Nga Talini estonez te “Trekëndëshi” i Prishtinës: Transformimi i identitetit dhe kujtesës kolektive - Gazeta Express
string(96) "nga-talini-estonez-te-trekendeshi-i-prishtines-transformimi-i-identitetit-dhe-kujteses-kolektive"

Nga Talini estonez te “Trekëndëshi” i Prishtinës: Transformimi i identitetit dhe kujtesës kolektive

OP/ED

Gazeta Express

23/03/2024 17:19

Monumentet e epokës sovjetike në disa pjesë të Evropës Qendrore dhe Lindore janë sulmuar apo larguar, që kur Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022. Kjo luftë me të drejtë merr vëmendjen e madhe te mesia dhe publiku i vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore, të cilave kjo luftë u risjell në kujtesë përvoja të shumta trautatike nga periudha e sundimit brutal sovjetik, përkatësisht nga represioni stalinist dhe post-stalinist që zgjati për gati 70 vjet në Bashkimin Sovjetik dhe për mbi 45 vjet në rajonet e Evropës Lindore që kishte nënshtruar në shekullin e 20-të. Për disa monumentet sovjetike janë simbole të pushtimit të vendit nga Ushtria e Kuqe dhe regjimi i Stalinit, kurse për të tjerët ato kujtojnë fitoren kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Por sulmi rus kundër Ukrainës ka nxitur sërish diskutimet për monumentet dhe statujat e periudhës sovjetike edhe në Estoni, Letoni, Lituani, Bullgari, Poloni,  dhe në vetë Ukrainë, ku objekte dhe statuja të periudhës sovjetike u hoqën me nxitim pas fillimit të agresionit rus. Fokusi i vendeve baltike dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore është përpjekja për heqjen dhe eliminimin e trashëgimisë kulturore-historike sovjetike nga hapësirat publike. Ekspertët thonë se ekspozimi i kësaj trashëgime duhet të ndodhë brenda muzeve historik si pjesë e përpjekjeve për transformimin e identitetit dhe kujtesës kolektive.

Shkruan: Sylë UKSHINI– (Ish-i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri)

Lexo Edhe:

Për dallim nga këto vende, në Kosovë, megjithëse ekziston një solidaritet me popullin ukrainas,  deri më sot nuk ka patur ndonjë debat të mirëfilltë për të kaluarën, siç nuk ka pasur për shumë tema. Prandaj, pos kritikave me ose pa vende për monumentet, shtatoret dhe emërtimet vend e pa vend e shpesh edhe pa shije, ka munguar debati akademik dhe politik se çfarë duhet bërë me monumentet e periudhës komuniste, e cila shqiptarëve u ka sjellë jo pak vuajtje. Ndoshta, një nga arsyet përse kjo gjë ndodhë tek ne, është se akoma kemi bërë ndriçim të plotë e të paanshëm shkencor të së kaluarës komuniste të vendit, dhjetëra mijë njerëz dhe familje kanë pësuar internime, burgosje, vrasje, diferencime politike dhe forma tjera të represionit. Pavarësisht kësaj, në kujtesën tonë kolektive ekziston një histori e bujshme orale për të kaluarën e Kosovës nën regjimit komunist dhe rolin e Ushtrisë së Komuniste Jugosllave që nga fund i vitit 1944 e tutje, kur pushteti komunist urdhëroi vrasjen e mijëra shqiptarëve. Derisa u botua libri i studiueses Isabel Ströhle “Aus den Ruinen der alten erschaffen wir die neue Welt_ Herrschaftspraxis und Loyalitäten in Kosovo (1944–1974)” (Ndërtimi i një bote të re mbi rrënojat e së vjetrës: Modelet e qeverisjes dhe lojalitetit në Kosovë (1944–1974), Kosova mbeti një hapësirë ​​boshe në kërkimet mbi Jugosllavinë Socialiste, një fakt befasues duke pasur parasysh se Kosova kishte qenë një faktor shumë kritik si në stabilitetin ashtu edhe në shkatërrimin e saj përfundimtar.

