Vetëvendosja ra në grackën e vet kur kërkoi që të mos certifikohen personat e dënuar - Gazeta Express
string(85) "vetevendosja-ra-ne-gracken-e-vete-kur-kerkoi-qe-te-mos-certifikohen-personat-e-denuar"

Vetëvendosja ra në grackën e vet kur kërkoi që të mos certifikohen personat e dënuar

Gazeta Express

12/01/2021 14:07

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur ta fitojë rastin në Gjykatën Kushtetuese pasi kontestoi në këtë institucion votën e deputetit Ethem Arifi për Qeverinë Hoti. Por, ky subjekt i dha një “plumb qorr” liderit të saj Albin Kurti, i cili me aktgjykimin e Kushtetueses nuk ka të drejtë të kandidojë në zgjedhjet e 14 shkurt, pasi edhe vetë është i dënuar për vepër penale. Që personat e dënuar në 3 vitet e fundit me dënim të prerë të Gjykatës të mos certifikohen si kandidatë për deputetë ka kërkuar vetë përfaqësuesi i VV-së gjatë seancës dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese, më 2 dhjetor të vitit të kaluar.

Albin Kurti ka arritur ta fitojë betejën me Avdullah Hoti në Gjykatën Kushtetuese pasi ky institucion shpalli se vota e deputetit Ethem Arifi ishte antikushtetuese. Por, aktgjykimi i institucionit më të lartë gjyqësor në vend nuk ka pasur për pasojë vetëm rrëzimin e Hotit i cili u bë kryeministër i ri i vendit pas prishjes së koalicionit VV – LDK. Aktgjykimi prodhoi pasoja edhe për vetë Kurtin, i cili nuk ka të drejtë të kandidojë si deputet në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit pasi është i dënuar për vepër penale.

Lexo Edhe:

Në aktgjykimin 65-faqësh të Gjykatës Kushtetuese, në nenin 93 të saj,  përmendet kërkesa e përfaqësuesit ligjor të VV-së pranë Gjykatës Kushtetuese, i cili duke argumentuar rreth rastit të Arifit ka thënë se ai nuk është dashur të certifikohet fare. Por, kur aktgjykimi i Kushtetueses ka marrë formë, ka afektuar edhe vetë Kurtin.

“93. Por, sipas përfaqësuesit të parashtruesve të kërkesës, Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat për deputet, bazuar në nenin 55 të Kushtetutës, i cili parasheh që të drejtat dhe liritë mund të kufizohen vetëm me ligj dhe, rrjedhimisht, në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili parasheh që një person është i aftë të kandidojë si kandidat për deputet, përveç nëse është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) 16 vitet e fundit. Përfaqësuesi i parashtruesve të kërkesës theksoj se moszbatimi i Nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është “papërgjegjësi totale juridike e KQZ-së”, thuhet në aktgjykim.

Pika 93 e Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese

Liderit të VV-së, Albin Kurti, Gjykata e Apelit ia kishte vërtetuar dënimin me kusht në verën e vitit 2018. Pra, ende nuk kanë kaluar 3 vjet. Fillimisht dënimi ishte shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar të vitit 2015 ku Kurti i kishte shpallur fajtorë bashkë me Donika Kadaj-Bujupin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin, për dy veprat penale, atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Aktgjykimi i Kushtetueses në mënyrë decidive e bën të qartë se ata dhe personat e dënuar në 3 vjetët e fundit nuk kanë të drejtë të kandidojnë për deputetë.

298. Rrjedhimisht, duke u bazuar në gjuhën e qartë të nenit 71.1 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nënparagrafit 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës” thuhet në aktgjykim. /GazetaExpress/