për të kuptuar sadopak momentin psikologjik e psikanalitik të rënies së dytë fatale të protagonistes Belishova, autori rindërton në mënyrë imagjinare skenën e kthimit të saj në shtëpi menjëherë pas goditjes dërmuese në plenum, teksa shoqërohet nga shoferi i saj me makinë, duke ndërmendur pasazhin nga romani i Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”; ndalimi i saj në një parfumeri (hera e parë që ajo blen vetë një të kuq buzësh), të shikuarit e botës që lëviz jashtë xhameve të makinës në një prag feste fundviti, pakuptimi i jetës dhe, ajo më e rëndësishmja, humbja e pandalshme e përfundimtare e saj si politikane e pastaj e të qenit grua. Ndoshta, përsiat autori, ishte hera e parë që Belishova aq e përkorë në të mbajtur, aq e rreptë në shpërfaqjen e feminilitetit të saj, kupton rrokullisjen e pashmangshme të femrës tek ajo, një humbje që nuk e kishte parashikuar mbase as ekzistencën e përmasës së feminilitetit tek një grua e fortë si ajo. “Fillon zbritja e saj në ferr, për herë të dytë. Është vetëm tridhjetetre vjeçe. Dhe skena te pasqyra duke provuar një të kuq buzësh kur fillon kjo rënie më çon te një personazh i mitologjisë greke, Proserpina, nusja e perëndisë së botës së të vdekurve, e cila gjysmën e vitit qëndronte në ferr, gjysmën tjetër të vitit kthehej në botën e mbidheshme, për t’u kthyer pastaj sërishmi në ferr. Ndërsa për Liri Belishovën kjo zbritje e dytë në ferr do të zgjaste mëse çerek shekulli”.

E më pas, një e nga një, humbja e gjithçkaje, e afeksioneve familiare, e izolimit, e të qenit një hije, e banalizimit ekzistencial, e të mohuarit të të qenit një individ. Veçanërisht kjo! Belishova, në humbëtirën fizike, cerebrale e emotive ku e degdisin e ridegdisin, për herë të parë kupton  se ka një raport që është vetëm unilateral: individi përballë shtetit, ku ky i dyti bën padronin absolut në totalitarizëm. Colpo di grazia, humbja e së bijës, Dritës, vajzës mendjeplote, të talentuar, optimiste! Kurrë vdekja nuk të buzëqesh, por vdekja e një fëmijë, e një të reje, në ato kushte të një ferri dantesk, e shpien Liri Belishovën të reflektojë përtej kufirit të së pamundurës. Ajo i rrëfen autorit se si i biri, i ri, në internim i bënte një pas një pyetjet therëse mbi arësyet e zgjedhjeve të së ëmës. E aty nisin dyzimet e saj, zhgënjimet nga ai sistem, rëndimi psikologjik për “fajet” e saj ndaj familjarëve. Ajo, ateistja e bindur, mbërrin edhe cakun ekstrem të një gati “mea culpa”, të “fshikullimit” të vetes për zgjedhjet e bëra, të luftës që rezultoi e gabuar për të mundur të Keqen, për të ndihmuar të dobëtit. Luftë, në të cilën u gjend sërishmi në anën e viktimave. Nga këtu buron edhe dënimi i vetes si dhe falja publike e saj. E vetmja nga i gjithë establishmenti që i mbijetoi atij ferri, që pati guximin moral të kërkonte falje. Por, njëkohësisht, nuk u përkul kurrë të shqiptonte para xhelatëve të saj fjalët e falenderimit kur të birit nuk ia përsërisin internimin, fjalë që ata donin t’ia shkëpusnin nga goja sepse këtu konsiston edhe triumfi i totalitarizmit, ta bëjë viktimën të flasë me ligjërimin e tij.

Shkronjësja e këtyre radhëve, e ka njohur personalisht këtë grua: një karakter i fortë, e pajisur me një inteligjencë të pazakonshme, me një formim kulturor solid, me një mendje të hollë e me një memorie të hekurt, me një optimizëm të pashoq e për t’u patur zili, me një elokuencë prej dishepulleje të shkollës së retorikës greke. Duke e pasë njohur kësisoj, ajo që të lind mbase si pyetje e menjëhershme pasi e lexon këtë libër, është nëse Belishova, në vitet e fundit të jetës së saj, t’i ketë kuptuar realisht arësyet e të qenit komunist. E këtu të vjen në ndihmë monologu i famshëm “Dikush ishte komunist”, e satiristit të hollë italian, Giorgio Gaber: “Dikush ishte komunist, sepse ishte kaq ateist, sa që kishte nevojë për një Zot tjetër!”