Tregimi i javës/ Machado: Gaetaninho - Gazeta Express
string(34) "tregimi-i-javes-machado-gaetaninho"

Tregimi i javës/ Machado: Gaetaninho

Arte

Gazeta Express

29/03/2024 16:02

Antônio Castilho de Alcântara Machado de Oliveira (1901 –1935) shkrimtar, gazetar dhe politikan brazilian. I njohur sidomos për dy përmbledhjet me tregime të shkurtra: “Brás, Bexiga e Barra Funda”, 1927 dhe “Laranja da China”, 1928.

GAÉTANINHO

Lexo Edhe:

“Gaetaninho*, çka je duke bërë këtu?”

Ai ishte duke parë ëndrra me sy hapur mu në mes të rrugës. Nuk e pa fordin që pothuajse e goditi. Nuk e dëgjoi fjalën e ndyrë që ia tha shoferi.

“Hej, Gaetaninho! Eja brenda në shtëpi”.

Ishte një britmë e vërtetë mëmësore: edhe një fëmijë i shurdhër do të mund ta dëgjonte. Ktheu fytyrën e tij të shëmtuar nga piklat. E pa nënën e tij dhe e pa pantoflën në dorën e saj.

“Ngutu!”.

Ai shkoi pas saj, ngadalë, ngadalë. Paksa i vrenjtur. Me sytë përtoke. U ndal pikërisht para nënës së vet. U kolovit një çikëz. Marifet i një kampioni futbolli. Lëvizi lehtësisht në të djathtë. Pastaj befas bëri një gjysmëkthim dhe u turr majtas përmes derës.

Djalosh, kjo ishte lëvizje e përsosur mashtruese!

Kur njerëzit udhëtonin në Orient Street, udhëtonin me tramvaj. Automobilat dhe karrocat përdoreshin veç për funerale. Për funeral ose dasmë. Për këtë arsye ëndrrat e Gaetaninhos nuk bëheshin realitet kurrë. Thjesht ëndrra.

Merreni Bepinon për shembull. Atë pasdreke ai bëri një udhëtim me karrocë përreth qytetit deri në Araçá. Po si? Duke marrë pjesë në procesionin funeral të hallë Permetes. Kjo ishte mënyra e vetme. Durim.

Gaetaninho rrasi kokën nën mbulojë.

Çfarë vakie, djalosh! Përpara, katër kuaj të zinj me pupla po e bartnin hallë Filomenën për në varrezë. Mandje erdhi prifti. Pastaj erdhi Severio, i fejuari i saj, me shaminë e tij në sy. Pastaj Gaetaninho. Lart në pupë, ngjitur me karrocierin. Me kostumin e tij detar dhe kësulën e bardhë me fjalët Sâo Paulo Dreadnought në të. Jo. Kostumi detar ishte në rregull, por në vend të kësulës mund të kishte vënë kapelën e re prej kashte që vëllai i tij ia kishte sjellë nga fabrika. Çfarë vakie, djalosh! Brenda karrocës babai i tij, dy vëllezërit e tij më të mëdhenj (njëri me kravatë të kuqe, tjetri me kravatë të hirtë) dhe kumbara i tij z. Salomon. Shumë njerëz në trotuare, te dyert e hyrjes dhe në dritaret e shtëpive të bukura, duke bërë sehir procesionin. Posaçërisht duke e adhuruar Gaetaninhon.

Por Gaetaninho nuk ishte i kënaqur me tamam. Donte ta mbante kamxhikun. Karrocieri ishte i pashpirt dhe s’ia lejoi. As edhe për një çast të vetëm.

Gaetaninho ishte në prag të bërtiste, por hallë Filoména e zgjoi, duke kënduar Oh Maria, siç bënte çdo mëngjes.

Në fillim ai qe i pakënaqur. Mandej pothuajse qau me urrejtje.

Hallë Filoména pati një sulm nervash kur mori vesh për ëndrrat e Gaetaninhos. Në të vërtetë, e gjithë familja ishte e alarmuar nga oguri i keq. Gaetaninho ndjeu keqardhje. Që t’i qetonte mendjet e tyre, vendosi ta zëvendësonte hallën e tij me dikë tjetër në një version të ri ëndrrash. Vrau mendjen, vrau mendjen dhe në fund zgjodhi ndezësin e llampave të Komapnisë së Gazit, z. Rubino, i cili njëherë i kishte dhënë Gaetaninhos një kokallë në kokë me nyjat e gishtrinjve.

Vëllezërit e tij (s’do ta besonit) gjetën ca arsye okulte në ëndërr që të zgjidhnin një numër të caktuar për të vënë bast në lojën e numrave. Ata humbën dhe shanë veten pse s’e kishin kuptuar se numri i vërtetë i fitores ishte ai që dilte më logjikisht nga ëndrra.

Loja e futbollit në trotuar dukej si një çështje jete a vdekjeje. Pavarësisht kësaj Gaetaninho nuk po i kushtonte vëmendje.

“A e njeh babanë e Alfonsit, Bepino?”.

“Babai im njëherë e kishte qëlluar në fytyrë”.

“Atëherë nuk do të të ftojnë në funeral. Unë po shkoj”.

Vinsenti, i indinjuar, tha: “S’do të luaj më. Gaetaninho po e lë lojën”.

Gaetaninho u kthye në pozitën e tij të portierit. I përgjegjshëm sa s’ka më. Nino doli para tij, duke dribluar topin. Iu avit bukur afër. Me trupin e tij të harkuar, gjunjët e anuar, krahët e nderë, duart e hapura, Gaetaninho ishte i gjithi i përqendruar te mbrojtja.

“Pasoja Bepinos!”.

Bepino bëri dy hapa dhe goditi topin. Me tërë takatin. Shkoi mbrapa kokës pikalore të portierit dhe u rrokullis në mes të rrugës.

“Kjo ishte goditje se jo mahi!”.

“Mbylle, gojëmadh!”.

“Merre topin!”.

Gaetanonho ngarendi pas tij. Para se ta kapte topin një tramvaj e qëlloi atë. E qëlloi dhe e mbyti.

Babai i Gaetaninhos ishte në tramvaj, duke u kthyer në shtëpi.

Fëmijët u frikësuan. Në mbrëmje ata e përhapën lajmin.

“A e njeh Gaetaninhon?”.

“Si është puna me të?”.

“E ka shkelur një tramvaj!”.

Fqinjët nxorën jashtë teshat e së dielës dhe i pastruan me benzinë.

Pasditën e nesërme, në orën katër, procesioni funerar u nis nga rruga Lindore dhe Gaetaninho nuk ishte në pupën e karrocierit të asnjërës prej karrocave në vargan. Ai ishte lart në një kofin të mbyllur të mbuluar me lule të lira. Mbante kostumin detar dhe zharrëtjera, por jo edhe kapelën prej kashte. Në pupën e njërës prej karrocave të procesionit të vogël ishte një djalosh. Ishte Bepino, mbante një kostum të kuq shkëlqyes dhe madhështor.

Shënim:

Gaetaninho – dimunitiv i emrit Gaetano.

/Marrë nga “Modern Brazilian Short Stories”, University of California Press, 2020

/Përkthimi: Gazeta Express