Recensioni i javës/ Një edukim sentimental kosovar - Gazeta Express
string(49) "recensioni-i-javes-nje-edukim-sentimental-kosovar"

Arte

Gazeta Express

29/03/2024 15:59

Recensioni i javës/ Një edukim sentimental kosovar

Arte

Gazeta Express

29/03/2024 15:59

Rreth romanit Balada e buburrecit (Ballata dello scarafaggio) të Shpëtim Selmanit, botuar në Itali nga Crocetti me përkthim të Fatjon Lamçes

Sarah Majocchi

Lexo Edhe:

Balada e buburrecit (Ballata dello scarafaggio) i Shpëtim Selmanit, botuar në Itali nga Crocetti me përkthimin e shkëlqyshëm të Fatjon Lamçes, ëstë një roman i egër, është një marramendje, një këmbë në humnerë.

Lucid në analiat e tij, çarmatosës, prore në zgrip – e emgjithatë në ekuilibër – mes dëshmisë së dëshpërimit të tij dhe të popullit të tij dhe angazhimit të pandalshëm, sfilitës, teksa na udhëheq mes fushave të gjera dhe majave më të paqasshme të gjendjes së dhimbshme njerëzore, autori rijeton përmes kujtesës njërën prej faqeve më të dhimbshme të historisë bashkëkohore: luftën në Kosovë të vitit 1999. Një qarkthim mes historisë së tij intime dhe të përditshme dhe asaj kolektive, për të vënë në dukje se e vogla dhe e madhja, personalja dhe shoqërorja janë një realitet i vetëm.

Bir i Edukimit sentimental të Flaubertit, romani i Selmanit tregon rënien e një gjenerate të privuar nga të drejtat dhe nga ëndrrat e veta dhe përforcimin në pushtet të një klase dominuese meskine dhe pa skrupuj. Selmani na flet haptaz për ambicien, dyshimin, armiqësinë, lidhjet, dëshirën, vullnetin, madje edhe për dembelinë e tij: është tregimi i një inicimi në jetë.

I strukturuar në formë ditari – pesëdhjetë e katër tablo të shkurtra në stil fragmentar – Balada e buburrecit lëviz mes të së kaluarës dhe të së tashmes së jetës së autorit, duke rrëfyer, në një stil të thatë dhe thelbësor, tmerret dhe bukurinë e jetës së të gjitha qenieve, njerëzore e kafshërore. E bën me kryeneçësi, delikatesë dhe tërbim, pa asnjë pretendim as mëtim që të rregullojë botën, të japë mësime a të ngushëllojë. Frazat e copëzuara dhe sintaksa parataktike, që ta sjellin ndërmend zhurmën e një plumbi, nuk e pengojnë veprën të rezultojë kompakte, e vetëdijshme, rrjedhëse.

Fusha e interesit e Selmanit është letërsia, muzika, takimet, por edhe lufta, gjendja e tij si fëmijë, i rritur dhe baba. Kësodore i përzien Hemingwayn dhe Houellebecqun, Tom Waitsin dhe Brodskin, Anne Sextonin dhe Dylanin, Bandinin, Knausgårdin, punk-rockun e Lindjes, Maradonën, Sepulvedën, Pushkinin, kështjellën e Lavignyt dhe platformën Zoom. I ngritur dhe popullor. Ngase çdo kontribuuon në ndërtimin e hsitorisë së njerëzve dhe individit.

Jemi mësuar me bukur deklarata të tjera poetike, rrëfime bukur të tjera.

Céline thoshte se ka dy mënyra për të shkruar: të bësh letërsi dhe të bësh gjilpëra për t’i ngulur mizat në to. Shpëtim Selmani shkruan poezi, pëshpërit, ulërin, miklon, kamxhikon. I bën gjestet që i bën çdo njeri tjetër. Dhe e bën hapur, pa uniformë a armë, pa asnjë pushtet përveç atij të dyshimit, mendimit, kërkimit të identitetit të vet. E bën përmes letërsisë.

Lufta bën keq, brenda e jashtë. Është ujësi që na tregon për çka jemi të destinuar. Por Selmani na paralajmëron se bën keq edhe letërsia që vuan nga mungesa e domethënies, kërkimi i ngushëllimit të lehtë, gjuha aprosimative dhe e rëndomtë.

Duhet kryeneçësi që t’i bësh ballë jetës personale dhe asaj të të tjerëve dhe të kesh forcë ta rrëfesh. Lypset një vështrim i mprehtë dhe i butë dhe zotësia për ta njohur diferencën që fle aty. Shpëtim Selmani e njeh.

Sot ka diçka ku të shohim, në këtë panoramë letrare të asfiksuar. Një autor i ri, një Bolaño i vogël i madh kosovar, që di – e dëshmon në faqet më të bukura, ato kushtuar raportit të tij me gruan dhe fëmijën – se para se të jetë një shkrimtar i madh duhet të dojë të luftojë për t’u bërë njerëzor.

/rvisitagradozero.com (https://www.rivistagradozero.com/2024/03/06/uneducazione-sentimentale-kosovara/)

/Përkthimi: Gazeta Express