Chopin PianoFest – Mes interpretuesve të mëdhenj botërorë dhe entuziazmit të publikut - Gazeta Express
string(83) "chopin-pianofest-mes-interpretuesve-te-medhenj-boterore-dhe-entuziazmit-te-publikut"

Chopin PianoFest – Mes interpretuesve të mëdhenj botërorë dhe entuziazmit të publikut

Arte

Donjeta Abazi

09/05/2024 16:25

Bashkëbisedim me Presidenten dhe Drejtoren Artistike të Festivalit të muzikës klasike “Chopin Piano Fest”

Nga Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

Festivali i muzikës “Chopin PianoFEST Prishtina” tash e sa vite ka fituar në skenën kulturore të vendit tonë një rol të rëndësishëm, veçmas kur flasim për muzikën klasike. Festivali sjell në Kosovë interpretues, pianistë, muzikantë nga e gjithë bota dhe gërsheton përvojën e tyre me kërkesën e skenës tonë artistike për shkrirje kufijsh në rrafshinë e kulturës.

Drejtoresha artistike e Festivalit, Lejla Pula, tregon për misionin që kanë dhe detyrimin profesional, siç e quan ajo, në lidhje me organizimin dhe ideimin e “Chopin Piano…”

“Misionin e prezantimit dhe prurjes së vlerave universale evropiane dhe botërore të mjeshtrisë së interpretimit muzikor në skenën e festivalit tonë në e përjetojmë si detyrim profesional dhe kontribut tonin për ngritjen e nivelit të përgjithshëm kulturor të shoqërisë sonë.”

“Chopin Piano Fest” mban edicionin e 14-të me radhë dhe çka e veçon këtë vit është fakti se pjesë e programit janë edhe artistë nga tri shtete që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovë.

“Sivjet kemi gjithsej 16 koncerte, nga data 9 maj deri më 9 qershor, të cilat e kanë në fokus kryesisht muzikën pianistike, por gjithmonë kemi edhe formacione e bashkëpunime me instrumente të ndryshme. Sivjet i kemi 13 koncerte Recitale me gjithsej 31 muzikantë të jashtëzakonshëm, mysafirë nga 15 shtete nga mbarë bota: (Ukraina, Gjermania, Tajlanda, Italia, Austria, Rumunia, Kanada, Franca, Zvicra, Kroacia, Britania e Madhe, Lituania, Sllovakia, Shqipëria dhe Kosova). Në mesin e tyre sivjet janë edhe artistet nga tri shtete që akoma s’e kanë njohur shtetin e Kosovës, gjë e cila kontribuon dukshëm në diplomaci kulturore, si synim i joni i përhershëm.”

Edhe pse në kushte të vështira, Festivali ndër vite ka sjellë në kryeqytet emra të njohur ndërkombëtarisht të muzikës klasike dhe kjo sipas drejtoreshës artistike ka ndodhur për shkak të ruajtjes së kualitetit dhe profesionalizmit.

Foto nga edicioni i kaluar

“Ndërtimi i besueshmërisë ndaj festivalit tonë është legjitimuar përmes suksesit dhe kualitetit programor dhe organizativ deri tani, duke vepruar në kushte aspak të lehta për një festival të muzikës klasike. 

Traditën duhet ruajtur dhe kultivuar si arritje shumë të çmuar të një shoqërie”.

Ndërtimi i Sallave koncertale, i sallave të Operës dhe Baletit, vazhdon të mbetet luks në vendin tonë. Ambientet e improvizuara do të vazhdojnë të mbesin shtigje shpëtimi për organizatorët, të cilët synojnë që Kosovën ta vendosin në një vijë kulturore me vendet e tjera.