Nga Estonia në Prishtinë

Agresioni rus kundër Ukrainës shkaktoi  debat të vrullshëm  te shtetet e pavarura të Evropës Lindore, dikur republika të ish-Bashkimit Sovjetik, lidhur me monumentet dhe statujat e epokës sovjetike. Në gusht të vitit 2022 Radio Evropa e Lirë publikoi një lajm se Talini kishte deklaruar heqjen e monumenteve sovjetike nga hapësirat publike anembanë Estonisë. Kryeministrja estoneze Kaja Kallas deklaroi se “Monumentet sovjetike duhet të hiqen nga hapësirat publike dhe ne do ta bëjmë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur”. Heqja e 200 monumenteve dhe statuajave të epokës sovjetike në shtetin baltik të Estonisë ishte pjesë e përpjekjeve të qeverisë estoneze për të hequr simbolet e epokës sovjetike në vend dhe për të treguar solidaritet me Ukrainën. Për estonezët prania e mëtutjeshme e monumenteve komuniste të periudhës sovjetike në kontekstin e pushtimit rus në fakt shënon hapje të plagëve të së kaluarës, kujton periudhën e dominimit dhe shtypjes nga Moska. Ashtu siç kishte ndodhur edhe në Kosovë dhe gjithandej në vendet komuniste, sipas autoriteteve estoneze, më shumë se 75,000 qytetarë ishin vrarë dhe burgosur ose depërtuar nga sovjetikët midis viteve 1940 dhe 1991. Ndaj këtij vendimi të shtetit të vogël në baltik reaguan menjëherë autoritetet ruse.

Fati i monumenteve që glorifikojnë regjimin sovjetik të vendosura në Letoni ka ngjallur debat të madh i cili ka mbërthyer aktualisht kombin letonez, i cili menjëherë pas pushtim rus të Ukrainës ka ndjekur hapat e autoriteteve estoneze. Ky shtet ka miratuar ligje për heqjen dhe çmontimin e monumenteve sovjetike, edhe pse ka qytetarë të tillë që thonë se ky veprim e fshin historinë e vendit. Për shumë qytetarë etnik rusë, shembja e këtyre monumenteve është e barabartë me rishkrimin e historisë. Megjithatë, autoritetet lokale në Riga, kryeqyteti i vendit, nuk kanë hezituar të çmontojnë monumentet e mbetura sovjetike. Sipas kryebashkiakut të Rigës, qyteti nuk dëshiron më simbole të totalitarizmit, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës. “Ne fillimisht menduam të riemërtonim monumentin. Por kjo nuk u pranua nga popullata. Pas këtij propozimi, njerëzit filluan të dhurojnë për ta hequr këtë monument. Këto donacione mbuluan shpenzimet për prishjen e tij,” shpjegoi Martins Stakis, kryebashkiak i Rigës. Disa monumente që konsiderohen të rëndësishme mund të përfundojnë në Muzeun e Pushtimit të Letonisë. Atje, këto artefakte historike do të ruhen dhe ekspozohen – në kujtesën e një kapitulli traumatik në historinë e Letonisë.

Pllakat dhe monumentet përkujtimore sovjetike janë hequr tashmë në disa qytetet të Lituanisë. Në dhjetor të vitit 2022 filloi çmontimi edhe i statuja gjigante të epokës sovjetike, që qëndronte në një varrezë në kryeqytetin Vilnius. “Ne do të pastrojmë veten nga ky simbol sovjetik. Një ditë e lumtur, një moment i lumtur”, deklaronte kryetari i bashkisë së Vilniusit, Remigijus Simai. Këto statuja do të transferohen në Muzeun Kombëtar të Lituanisë.

Edhe në Bullgari prej dekadash vazhdon debati për të kaluarën e regjimit komunist dhe rolin e Ushtrisë së Kuqe. Studiuesit pohojnë se vetëm tre muaj pas pushtimit të vendit nga Ushtria e Kuqe, më 9 shtator 1944 pushtetin e mori një regjim komunist, i cili urdhëroi vrasjen e 18 mijë deri 30 mijë vetëve, mes të cilëve shumë fetarë, gazetarë, ish-ministra dhe latifondistë. Në dhjetor të vitit 2013 në qendër të diskutimeve të tilla janë vënë edhe monumentet komuniste të periudhës sovjetike në Bullgari,  respektivisht monumenti gjigand që ishte ndërtuar për nder të Ushtrisë së Kuqe, që ngrihet në një park në qendër të kryeqytetit bullgar, Sofie. Ky monument u çmontua me justifikimin se do të restaurohet.

