Robert Creeley (Arlington, 21 maj 1926 – Odessa, 2 prill 2005), ka qenë poet amerikan, një prej eksponentëve më të mëdhenj të lirikës postmoderne.
Për Jonathan Williamsin
23 shtator 1953
I dashur Jonathan,
kam një shënim nga Raineri, bashkë me letrën tënde të fundit, dhe nëse kjo është një dëshmi, ma ha mendja se ai po mendon se gruaja e tij është e dashuruar me ty. Tekembramja, ky është thelbi i shënimit të tij: “probleme të mëdha me Jonathanin për Renatën. Mendoj se martesa jonë ka marrë fund…”. Pjesa tjetër e letrës është kryesisht një deklaratë sipas së cilës ai nuk dëshiron ta botosh librin e tij (çka është e kuptueshme, po supozuam se kjo ide vjen nga ana e tij) dhe faktikisht ai është përnjëmend i hutuar dhe në një rrëmujë të përgjithshme.
Zoti e di çka do të sjellë gjithë kjo. Çdo njeri tjetër, siç thuhet, mund të ishte ballafaquar me akuza të tilla, duke pasur parasysh rrëmujën në të cilën gjenden dhe faktin që ti ke treguar për ta simpatinë që ke treguar. Sado e paarsyeshme, ka shumë gjasë (dhe sa duket kështu ka ndodhur) se ai të imagjinon ty shumë më të mirë se veten e vet (përbindëshi, etj,… etj.). Duket kryesisht si një koment për tërë ferrin nëpër të cilin po kalojnë ata. Po ashtu është fare e mundshme që Renatës t’i ketë ardhur maje hunde (megjithëse ajo nuk tingëllonte ashtu nga ajo që ti ke thënë rreth ndjenjave të saj për Rainerin, dmth, se ai ishte i sigurt se ishte njeri i madh, etj.) dhe është hedhur te ti si një alternativë e mbrame imagjinare. Mendoj se ky lloj i problemit është, ose ka qenë, provuar nga çdonjëri që ka qenë i martuar. Për çdo rast duket se gjëja më e mirë mund të jetë të mos i takosh ata për një kohë. Dmth, duket të jetë një problem thellësisht familjar – dhe subjekt i të gjitha irealiteteve të qarta dhe mungesës së racionalitetit në të cilat përfundojnë gjërat e tilla.
Për çdo rast, nuk do ta lë veten të përdorem si levë, në asnjë mënyrë, mes tyre. Kjo do të të lërë me bishtin e bastunit në dorë dhe herët a vonë do t’i kesh ata pas vetes. E vetmja gjë që mund të bësh është të bindësh Rainerin, s’ka rëndësi me çfarë faktesh, se supozimi i tij është fakt, etj., duke lejuar që ajo simpati bazike mes Renatës dhe teje të vazhdojë, çka nuk e përfshin atë, Rainerin. Po e detyrove ta bëjë këtë, kjo do të jetë atëherë përgjigja – por edhe një gjë kaq e madhe si varësia e tij prej saj për anglishten, etj., mund të kthehet në irritim për të dhe kështu më shumë se kaq domethënie e ‘kauzës’. Çështja është, mendoj, se në këtë nivel të lidhjes, duhet t’i flakësh të gjitha sjelljet ‘racionale’ dhe të marrësh këtë si një rrëmujë ku janë përfshirë dy njerëz – dhe më shumë se kaq, një rrëmujë ku personi i tretë vetëm mund ta humbë kokën e tij me gjasë në kuptimin dreqërisht të mirëfilltë të fjalës. Lërua një kohë të shkurtër dhe ma ha mendja se do të jesh përsëri mik i mirë me ta siç ke qenë më herët – por çështja është se, nëse Raineri vazhdon me idenë e tij dhe edhe ti qoftë edhe pa dashje i jep atij shkas për këtë, kjo vetëm mund ta bëjë atë të rezistojë edhe më ashpër se më parë. Sidoqoftë, kjo gjë kërkon një sasi të pashoqe të ‘vetëpërmbajtjes së krishterë’, është fat leshi nëse të vjen kur të nevojitet. Natyrisht, për ironinë e fatit, s’ka asgjë të bëjë me vetë ty.
