Pasja e jetës - Gazeta Express
string(13) "pasja-e-jetes"

OP/ED

Gazeta Express

26/04/2024 19:35

Me i fundit

Pasja e jetës

OP/ED

Gazeta Express

26/04/2024 19:35

Autor: Visar K.Berisha

                Janë dy rrugë se si e shohim jetën e njeriut dhe në mes qëndron liria, e zgjedhjes. Rruga e parë jetën e sheh si dhuratë, si dhanje. Rruga e dytë e sheh si kategori biologjike nisjesh e sosjesh procesesh kimike, pa shkak. Liria, prap si dhuratë, e vendos në udhëkryq secilin për të vendosë se cili është përfaqësimi i tij; gjykimi moral (lexo: njohja dhe interpretimi i të vërtetave ekzistenciale)!  

Lexo Edhe:

Kohëve të fundit, në mënyrë të përciptë është trajtuar në shoqni dhe prej institucioneve ligjkrijuese të Kosovës iniciativa ligjore për pjesëmarrjen aktive të shërbimit mjekësor në riprodhim. Në frytnimin e asistuar, i cili e drejton procesin, e kontrollon atë. Iniciativa ligjore që përpiqet me u ba kod kapë një kërkesë njerëzish për vetëplotësim dhe e transformon atë në një tundim për të shkuar përtej kufijve të një sundimi të arsyeshëm të natyrës! Pasi procesin e prokrijimit (lexo: mbështetjen e jetëdhënjes) e sheh si riprodhim bashkësish qelizore e jo si një individualit moral, i cili vjen për t`u ba pjesë e civilizimit të dashnisë, e jo numër.

Fëmija është imazhi i gjallë i dashnisë në mes gruas dhe burrit, shenja e përhershme e bashkimit të pazgjidhshëm mes tyre dhe dëshmi e pa shkatërrueshme e amësisë dhe atësisë. Që për qellim ka realizimin e jetës. Krejt kjo nuk mund të arrihet në plotninë e vet jashtë familjes. Nëse me anë cilitdo faktorë qe vjen nga jashtë preket dinjiteti i individit brenda familjes apo i krejt bashkësisë familjare, edhe me qëllimin e plotësimit të “kërkesave” të tyre, veprimi i tillë është i pa moralshëm. Dmth, shkon kundër të vërtetave dhe lirive ekzistenciale.

Fekondimi artificial heterolog (pjesëmarrja e një të treti në procesin e jetëdhënjes) është në kundërshtim me unitetin e martesës, me dinjitetin e bashkëshortëve, me vokacionin e prindërve dhe me të drejtën e fëmijëve për t`u ngjizur dhe sjellë në jetë nëpërmjet martesës!

Prania aktive e tjetrit në procesin më intim të realizimit të misionit të familjes e bënë këtë të fundit, jo kompetente, defektoze dhe të pa nevojshme. Kështu hapet rruga për spostimin e nocionit të familjes si qendra tërheqëse ku e ka pikënisjen strukturimi shoqnor.

Mbështetur në këtë, por edhe për ta thelluar argumenti dhe për pasojë për ta mbrojtur atë, duhet kuptuar se akti i konjugimit (bashkimit fizik të gruas dhe burrit) nuk është thjeshtë takim biologjik instinktesh, por mbi të gjitha është shpërfaqje e unitetit dhe instrument krijimi (lexo: jetëdhënje) si dhe afirmues i ndjenjës së dashurisë bashkëshortore dhe shugurim (vulosje e) i prindrimit.

Për pasojë, edhe Fekondimi artificial homolog (bashkimi jo nëpërmjet aktit konjugal, të materialit qelizor të nënës dhe babait) dhunon dinjitetin e personit që dhuron dhe atij që vjen si rezultat i dhurimit sepse një veprim i tillë nuk është akt i një vepre bashkëshortore, që vjen si thirrje e përmbushjes së familjes, por një mohim i të mirave që lidhja bashkëshortore bartë.

Prandaj, cilado përpjekje e jashtme me u ba pjesë aktive/përcaktuese e jetëdhënjes është insult në vlerat që familja përfaqëson ose përfaqësohet. Këtu nuk bëjnë pjesë ato metoda mjekësore që cilat pa e prekur ose ndërhyrë në aktin e bashkimit në mes gruas dhe burrit, e lehtësojnë procesin natyral të ngjizjes. Seksualiteti njerëzor sado i keqkuptuar apo instrumentalizuar të jetë, mbetët ura e vetme e bashkimit në dashuri për të dhuruar jetën.

Në anën tjetër, askush nuk mund ta kuptoj dhembjen e atyre prindërve që për shkak të rrethanave mjekësore të njohura apo të pa njohura, nuk mund të kenë fëmijë. As ata që avokojnë për përdorimin e metodave asistuese e as ata që përpiqen të sensibilizojnë për nevojën e ruajtjes së dinjitetit të fëmijës apo bashkëshortëve. Çrregullimet që vijën si rezultat i mospërmbushjes së vazhdueshme të rolit të amësisë apo atësisë dërgojnë jo rrallë në dëmtim të pa rikuperueshëm të raporteve bashkëshortore. Kjo kryesisht ndodhë për shkak të konstruksioneve kulturore ku fëmija konsiderohet si objekt pronësie e jo si dhurim. Si veçori primordiale e jo si nevojë intrinzike.

Megjithatë, kjo nuk mund t`i mund të vërtetat e as nuk duhet t`i lakoj ato nëpërmjet kodifikimeve ligjore, që pastaj bëhen detyrim për t`u zbatuar. Autoritetet që për thirrje kanë krijimin e ligjeve duhet të jenë të vëmendshme dhe të pa kompromis në mbajtjen e sintonisë në mes të drejtave civile dhe normave themelore morale, që quhen të drejta të njeriut, dinjitet i personit dhe familja si institucion.

Për politikanin konsensusi është mjeti më i mprehtë për të ndërtuar ekuilibrat politikë e shoqnorë, por ky nuk mund të bëhet hanxhar që shkurton kërkesat themelore të së drejtës natyrore! Do të ishte dekadent dhe dritëshkurtër një kompromis i tillë.