Në tërësi, ditarët e Robert Schumannit përfshijnë 23 vëllime dhe rrokin një hark kohor nga viti 1827 deri më 1854. Në mesin e tyre ditarëve janë edhe ata që quhen Ditarët e martësës, të mbajtur bashkërisht nga Roberti dhe bashkëshortja e tij, pianistja dhe kompozitorja e njohur Clara Weick Schumann.
Robert Schumann
13 – 19 shtator 1840
13 shtator
Pak ngjarje, lumturi absolute. Nusja ime është një loçkë e vërtetë që nga dita në ditë po bëhet më e çmueshme. Lutem ta kuptojë sa të lumtur po më bën. Dita e trembëdhjetë ka qenë përnjëmend ditë feste. Në mëngjes shkuam në Grimma, veç ne të dy, me një kohë shumë të mirë. Mandej u ngjitëm në Rudelsburg1. Aty ishte Grabau me të shoqin. Ndërkohë të afërmit dhe miqtë kishin përgatitur gjithçkapër ditëlindjen e Klarës dhe ajo qe njëmend e kënaqur me të tërën. Me ne ishte nëna e saj (Marianne Bargiel), Karlët, Listët, madame Devrient, Becker da Freiberg, Wenzel, Reuter, Hermann. Elise [List] këndoi, me njëfarë pasigurie. Edhe Klara luajti, në mënyrë njëmend gjeniale, pastaj edhe unë po ashtu luajta pakëz. E gjithë kjo në një atmosferë të intimitetit dhe lumturisë absolute, pa teprime, e megjithatë me një ndjesi të thellë plotësie.
Tash e kemi këtu me ne një të afërme të Karlit, Agnes (Roller), një vajzë e mbarë që po merret në mënyrë të shkëlqyeshme me shtëpinë.
Në orën nëntë u ndamë. E gjithë ky gëzim dhe kjo lumturi na kishin lodhur.
E hënë, 14
Për herë të parë Klara përgatiti një pjatë: pritje e madhe në fytyrat e të të pranishmëve. Ishte njëmend e shkëlqyeshme. Pasdite Becker, për të cilin luajtëm shumë pjesë të Lieder. U ndamë me të në mbrëmje.
E martë, 15
Emilie (List) erdhi shumë herët. Pjekja e pare me mamanë. Jeta jonë shtëpiake zhvillohet në një atmosferë intimiteti absolut dhe besoj se po sjell të njëjtin efekt mbi mysafirët tonë. Na kanë bërë vizitë Lorenzi dhe Julius Beckeri.
Klara ime është magjepsëse në rolin e zonjës së shtëpisë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mua dhe shpesh e konsideroj veten naiv, por vetëm kur mendoj tepër për fatin që më ka rënë hise.
Në mbrëmje shkuam te Karët. E përshëndetëm nënën e Klarës që donte të nisej të mërkurën për në Magdeburg.
Të mërkurën në mëngjes shkuam t’i bënim vizitë zyrtare Hàrtelit, Kistenerit, madame Mendelssohnit, Davidit, Voigtit e Frieset. Me këta të fundit pimë shampanjë që menjëherë i ra në kokë zonjës sime. E reja Reiffel e ripërtriu miqësinë me Klarën.
Deri më tash ende s’kam mundur të punoj si duhet: dua ta rikuperoj kohën e humbur. edhe Klara po fillon të studiojë, tash po i luan fugat e Bachut dhe Mendelssohnit.
Pasdite erdhi te ne Emilie (List). Lieder në studion time. Doktor Oesterlei nga Hanoveri, shumë i edukuar. Njëfarë profesor Kittli nga Praga, të cilin s’arrita ta takoj për pak. Në mbrëmje erdhën te ne madame Friese dhe Rieffel, kjo e fundit është një vajzë e re e ndjeshme, me karakter të fortë dhe tregohet e tillë edhe në muzikë.
E enjte, 17
Ditë e qetë. Lumturi mes katër mureve tona. Në përgjithësi Klara është në humor të mirë. Në mëngjes erdhi Elise me ariet e Handelit.
E premte, 18
Ditë fare e thjeshtë. Pasdite erdhi doktor Kahlerti nga Breslavia, e bëra t’i dëgjojë ca Lieder, i përpiu duke i lavdëruar si të ishte kritik. Në mbërmje shkova të merrja gruan time (!) te madame List. I kërkova Elises me shumë diskrecion nëse mund «të guxoja t’ia kushtoja Eichendorff-Lieder e mia». Klara ime tashmë paraqitet si një grua e denjë për respekt të madh.
E shtunë, 19
Propozim për t’i analizuar njërën pas tjetrës pjesët e “Clavicembalo ben temperato” [të Bachut]. Tash po e analizoj Oratorion e Hillerit “Shkatërrimi i Jerusalemit2”. Në mëngjes erdhi kushëriri Pfund, të cilit ia treguam një copëz të parajsës sonë. Pastaj shkuam në qytet bashkë.
Pasdite erdhi doktor Kahlerti i cili i luajti për mua disa prej kompozimeve të tij, tëcilave duket se u kushton shumë rëndësi; tek ai sidoqoftë shkrimtari është ku e ku më superior se muzikanti. Me të dhe me zonjushën List shkuam te Voigti, i cili bëri një budallallëk të pakuptueshëm, e cila qe e mjaftushme për ta plasaritur përgjithmonë miqësinë tonë. Dëshirojmë aq shumë të qëndrojmë bashkë me të tjerët e megjithatë shumë herë disa persona me zemër të mirë janë budallenj, ndërsa atyre inteligjentë u mungon ndjeshmëria! Ia thashë Klarës, e cila, në përunjësinë e saj e mori këtë frazë si t’ia kisha drejtuar asaj.
Davidi luajti një kuartet të Mendelssohnit me Eckertin, Klengelin e Gresnerin dhe Klara luajti Trion e Mandelssohnit. Thënë më saktë, të dy palët luajtën kundër vullnetit tim. Më faltë qielli, po munda të dëgjoj gjithë atë muzikë! Ia bëra me dije Klarës dhe ajo u ndie keq, po pastaj u qetua menjëherë, kështu që në fund të javës sonë të parë mund të konfirmoj se ajo posedon gjithë atë që mund ta bëjë të lumtur një burrë dhe dëshira ime më e madhe, grua e dashur, është që ti të jesh po kaq e lumtur pranë meje.
Shënime:
Duhet të jetë ndonjë gabim i Schumannit, ngase Rudelsburgu – rrënoja të një kështjelle në rrethinat e Naumburgut – është rreth 70 lem. larg nga Grimma.
Schumanni e kishte recensionuar ekzekutimin e parë të veprës së Hillerit në «Neue Zeitschrift fur Musik», më 10 prill 1840.
/Marrë nga “Casa Schumann – Diari 1841-1844”, EDT, 1998
/Përkthimi Gazeta Express