“Lakorja e Ik’sit”, roman i rrallë në letërsinë shqipe - Gazeta Express
string(50) "lakorja-e-iksit-roman-i-rralle-ne-letersine-shqipe"

“Lakorja e Ik’sit”, roman i rrallë në letërsinë shqipe

Arte

Gazeta Express

27/09/2021 14:39

Pse duhet të flasë njeriu gjatë gjithë jetës së tij, të vërtitet sa andej-këndej, kur e di se një ditë do të futet në atë gjendje, do të lërë gjithçka pas vetes? Ky roman nuk tregon asgjë, përveçse hap shumë dilema, shtron pyetje dhe vë në pah absurditetin e jetës. Është i veçantë në llojin e tij dhe shumë interesant për t’u lexuar, sepse në çdo rilexim sjell gjithmonë zbulim të ri

Bujar Meholli

Lexo Edhe:

Letërsinë  shqipe e pasuron, padyshim, romani “Lakorja e Ik’sit” i autorit Eqrem Basha, i cili është i veçantë dhe kompleks; në këtë roman kemi të bëjmë me një personazh anonim i cili vendos të futet krejtësisht në heshtje ndaj rrethit dhe shoqërisë, duke mos marrë pjesë në asnjë diksutim çfarëdo qoftë ai; po ashtu vendos të mos i përgjigjet asnjë provokimi e ofendimi që ia bëjnë rrethi dhe njerëzit afër tij, kështu përpiqet ta gjejë paqen me veten të cilën e dëshiron aq shumë. Në këtë pikë themi se personazhi i Bashës përafrohet me personazhet e Hesses që përsiaten vazhdimisht rreth spirituales, rreth gjetjes së paqes me veten.

Karakteristikë e romanit është vendndodhja gjeografike e pacaktuar, në të cilën shpaloset tregimi, autori e bën këtë në mënyrë që tregimi të jetë universal. Pra, romani është i ndërtuar në veten e parë, rrëfimin e shpalos protagonisti kryesor, i cili si edhe personazhet e tjerë është anonim, i panjohur, pa emër, po ashtu gruaja dhe miqtë; synimi është që tregimi t’i përshtatet secilës shoqëri, të secilit vend. Duke shfletuar kapitull pas kapitulli, teksti na fut në njëfarë dramaticiteti të theksuar që përjeton protagonisti përmes shumëllojshmërisë së situatave dhe perspektivave, derisa kah fundi arrin kulminacionin kur futet në një dëshpërim dhe zymtësi të thellë.

Në brendësi të personazhit, tensioni është vazhdimisht i pranishëm, situatat nëpër të cilat ai kalon e rropasin andej-këndej nëpër historira të ndryshme, në të cilat shfaqet aftësia e individit për të luftuar kundër padrejtësive që i has në realitetin e agresivitetin e botës rrotull. Qysh në titull hasim simbolikën e heshtjes gjegjësisht ‘iks’in’ që simbolizon mbylljen e gojës nga katër anët. Eqrem Basha, si autor bashkëkohor, në të gjithë prozën e tij shfaq ndikimin nga autorët modernë, kryesisht francezë. Edhe te romani “Lakorja e Ik‘sit”, haset ndikimi nga autorë të ndryshëm, duke përfshirë Zhan-Pol Sartrin e Albert Kamynë. Libri është i ndarë në 20 kapituj dhe i gjithë rrëfimi shpaloset nga protagonisti, njëjtë si fjala vjen te romani “Neveria” i Zhan-Pol Sartrit apo “I huaji” i Albert Kamysë. Ajo që e bën këtë roman interesant dhe të veçantë në llojin e tij, është padyshim shumëllojshmëria e interpretimeve që ofron.

