Maqedonia e Veriut: 26 gra të vrara në pesë vjet - Gazeta Express
string(49) "maqedonia-e-veriut-26-gra-te-vrara-ne-pese-vjet-2"

Maqedoni

Gazeta Express

18/04/2026 15:52

Maqedonia e Veriut: 26 gra të vrara në pesë vjet

Maqedoni

Gazeta Express

18/04/2026 15:52

26 gra janë vrarë në Maqedoninë e Veriut nga viti 2021 deri në vitin 2025. Për shkak të mungesës së një rregullimi ligjor për një kohë të gjatë, nuk dihet sa prej tyre janë viktima të femicidit.

“Ose e imja, ose e vdekur”, ishte vetëm një nga dhjetëra mesazhet kërcënuese që 31-vjeçarja Rosica Koçeva kishte marrë pak ditë para se ish-partneri i saj, Ilija Stefanovski, ta vriste atë bashkë me babain e saj pranë shtëpisë së tyre në Veles. Ky është rasti më i fundit i femicidit në Maqedoninë e Veriut, i dokumentuar edhe nga policia.

Rosica i kishte denoncuar disa herë dhunën dhe kërcënimet e vazhdueshme të ish-partnerit, jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj prindërve dhe shoqeve të saj, por rasti i saj asnjëherë nuk ishte marrë seriozisht nga institucionet.

Para kryerjes së aktit, vrasësi Ilija Stefanovski u ndëshkua vetëm me dënim me kusht dhe masë ndalese për t’iu afruar, të cilën nuk e kishte respektuar. Pas vrasjes së dyfishtë, ai vrau edhe veten.

Ky mbetet një prej shumë rasteve që ngrenë pikëpyetje mbi reagimin institucional ndaj thirrjeve të grave për ndihmë.

Për pesë vjet, 26 gra të vrara

Rosica është vetëm një prej gjithsej 6 grave të vrara në Maqedoni gjatë vitit 2025. Pesë gra u vranë në vitin 2024. Dy prej tyre kishin bërë paraprakisht denoncim për dhunë në familje.

Viti 2023 ka qenë më i rëndi sa i përket vrasjes së grave, me gjithsej 9 viktima. Tri prej rasteve lidhen me dhunën në familje. Në renditjen e Eurostatit për vitin 2023, Maqedonia e Veriut ishte ndër shtetet me shkallën më të lartë të femicideve në Evropë, me 6 femicide për një milion banorë, dhe renditej e treta pas Lituanisë dhe Letonisë. Në vitin 2022 u vranë dy gra, ndërsa në vitin 2021 u regjistruan katër raste të vrasjes së grave.

Maqedonia ndër shtetet e para në rajon që e njeh femicidin ligjërisht

Vrasja e një gruaje nuk nënkupton domosdoshmërisht femicid. Që një rast të kualifikohet si i tillë, është e nevojshme të vërtetohet se vrasja lidhet me gjininë, përkatësisht se gruaja është vrarë për shkak të të qenit grua.

Përkundër faktit që termi “femicid” nuk përdoret në Kodin Penal, në vitin 2023 neni 123 u plotësua me paragrafin 2-a, me të cilin u sanksionua vrasja e një gruaje ose vajze deri në moshën 18 vjeçe “si pasojë e dhunës me bazë gjinore”.

Për shkak se kjo nuk ka qenë e rregulluar, nuk dihet saktësisht sa prej vrasjeve të grave kualifikohen si femicid. Aktualisht Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës në Familje po analizon të gjitha gjykimet dhe vendimet që lidhen me vrasjen e grave nga viti 2014 deri në vitin 2023 dhe pritet të publikojë një raport që do të ofrojë një pasqyrë më të qartë mbi natyrën e këtyre rasteve.

Advertisement
Advertisement
Advertisement