E gjitha mund të tingëllojë shumë joreale sa do të argëtohesh pa masë po e besove, ose s’do të qeshësh fare me gjithë atë idiotësi të mallkuar. Por njerëzit sillen njëmend kështu, si reagim ndaj problemeve tmerrësisht më reale se sa ato që supozojnë se janë të tilla. Mirë pra, futja këtij budallallëku. Por mos mendo aq keq për rivalët imagjinarë të Rainerit, etj., etj., – ata bëhen si një lloj ushtrie kur njeriu mendon se është, në hipotezën më të mirë, një kafshë e kalbur.
Jam shumë i turpëruar që s’të kam shkruar për fotografitë, ato na pëlqejnë tepër shumë. (Nëse mund të kesh durim, do të doja të kisha më shumë kopje të tilla, për çmimin e të cilave do të ta dërgoj një çek posa Ann të ketë kohë të vendosë në cilën prej tyre duket më mirë, etj., etj. Ok).
Po ashtu radhija e librit – një ndihmë njëmend e madhe. I kam harxhuar nja dy ditë me të, duke shikuar me vëmendje dhe duke u munduar të gjej një lloj ndjesie të vërtetë të llojeve të ndryshme të radhitjes dhe përdorimeve të vërteta për të cilat mund të destihohen. Është hera e parë që pata mundësinë të bëj një gjë të tillë dhe është interesante përnjëmend.
Rene e ka përmendur një librari aty dhe shpresoj të funksionojë. Do të doja të kisha qenë aty. Mirë, në djall të shkojë. Siç janë punët tash, mund të të takoj bukur më parë se sa që mendoja, i.e., mund të kthehem në Shtetet e Bashkuara pranverën që po vjen. Olsoni ka shkruar për një gjallërim në BMC (çka do të të ivolvojë ty, mendoj, po aq sa edhe mua), nëse e gjithë kjo shkon mbarë dhe nëse aty ka ndonjë vend për mua, do të jem aty për marrëveshjen e re në mars. Ann dhe fëmijët pra do të vijnë më vonë, goxha trishtuese – por në fund të fundit do të jetë një fillim i ri. Më në fund, ndjenja e të bërit i huaj, këtu, është një pengesë e madhe – ose kjo është pasi që ekzaltimi i parë po shteron – pas dy vjetësh tashmë, etj., etj.
Sidoqoftë, kjo është një mundësi dhe po lutem fort të ndodhë. Olsoni tha se do ta merrte vesh përfundimisht çka do të ndodhte, brenda dy javësh a një muaji. Nëse gjërat shkojnë mbrapsht, ma ha mendja se s’do të kem interes më, ashtu si çdonjëri tjetër. Është çështje fondesh, si zakonisht – dhe nëse njeriu që i siguron ato është në sintoni me planin që Olsoni e ka përgatitur. Pra le të shpresojmë për mirë. Mund të jetë fundi.
Shumë mirë që libri po ecën mirë. (Do të duhej të kasapitje një ka a diçka të tillë dhe të lije lexuesin e fismë të krijojë një ide se prej nga vjen e gjithë kjo). Një gjë bukur e madhe për të cilën duhet këmbëngulur – në këtë mënyrë mund të duket si një ngushëllim i vagullt. Por kjo është e përkohshme. Jam i sigurt se shumë gjëra do të sqarohen posa të lirohesh nga ushria dhe gjërat e tjera. Nuk mund t’i bësh përnjëherësh. Thjesht s’është punë që bëhet.
Më vjen keq rreth parave. Mirë, mbase mund të gjejmë ndonjë zgjidhje edhe për këtë. Nëse do të jesh këtu deri në javën e dytë të dhjetorit, atëherë me siguri do t’i sigurojmë paratë. Përndryshe, çfarëdo ujdie që është e mundshme do të të jem njëmend mirënjohës.
Kaq sa për këtë herë. Prapë, mos më konsidero si dikush që fund hundët në punët e huaja. S’do të kisha thënë një fjalë të vetme po të mos ishte ai shënimi i Rainerit – dhe fakti se tekembramja kishe të drejtë ta kishe atë informacion.
Me tërë dashurinë tonë për ty,
Bob
/Marrë nga ‘The Selected Letters of Robert Creeley”, University of California Press, 2014
/Përkthimi: Gazeta Express