Që nga fillimi i prozës, deri në faqet e fundit të saj, mbretëron heshtja e personazhit, pra, subjekti i këtij romani është heshtja. “Të heshtet edhe kur duhet thënë e vërteta, të heshtet edhe kur dëshmohet se kjo është e vërteta sublime, ajo e madhja? Të heshtet edhe kur do ngritur zëri? Pse jo! Mund të heshtet edhe krimi, shpifja, dhuna… Të gjitha paradokset e botës i mbulon me vellon e misterit dhe – hesht! Edhe dëshmitë që mund të shpëtojnë një jetë, edhe thikat pas shpine?” Qysh në faqet e para kemi të bëjmë me theksimin se heshtja është ajo që mund t’i mbulojë të gjitha, edhe paradokset. Në njëfarë mënyre, ajo është streha më e sigurtë në këtë botë të gjerë, në të cilën futesh dhe gjërat rrjedhin karshi teje. Në kapitullin e dytë, protagonisti na bën me dije se është futur në heshtje, gjatë njëfarë përvjetori të rëndësishëm ku ai është pjesëmarrës; nuk vërehet nga askush shmangia e tij. Në zallamahinë e atij organizimi ku luhet muzikë e bëhet aq shumë zhurmë, ai rrëshqet ngadalë në moskomunikim të cilin nuk e shpërfaq, nuk ia bën me dije askujt. Gjatë fjalimit që bëhet, ai vetëm sa e përforcon vendimin kur njëri nga të njohurit i afrohet për t’i folur rreth fjalimit që kish shkruar dhe pastaj tjetri që s’i intereson fare asgjë.

“Pikërisht gjatë fjalimit përurues unë e pata marrë vendimin e parë, të përshtatshëm, të pagjetur mirë, por këmbëngulës, në çastin kur më ishte afruar njëri nga të njohurit dhe duke më shtyrë me bërryl, më kishte shkelur syrin, “si të duket?” Pa pritur përgjigjen, mbase nga shikimi im i bardhë, kishte gatuar pyetjen me kahe tjetër, “jo lapidari, fjalimi”, dhe pa marrë sërish përgjigjen, mbase duke parë surratin tim, kishte vazhduar “e kam shkruar unë” dhe ishte larguar, për t’ia lëshuar, po në atë çast, vendin tjetrit i cili, sikur të kishte pritur radhën pas shpinës së tij, ma kishte pështyrë në vesh po atë pyetje: “si t’u duk?”, dhe pas njërës dorë të ngritur drejt foltores, kishte rikënduar, “jo fjalimi, lapidari” dhe pa pritur asnjë shenjë më shumë, kishte vazhduar “e kanë dhjerë fare”, dhe ma kishte afruar megafonin në maje të hundës, “por për këto punë nuk flitet hapur”, duke më mëkuar dhe mua me mezet që kishte përtypur.”

Protagonisti është i lodhur nga këto organizime të kota, prej të cilave s’del gjë përveç fjalimeve të lexuara që s’iu kushton kush rëndësi; fokusi kryesor i këtyre solemniteteve është veçse ushqimi. Krejt kjo, sikur ia përforcon vendimin për të hyrë edhe më thellë në heshtje kundrejt këtij rrethi. Dhe ai thellohet edhe më tutje duke u munduar të mos marrë pjesë, por vetëm të vëzhgojë veprimet e të tjerëve sikur Antoan Rokanteni, personazhi i “Neverisë” së Zhan-Pol Sartrit. Në vazhdim të tekstit, ai tregon se nuk ka kurrfarë problemi me vetveten dhe njerëzit, por thjesht kërkon qetësi, dëshiron paqe me veten. Por vazhdimisht pengohet drejt këtij qëllimi nga njerëzit që e nxisin të flasë, kërkojnë ta fusin në rrethin e tyre.

“Ore nuk na the gjë sot. Mos ke dhe ti telashe me vetveten?” Por ai prapë nuk flet. Për të, njerëzit rrotull janë demagogë, të cilëve s’duhet kushtuar fare rëndësi, as diskutimeve, seminareve, ligjëratave, konferencave, fjalimeve e mitingjeve që ata organizojnë. Dhe pikërisht për këtë fillon të shmanget nga ta, për arsye të prishjes së nyjave të takimeve dhe bisedave nga ana e tij. Për këtë, ata, madje edhe e ofendojnë duke e quajtur urith, breshkë, apo kërmill e shumë nofka të tjera ia, për arsyen e vetme që ai s’merr pjesë në organizimet dhe bisedat e tyre.

