‘Paraphernalia’ ekspozitë virtuale në Muzeun ‘Marubi’ - Gazeta Express
string(49) "paraphernalia-ekspozite-virtuale-ne-muzeun-marubi"

‘Paraphernalia’ ekspozitë virtuale në Muzeun ‘Marubi’

Arte

Gazeta Express

15/03/2024 16:29

Ekspozita online kuruar nga Lek Gjeloshi është e çasshme për publikun në faqen zyrtare të Muzeut Kombëtar të fotografisë “Marubi”.

Ka parfume të forta për t’cilat çdo landë

Lexo Edhe:

asht poroze. T’thotë mendja se edhe qelqin e shpojnë.

Kur hapin një syndyk, ardhë prej Orienti,

që brava i kërset e i cijzë me za gërvishtës

o në një shpi të shkretë, n’ndo’j raft të moçëm

plot me erën e athët të kohës, të zi dhe të pluhnosun,

qëllon kajherë me gjetë nji shishkë që mban mend

prej kah i gjallë kërcen nji shpirt i çuem lugat. (1)

– Charles Baudelaire

Kontaktin ma të parë me fotografinë e kam pasë me nji album të Dinastisë Marubi, të prodhuem në Francë: Albanie. Visage des Balkans. Écrits de lumière, Arthaud, 1995. Nji ish nxanës i gjyshes ia kishte dhurue asaj në shenjë respekti. E shfletova mbi nji baulë, ku ruente lloj-lloj sendesh (edhe librin në fjalë). Prej atij çast automatik shfletimi, e të painteresuem, ruej të kthjellët veç megjepsjen që provova para fletëve të zeza futë, ku ishin vendosë imazhe me cepa të thyem.

Nji trajtë fotografike kësisoj, e pakopsitun gjeometrikisht, m’u paraqit edhe vite ma vonë, kur u ndesha rishtas me nji album të arkivit në fjalë, i cili bante bashkë nji numër ma të madh autorësh: Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi, FKM, 2015. Edhe këtu pjesa dërrmuese e fotografive ishte faqosë në të zezë, por ishte ma e fikun se ajo e francezëve.

Më patën ba përshtypje katër fotografi të Shan Picit (1904-1976), të cilat e ndërprenin ritmin mbizotnues e imponent të katalogut me rituale solemne, me sfonde idilike e subjekte të shtangun. “Fotot e mia”, në atë çast, ishin veç disa produkte e qelqurina të shkrepuna në vitin 1929, pesë vite mbasi Shan Pici bashkë me vllaznit e tij, Tefën e Ndrekën, kishin hapë në Shkodër studion “Fotografija Pici” (nji studio që këtë vit do të kishte celebrue 100 vjetorin e themelimit të saj). (2)

Me shpejtësinë e beftë të shikimit, kur ai don me i rrokë përnjiherë impulset, dizajni i atyne shishe, drita eterike e mbrapaskenës së pezullt, kaligrafitë e etiketat, portretet e damave, format e shkallëzueme e peshtahet, evokonin aspirata mondane e botë të largta. Tregonin, gjithashtu, për seriozitetin me të cilin këto produkte ishin konceptue e qitë në treg.

Me nji shpejtësi tjetër – këtë herë ma cerebrale – ato produkte, përtej pasunisë së naltpërmendun, m’u rikrijuen si konglomerat i mistershëm, si “paraphernalia” që qarkullonin rretheqark asaj qendre ku rrezatonin aspirata përparimtare e marrëzi të përbotshme: siç e përkufizonte Baudelaire-i – “poeti lirik në erën e kapitalizmit të epërm” (3) – Parisin e kohës së vet.

Ma fort se para do sendesh kozmetike, pata pershtypjen se ishin flakonë me eliksir, porcione të mbështjellun me temjan e opium, me merkur e shishe “Absinti” që do të servireshin – ashtu siç e kërkonte zakoni ma i mirë i poetëve “maudit” – nën dorë.

Nji përfytyrim që fotografia vetë e kishte distilue me psikedelinë e saj kimike, me xhelatinën e thatë e krypën e argjendit mbi xham, të rrafshueme mbi fletë të albumit si “lule herbariumi”.

Në vitet 1920, në Shkodër, Vllaznit Pogu kishin ndërtue fabrika: voji, sapuni, duhani, e tregtonin edhe parfumet në fjalë. Fabrikat e tyne punonin me makineri të ardhuna prej Perendimit. Vite ma vonë, mbasi regjimi komunist u konsolidue, fabrikat iu mbyllën, pasunitë iu sekuestruen dhe Tefë Pogu u dënue me burg. Tregojnë – e këto janë dëshmitë e së bijës – se gjyqi iu ba në shpinë e tij.

Ndërkohë, në panoramën ndërkombëtare, falë zhdërvjelltësisë me të cilën përdorimi i imazhit ishte thurë me rekuizitat e një “marketingu” si të thuesh ante litteram, fotografia e reklamës kishte pasë rritje eksponenciale. Nëse në vitet 1920 kjo tipologji fotografike ishte përdorë në ma pak se 15 përqind të reklamave të ilustrueme në revistat e masës, në vitet 1930 përqindja kishte shkue thuejse në 80. Përgjatë atyne vite, estetika publicitare dhe efektet e saj, butësia e atmosferave glamour, sloganet hiperbolike etj., ndoqën, paralelisht, edhe zhvillimet e dizajnit industrial. (4)

Në kontekstin tonë historik këto premisa mbetën sporadike. Vorbulla e shtetizimit, ma tej, mori para çdo iniciativë (përfshi këtu edhe studiot e fotografëve qytetës), e i la mbrapa si tendenca të venituna. Potenciale që i ruejmë, në konkluzion, si gjurmët e mbrame të nji “krisalide mortore”: të nji larve që s’mbrriti me u ba kurrë flutur.

/Express