Një atmosferë më radikale mbretëron në Ukrainës, ku fushata kundër trashëgimisë sovjetike është e pakontestueshme për shkak të agresionit të fundit rus. Kievi ka përshpejtuar përpjekjet për të fshirë gjurmët e shekujve të ndikimit sovjetik dhe rus nga hapësira publike, duke rrëzuar monumente dhe duke riemërtuar qindra rrugë për të nderuar artistë, poetë, shefa ushtarakë dhe udhëheqës të pavarësisë ukrainase. Në mes të pushtimit rus, në gusht të vitit 2023 Kievi zëvendëson çekiçin dhe draprin sovjetik me stemën treshe të Ukrainës, Monumentin e Atdheut. Një monument tjetër i epokës sovjetik ishte edhe Monumenti për Përkujtimin e Ribashkimit të Ukrainës me Rusinë në Kievin qendror, i cili u rrënua në prill 2022.  “Ne duhet të edukojmë rininë tonë në mënyrë që ata të dinë historinë tonë,” pohon Zoya Kobyliukova, 82 vjeçe, e cila e përshkroi komunizmin si një “utopi” që çoi në vrasjen e shumë njerëzve.

Një situatë pothuajse identike ishte edhe në Poloni. Pas Luftës së Dytë Botërore në këtë shtet ishin ndërtuar një numër i madh monumentesh të periudhës sovjetike. Deri para pak kohësh në shtetin polak llogariteshin rreth 600 monumente, statuja dhe simbole. Por, sapo ndodhi agresioni rus kundër Ukrainës, këto monumente po zhduken me shpejtësi. Në fakt, qysh me 2016 kryeministrja polake Beata Szydlo kishte paralajmëruar se simbolet e komunizmit duhet të zhduken nga hapësira publike në Poloni dhe kjo është një “punë e natyrshme dhe normale”, meqë shumë polakë janë të zemëruar “që këto simbole vazhdojnë te jenë në shumë vende. “Në shoqërinë polake ekziston konsensus se  Bashkimi Sovjetik nuk solli liri, ai Polonisë i solli robëri.

Rasti i Kosovë

Kanë kaluar 35 vjet kanë nga shembja e Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe 25 vjet nga çlirimi i saj përfundimtar nga okupimi serb, që konsiderohet si pika kulmore e luftës për liri të popullit shqiptar të Kosovës. Por, Kosova paraqet nj precedent të çuditshëm, ndoshta më të çuditshëm në Evropë, edhe pse në fund të luftës botërore në Kosovë vihet pushteti ushtarak, ndërsa në Kuvendin e Prizrenit (19145) u mohua Rezoluta e Konferencës së Bujanit dhe Kosova iu aneksua në mënyrë të njëanshme Jugosllavisë socialiste, që u shoqërua paralelisht me dhunë sistematike, me vrasje dhe përndjekje në masë, ndodhë masakra e Tivarit, dhe më pas u riaktivizua dëbimi i kosovarëve për në Turqi, ky kapitull i historisë sonë ka mbetur pa një trajtim të plotë. Historia kosovare e kësaj periudhe vazhdon të trajtohet, me pak ndryshime, si në kohën e komunistëve. Në Kosovë ende nuk ka një studim të plotë dhe të mirëfilltë për periudhën e rezistencës së luftëtarëve të Shaban Polluzës, të NDSH-së, as për periudhën e vendosjes së pushtetit ushtarak, për procesin e “turqizmit” të shqiptarëve, aksionit të armëve dhe shumë ngjarjeve nëpër të cilat kaloi Kosova në harkun kohor 1945-1990.