“Për të qenë e keqja e madhe, pak nga pak e gjithë kjo filloi të mos më shqetësonte shumë. Më në fund u mbylla në lëvozhgën time, derisa nuk u harrova fare. Më varrosën për së gjalli. Edhe po të doja të flisja, nuk më dëgjonin më… Kështu heshtja ishte më e vërtetë, më e thellë dhe kuptimplotë. Ishte vulosur për së mbari, me një sinor, që s’ishte as obelisk, as gur varri, as urnë hiri. Të gjithë më kishin harruar. Edhe ata që më kujtonin flisnin për mua me “ishte”, “kishte”, “bënte”, “s’bënte”. Këtu, protagonisti tashmë e pranon fuqishëm heshtjen në karakterin e tij, është i vendosur madje ta mbrojë atë.  Nga rrethi, tashmë kish filluar të njihej për heshtjen absurde.  Pak a shumë, veçse ishte i përjashtuar, i harruar, i vdekur nga shoqëria; për këtë është i vetëdijshëm, dhe aq i bën. “Rreth meje është mbledhur myshku dhe është rritur bari. Edhe po deshe të lexoje epitafin tim, nuk arrin dot… Aty sikur shkruan, me germa të brejtura nga ndryshku i kohës:

“Kjo është jeta ime që nuk bërtiti kurrë dhe ky është amaneti im i mbyllur në këtë kuti, tash e sa të mbretërojë amshimi”. Protagonisti i romanit kalon 25 vjet martesë dhe bashkëshortja e tij është ajo që ia njeh të gjitha fshehtësitë, është ajo që e ka lexuar “librin e tij”.

Ai nganjëherë duket si njeri me probleme të theksuara mendore, nganjëherë si njeri i dëshpëruar thellë nga realiteti e i futur në depresion, e nganjëherë si ekzistencialist. Edhe raportet me të shoqen janë të çuditshme. Ajo i përshtatet atij, madje është e mësuar të flasë me të sikur të fliste me vetveten. Pra, monologu i saj mbetet i tillë, sepse i shoqi nuk i kthen përgjigje. Por ajo e do shumë megjithatë, dhe është e gatshme t’i shërbejë në çdo kohë përkundër nervozizmave, si shkak i heshtjes së tij.

“Nuk më do më, nuk çan kokën për mua, nuk je ai që ke qenë, ke ndryshuar, nuk i mban mend datat tona, nuk të kujtohet të thuash një fjalë të butë, një fjalë përkëdhelie që dije t’i përsërisje aq ëmbël dikur… nuk flet me tim atë, nuk erdhe në dasmë të balldëzes”, shfryn dufin ajo. Këto muhabete atij i duken të mërzitshme dhe të përsëritura; kështu, vazhdon të mos pipëtijë gjë, duke parë televizorin me zë të ulur dhe duke mbajtur në kraharor kokën e së shoqes e cila papritur përgjigje nga ai, përsërit: Megjithatë unë të dua, aq shumë të dua, aq shumë… Është vetëm gruaja që i rri afër dhe e mbështet në çdo gjë, derisa protagonisti i heshtur çdoherë përballet me probleme të shumta nga njerëzit me të cilët ka kontakte, e të cilët nganjëherë s’e shohin si njeri, pasi përpiqen dhe dështojnë ta bëjnë të flasë.

Nga të gjitha këto ai humb imunitetin, lodhet nga gjithçka, nga çdo gjë, s’i bën fare nëse e quajnë spiun, tradhtar, debil, e nëse i veshin çfarëdo atributi. Ai vazhdon të refuzojë çdo kontakt duke bartur flamurin e heshtjes me këmbëngulje, pa mohuar as demantuar askënd, pa u mbrojtur, as pa u shpjeguar për asgjë. Atij i duhet madje ta pranojë edhe humbjen e mikut më të mirë, pasi që ky i fundit assesi s’ia del ta bind që të reflektojë. Si pjesëtar i një shoqërie tejet dinamike, thjesht e ndien veten të lodhur dhe për t’u çlodhur e qetësuar, futet në strofullën e tij, në heshtje. Shumë organizime që sheh, janë tortura dhe të dëmshme për progresin e shoqërisë, në të cilat me imponime agresive duhet të përshtatesh dhe madje çdoherë i rrezikuar se dikush mund të të kapë për veshi dhe të të heqë duke të fshehur në fund, pas aktivistëve të zhurmshëm.

