Poezia e javës/ Mari: Do të të kërkoj përherë - Gazeta Express
string(43) "poezia-e-javes-mari-do-te-te-kerkoj-perhere"

Poezia e javës/ Mari: Do të të kërkoj përherë

Arte

Donjeta Abazi

17/05/2024 16:31

Michele Mari (1955), shkrimtar, përkthyes, akademik italian. Ligjëron letërsinë italiane në Universitetin Shtetëror të Milanos. Botime në prozë: Tu, sanguinosa infanzia, Mondadori 1997; Tutto il ferro della torre Eiffel, Einaudi, 2002; Roderick Duddle, Einaudi, 2014; Leggenda privata, Einaudi, 2017. Poezi: Cento poesie d’amore a Ladyhawke, Einaudi, 2007; Dalla cripta, Einaudi, 2019. Është po ashtu autor i një sërë botimesh eseistike. Ka përkthyer në italisht autorë si R. L. Stevenson, Jack London, John Steinbeck, H. G. Wells, George Orwell, etj.

Ka bashkëpunuar me faqet kulturore të gazetave më të mëdha italiane.

Lexo Edhe:

DO TË TË KËRKOJ PËRHERË

Nga Michele Mari

Do të të kërkoj përherë

duke shpresuar të mos të të gjej kurrë

më the në ndarjen e mbrame

Nuk do të të kërkoj kurrë

duke shpresuar përherë të të gjej

t’u përgjigja

Për momentin mendjemprehtësia spekuluese

qe sublime

por çdo ditë që kalon

përforcohet në mua

një koment i vetëm

dhe ai koment thotë

dy imbecilë 

***

Shënim nga Donjeta Abazi

Dialogu mes dy personazheve në poezi është dialog tipik dashurie.

“Do të të kërkoj përherë / duke shpresuar të mos të të gjej kurrë”, kërkesë e thënë gati si e pamenduar ose e tej menduar, ashtu siç rëndom shprehen njerëzit e emocionit. Në dy vargjet e para të strofës së parë personifikohet një grua në inat, e thyer, e mllefosur, e zhgënjyer, as më pak e as më shumë.

E në dy vargjet e para të strofës së dytë:

“Nuk do të të kërkoj kurrë / duke shpresuar përherë të të gjej”, është një përgjigje poashtu tipike e një burri nën emocion. Ama loja e fjalëve në mes të “Do të të kërkoj përherë” dhe “Nuk do të të kërkoj kurrë” vazhdon të mbetet interesante, sepse ndërrojnë kuptim secila prej tyre nga fjalitë pasuese të secilës. E padyshim i rrinë estetikisht bukur poezisë.

Krejt në fund vjen ajo që dimë, që kuptojmë, nga e cila zakonsiht nuk shmangemi dot, në formë komenti : “dy imbecilë”.

/Marrë nga Michele Mari: Cento poesie d’amore a Ladyhawke, Einaudi, 2007

/Përkthimi Gazeta Express