Për shkak të rrethanave nëpër të cilat kaloi Kosovë në periudhën 1990-1999, kur ndodhi një homogjenizimin kombëtar, kur u bënë bashkë viktima me ekzekutorin, deri më sot nuk ka ndodhur një përballje kritike me të kaluarën. Për më tepër, edhe njerëzit e ish-nomenklaturës komuniste në Kosovë asnjëherë nuk kanë denjuar të flasin dhe kanë zgjedhur heshtjen për vrasjen dhe ekzekutimin e oponentëve politikë shqiptarë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri te përmbysja e sistemit socialist, nuk pasur as ndonjë përgjegjësi apo kërkim falje për fushatën e dëbimit të dhjetëra mijë shqiptarëve për në Turqi apo të ashtuquajturin aksion të armëve, si dhe për kalimin dhe për “përpunimin” e 700 mijë nga organet e sigurimit. Ish-komunistët kosovarë asnjëherë nuk kërkuar falje. Për çdo gjë që kishte shkuar keq fajtor ishte UDB-ja, thoshin ata. Është interesant se edhe historiografia shqiptare në Kosovë nuk ka dhënë ndonjë kontribut të shënuar në këtë drejtim.

Si rrjedhim, vetëm në Kosovë nuk ka pasur një qëndrim të formësuar shkencor dhe as ndonjë proces të zbardhjes së krimeve komuniste nga koha e Jugosllavisë. Shumë vrasje politike në Kosovë apo diasporë gjatë komunizmit dhe sidomos ato pas luftës së fundit, apriori i janë adresuar shqiptarëve mes vete, përderisa dihet se Beogradi i ka trashëguar strukturat sekrete dhe skuadrat e vrasjeve dhe ekzekutimeve politike, e për të cilat gjithsesi që kanë pasur njohuri edhe njerëzit e ish-regjimit komunist. Ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet e  tjera, edhe në Kosovë mendoj se jemi marrë tepër me çështjet e sigurisë, pra me UDB-n, apo pas luftës edhe me SHIK-un, në kuptimin operativ. Kjo ka larguar vëmendjen nga personat kryesorë përgjegjës në Partinë socialiste LKJ-së. . Një ekspert gjerman Roland Jahn, vite më parë pati deklaruar se “të gjithë ata që kanë jetuar në DDR duhet të shtrojë pyetjen: cila ishte përgjegjësia ime në kohën e diktaturës 40-vjeçare?”. Kjo gjë nuk ka ndodhur as në Kosovë. Pranimi i fajit dhe kërkimi i faljes kanë ndodhur shumë rrallë, më shumë ka pasur heshtje ose në mënyrë indirekte edhe një lloj glorifikimi.

Natyrisht çdo vend ka përvojat e veta specifike. Por, në fillim të procesit për zbardhjen e së kaluarës është shumë me rëndësi që të sigurohen arkivat dhe dokumentet nga ajo kohë, në mënyrë që ato të mos zhduken apo të humbasin – rastësisht apo qëllimisht. Më pas vendet mund të vendosin vetë se në ç ‘mënyrë do të merren dhe do të përpunojnë këto të dhëna. Në rastin e Kosovës pjesa kryesore e dokumenteve janë transferuar në Beograd, ato pak që ndodhen nëpër arkivat tona nuk janë hulumtuar dhe studiuar, më shumë nga dembelia dhe pak nga qasja koniukturale. Për këtë arsye, në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë një qasje apo përpjekje të mirëfilltë institucionale dhe shtetërore edhe për monumentet dhe statujat që i përkasin periudhës komuniste jugosllave, të cilën ne në diskursin publik e cilësojmë si periudhë pushtimi.

Shoqëria jonë, e ndodhur nën trysninë e ideologjisë komuniste jugosllave dhe regjimeve represive, vazhdimisht ka ndërtuar një mënyrë të sjelljes ndërmjet sy skajshmërive: luajilizimit jugosllav dhe nacionalizmit shqiptar. Por, gradualisht kjo ka sjellë edhe një lloj deformimi, pasi është transformuar në një lloj hipokrizie dhe morali të dyfishtë. Kështu sot kjo kulturë është ndërtuar edhe ndaj shtetit të Kosovës, e do vetëm nëse ka interes. Edhe 25 vjet pas çlirimit ka pak monumente dhe muze të cilat do të shërbenin si instrumente të kultivimit të kujtesës historike. Së fundi, nga ajo periudhë është vetëm Burgu i Prishtinës, për të cilin e kam iniciuar me 2016 përmes një kolegu të punës, tani deputet dhe që më pas mori udhë, por akoma ka mbetur i pakompletuar si muze modern dhe përmes të cilit do të mund të transmetohej historia e represionit komunist jugosllav mbi shqiptarët.