“Situata e vështirë me infrastrukturë dhe mungesë të Sallave koncertale është evidente në Prishtinë, kështu që fatkeqësisht ende jemi të detyruar t’i bëjmë organizimet duke i improvizuar ambientet koncertale. Megjithatë, nuk i humbim shpresat se kryeqyteti ynë dhe institucionet përkatëse si Ministria e Kulturës do të bëjnë hapa të sigurt drejtë zgjidhjes së këtyre problemeve, ndërtimit të Sallës Koncertale dhe hapësirave adekuate si dhe blerjes së Pianos ‘Stainway’, gjë e cila do t’i hapte perspektivat e jetës më të konsoliduar koncertale.”

Ceremonia e hapjes cilësohet si ngjarje e veçantë e Festivalit. Këtë edicion në ceremoninë e hapjes merr pjesë pianisti Artem Yasynskyy, fitues i çmimeve ndërkombëtare. Lejla Pula thotë së gjë që ka rëndësi për ta si organizator është fakti që interpretuesit që vijnë në Prishtinë vlerësojnë entuziazmin dhe vlerësimin e publikut, prandaj nuk e hezitojnë bashkëpunimin.

“Gjë e cila na gëzon gjithmonë është fakti se mysafiret tanë, interpretues të famshëm botërorë që vijnë në festivalin tonë, ndahen vazhdimisht shumë të kënaqur nga mikëpritja e përzemërt, mirënjohja, vlerësimi i lartë dhe interesimi i madh i vendit dhe publikut tonë për artin e tyre të lartë interpretues. Ata shprehin interesim gjithmonë të rikthehen përsëri në skenën tonë, shprehen në superlativ për talentin e pianisteve tonë dhe mrekullohen me entuziazmin tonë organizativ duke i parë kushtet dhe mjetet modeste për organizimin e një festivali të përmasave të tilla. Jemi shumë të lumtur dhe falënderues të gjithë atyre për mirëkuptimin e treguar si dhe dashamirësinë dhe gatishmërinë e interpretimit edhe në ambiente të improvizuara përgjatë gjithë këtyre viteve të organizimit të festivalit”.

Sado që Festivali është duke i shfrytëzuar hapësirat e Sallës së Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, Pula thotë së në një formë a tjetrën MKRS ka ndihmuar në Festival.

“Mbështetja e MKRS- së fatmirësisht nuk ka munguar asnjë herë dhe duhet ta konstatojmë se vitet e fundit ajo është rritur dukshëm, jo vetëm për festivalin tonë, por edhe në fushën e kulturës në përgjithësi. Kjo konsiderojmë se paraqet një hap shumë të rëndësishëm përpara në fushën e kulturës në Kosovë”.

‘Chopin Piano Fest’ tradicionalisht mban edhe tri koncerte në kuadër të EDU WEEK  – me rreth 120 nxënës laureatë nga të gjitha Shkollat e Muzikës në Kosovë, si dhe studentë pjesëmarrës, rezultat i bashkëpunimit tradicional me Fakultetin e Arteve ( 2-4 qershor). Po ashtu Festivali organizon edhe garën për Çmimin special të Chopin PianoFEST- it me datën 1 qershor. 

Lejla Pula shprehet e lumtur për të gjithë bashkëpunëtorët e Festivalit duke përfshirë Universitetin e Prishtinës pasi që ngjarjet mbahen në Sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare për organizimin e festivalit.

“Shpresojmë shumë së kjo përkrahje e bazuar në arritjet tona do të rritet në vazhdimësi duke e mundësuar edhe fuqizimin dhe ngritjen e mëtejmë të festivalit tonë”.

Kujtojmë që “Chopin Piano Fest”, fillon sonte, më 9 maj, dhe vazhdon me mbrëmje të muzikës klasike për 1 muaj me radhë. Organizatorët kanë bërë publik ditë më parë edhe programin e Festivalit.

Në 200 vjetorin e lindjes së Shopenit, Shoqata Chopin e Kosovës themeloi Chopin Piano FEST Prishtina, anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave Chopin – e cila është pjesë e Unesco-s. Suksesi i madh dhe vlerësimi i festivalit nga audienca më e madhe në Kosovë kanë ndihmuar që të kthehet në një markë, që mbahet çdo vit në pranverë.

/Gazeta Express