Tregtarë flamujsh - Gazeta Express
string(17) "tregtare-flamujsh"

OP/ED

Gazeta Express

19/04/2024 15:59

Tregtarë flamujsh

OP/ED

Gazeta Express

19/04/2024 15:59

Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu lanë flamujt shtetërorë në gjysmështizë, në ditë zie në Kosovë, për të “valëvitur” flamuj partiakë në Maqedoninë e Veriut. E Albin Kurti dorëzoi flamurin e sovranitetit në veri, ku të dielën votimet do të mbahen në kontenjerë, për ta përqafuar flamurin partiak të Arben Taravarit në fushatë zgjedhore në Zvicër.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Në ditën kur në Kosovë flamujt shtetërorë u ulën në gjysmështizë, në nderim të grave të vrara nga burrat, udhëheqës shtetërorë shkuan në një tjetër shtet, në të cilën valëviten flamuj partiakë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u pa në Maqedoninë e Veriut, në një tubim partiak të koalicionit opozitar shqiptar atje. Në vend se të ndërmarrë menjëherë hapa për krijimin e task-forcës në mbrojtje dhe në mbështetje të grave, ministrja e pa më të rëndësishme që të bëhet pjesë e maskaradës në shtetin fqinj.

Po në të njëjtën ditë, në Shkup u pa edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga udhëheqësit e po këtij koalicioni. Edhe ai u bë pjesë e maskaradës zgjedhore atje. “Sot kafen e pimë me një mik të veçantë, me kryekuvendarin e Kosovës, Glauk Konjufcën, në Çarshinë bujare të Shkupit. Shëtitje e bisedë plot optimizëm, me Glaukun që frymëzon vrull, për shumë fitore të reja!”, shkroi në Facebook Izet Mexhiti, një ndër udhëheqësit e kolaicionit VLEN.

Konjufca e Haxhiu, të dy zyrtarë të lartë partiakë e shtetërorë, zgjodhën që të kalojnë kufirin dhe t’i bëjnë “argat” një pjese të spektrit politik shqiptar, pjesë e të cilit janë edhe tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje. Me lehtësi të jashtëzakonshme, flamujt e zisë i zëvendësuan me flamuj partiakë, në një situatë përçarjeje e mosdurimi të politikës shqiptare përtej kufirit.

Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë zgjedhur të përzihen në zgjedhjet e shtetit fqinj, pavarësisht se mprapa kanë lënë një përvojë të hidhur nga pjesëmarrja në zgjedhjet në Shqipëri. Kurti ka zgjedhur t’i bëhet krah njërit krah politik shqiptar, duke e thelluar edhe më shumë hendekun e raporteve jo të mira të tij me partinë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim.

Ndërkohë, për fundjavë Kurti do t’i shoqërojë udhëheqësit e koalicionit VLEN në një tubim me bashkatdhetarë në Zvicër. Në këtë mënyrë, ai tregon se është zhytur thellë në punët e brendshme të një shteti tjetër, duke u bërë pjesë e zgjedhjeve dhe duke kontribuar në fushatë. Një veprim që shkon përtej normalitetit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe vetëm sa acaron edhe më shumë raportet ndërmjet insitucioneve të Kosvë dhe një pjese të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

* * *

Në vend se të bëjë fushatë në Shkup, ministrja Albulena Haxhiu ka punë të tjera për të bërë në Kosovë. E papranueshme dhe e pafalshme që ajo të bëhet pjesë e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut në të njëjtën ditë kur Kosova mbante zi për gratë e vrara, për ç’gjë përgjegjësi institucionale që ka të bëjë me forcimin dhe veprimin e insitucioneve ka edhe ajo. Në vend se të bëjë fushatë në Shkup, shumë punë ka për të bërë në Kosovë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Por jo. Më e rëndësishme për ta është mbështetja për Arben Taravarin, sesa menaxhimi i institucioneve të Kosovës, për çfarë edhe paguhen. Dhe, më i rëndësishëm për Albin Kurtin është fushata zgjedhore në Zvicër në përkrahje të Arben Taravarit, sesa sfidimi i sovranitetit shtetëror në veri. Votimet në veri të vendit kryesisht do të mbahen në kontenjerë.

Të dielën në katër komunat me shumicë serbe atje do të votohet për shkarkimin e kryetarëve. Por, sovranieti i shumëproklamuar nga Kurti dhe Vetëvendosja do të futet në kontenjerë. Drejtorët serbë nuk kanë lejuar që të shërbejnë si qendra votimi shkollat të cilat ata i udhëheqin dhe të cilat janë pjesë e sistemit të Serbisë. Kështu, shteti është dorëzuar përballë Beogradit dhe është detyruar që të improvizojë kontenjerë për votim.

Por, kjo duket të mos i bëjë fort përshtypje Kurtit. Më e rëndësishme për të është që të marrë pjesë në tubimin partiak të opozitës shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Kështu, ai flamurin e sovranitetit në veri të vendit e ndërroi me flamurin partiak të Arben Taravarit. Sovraniteti u dorëzua përballë retorikës zgjedhore kundër Ali Ahmetit. Ndërkaq flamujt u tregtuan shpejt. Krejt dhe drejt.