Në kapitujt e fundit, vetë personazhi kryesor ia bën me dije lexuesit se nuk është mosbindës qytetar, as refuzues i normave e etikës njerëzore, as tenton t’i ikë realitetit dhe të zhytet në absurditetin e paskaj. Asnjëra nga këto nuk ngjan, edhe pse heshtja e tij ka një shkak, ai i propozon lexuesit të rrijë dhe të përgjojë heshtjen. Ai nuk i ka borxh askujt, as i bën kujt ndonjë gjë të keqe, e megjithëkëtë vazhdimisht përdhoset nga njerëzit rrotull. Ai është shumë normal brenda vetes, madje i përgjegjshëm për çkado që bën, po ashtu njeri me informacione të shumta; është ndër të rrallët që i lexon seriozisht krijimet e mikut të tij, që ky i fundit i quan poezi. E meta e tij e vetme qe se kish vendosur të largohet nga çdo gjë, të jetë shpirt i lirë, të ketë paqe me veten, për këtë ai fillon të shihet si i krisur e i parëndësishëm në shoqërinë që i qe bërë monotone, ku flitej shumë kudo, e s’thuhej gjë.

Gjithçka ishte e gënjeshtërt në përgjithësi. Ndërsa ai gjithçka do, është të mos shqetësohet nga askush, të jetë i lirë, të pijë, të ecë rrugës lirshëm pa e parë çuditshëm, pa e ofenduar, sharë, sulmuar. Dalëngadalë heshtja i shndërrohet në ves. Në kapitullin e njëzet, ai pyet se si do t’i përfundojë lakorja e fatit, si do t’i zgjidhet gjuha gojës së tij memece? Ky ves është rritur vazhdimisht, tashmë karakteri i tij është në terezi me të. Nga shoqëria tashmë ai është krejtësisht i harruar, s’pyet kush për ekzistencën e tij; këtu edhe nis kriza e brendshme, fillojnë t’i shfaqen probleme të mëdha me gjumin, klith, zgjohet nën ankth, i djersitur, me vdekjen përpara syve.

“A thua kështu vjen? Kështu perëndon çdo gjë? Ky është fundi? Asnjëherë nuk i isha qasur më afër këtij kufiri dhe asnjë herë nuk e kisha ndjerë kaq pranë fundin? Do të vijë me të tilla mundime? Me shtangie e ngufatje?

Zgjidhja e vetme ishte klithja e thellë që zgjonte jo vetëm time shoqe, por edhe të gjithë fqinjët. “Ç’ke që pisket, ore?, çirrej gruaja. Mbaje pak veten, mos u shkëpurdh si dem i therur. Na le pa gjumë. E zgjove tërë mëhallën.”

Por, ai nuk mundet. “Ç’ke që nuk mundesh?” bërtiste ajo sërish dhe kthente kokën në anën tjetër. Ma kanë ngjitur për fyti, përgjigjesha unë nga gjumi, dhe nuk më lëshojnë.” Në fund të romanit, kriza përshkallëzohet, ai zgjohet i dërmuar, në djersë, me lloj-lloj mendime që i vërtiten nëpër kokë. Dhe proza mbyllet me monologun, në të cilin sikur i vjen vdekja. Kur mbyll sytë dhe veshët, s’pipëtin gjë rreth. As dritë, as zë. Një gjendje e lakmuar nga imagjinata, në të cilën po u fute s’ke si të pendohesh.  Aty nuk ka tokë, as gurë, as rërë, as lumenj. Gjithçka, duke përfshirë të vërtetën nuk ekziston! Zot është heshtja, para së gjithash.

“Nuk ndërrohen dita e nata, nuk rreth tiktaku i orëve, minutave, sekondave. Asgjë nuk është e re, as e vjetër. As e lindur, as e vdekur. Nuk ka lëvizje, nuk ka gravitacion, nuk ka gjë të gjallë. Çdo gjë është e ndalur, nuk ka puls, nuk qarkullon as gjak as limfë. Asgjë nuk matet, nuk lehtësohet, nuk rëndohet. Nuk zgjatet, nuk shkurtohet, nuk hapet, nuk ngushtohet… Nuk ka grimca, nuk ka pluhur. Çdo gjë është e pastër dhe sterile. Nuk ka zemër që rreh. Nuk ka jetë.”

Kështu përfundon romani filozofik, pasazhi i fundit i të cilit e vë personazhin para një misterioziteti të madh, të vjetër sa bota. Pse duhet të flasë njeriu gjatë gjithë jetës së tij, të vërtitet sa andej-këndej, kur e di se një ditë do të futet në atë gjendje, do të lërë gjithçka pas vetes? Ky roman nuk tregon asgjë, përveçse hap shumë dilema, shtron pyetje dhe vë në pah absurditetin e jetës. Është i veçantë në llojin e tij dhe shumë interesant për t’u lexuar, sepse në çdo rilexim sjell gjithmonë zbulim të ri. /Gazeta Liberale