Një element i absurditetit tonë është prezenca e mëtutjeshme e monumentit jugosllav në formë “Trekëndëshi”, në mes Bashkisë/Komunës së Prishtinës dhe Kuvendit të Republikës, që simbolizon ideologjinë e “Vëllazërim-Bashkimin”, i dizajnuar nga Miodrag Živković, dhe i kompletuar në vitin 1961. Po të ishte një monument i tillë sovjetik në qendër të Tiranës, sigurisht të gjithë këtu në Kosovë do të ishin tepër të zëshëm, dhe perëndimorë tradicional, madje do të konstatonim se shoqëria shqiptare nuk ka bërë përballje kritike me të kaluarën komuniste enveriane dhe se vuan nga nostalgjia për periudhën e diktaturës dhe vëllazërisë sovjetike.

Sigurisht për gjeneratat që kanë lindur pas çlirimit nuk ekziston një ide e qartë se çfarë përfaqëson ideologjia e vëllazërim-bashkimit jugosllav. Siç thotë shkrimtari  Mehmet Kraja, në sytë e shumicës  së shqiptarëve të Kosovës slogani i vëllazërim-bashkimit degjeneroi shpejt, sepse ai nënkuptonte, në radhë të parë, braktisje të çdo gjëje shqiptare dhe përvetësim të gjuhës, kulturës dhe mënyrës së jetesës sllave, përfshirë këtu edhe pranimin e pabarazisë, respektivisht superioritetit të racës sllave mbi atë shqiptare.

Kjo qasje e veçantë ndaj të kaluarës komuniste në Kosovë na dallon nga shtetet dhe shoqëritë demokratike të Evropës Lindore, të cilët me shumë mund dhe sakrifica u shkëputën nga vëllazëria e hekurt sovjetike (ruse), është edhe qasja ndaj epokës komuniste jugosllave në Kosovë. Në vitin 2022 mediumet perëndimore “The New York Times” , RFE, BBC, CNN, publikuan momente nga rrënimi i monumenteve dhe statujave të epokës komuniste sovjetik në Letoni, Estoni, Lituani, Ukrainë, Poloni, Bullgari e vende të tjera, si pjesë e përpjekjeve të tyre për të hequr simbolet e epokës komuniste dhe solidarizimit me Ukrainën pas agresionit rus. Ne kemi treguar solidaritet retorik për luftën mbrojtëse të ukrainasve, sepse vetë kemi qenë për një shekull të okupuar nga Beogradi, por akoma Kosova nuk është bërë pjesë e një  nisme të tillë, të shkëputjes nga kujtesa e errët dhe nga trashëgimia ideologjike e periudhës komuniste jugosllave.

Ky obelisk i “Vëllazërim-bashkimit”  pos të tjerash, nuk përfaqëson kurrfarë identiteti etnik, historik, kulturor, urban apo rrugëtimin politik të Republikës, ose mund të ndërtohet nënkalim për kalimin e e makinave nga rruga e Gërmisë në drejtim të Arbërisë dhe në këtë mënyrë do të zhbllokohej trafiku, që në aspektin urbanistik do ta bënte më funksional trafikun në Prishtinë. Thuhet se kur u ndërtua me 1961, në kulmin e represionit ndaj shqiptarëve, u rrënua bërthama e qytetit të vjetër të Prishtinës me qëllim për të humbur edhe për të ndërtuar me shekuj.

Republika e re e Kosovës, pikërisht në zemrën e saj, duhet të ketë Sheshin e Republikës, i cili do të duhej të reflektonte identitetin historik dhe kulturor që nga antikiteti e deri më sot, duke ndjekur modelet evropiane të Londrës, Parisit, Berlinit, Vjenës, Lubjanës, Zagrebit e të tjerë.