Epistula e javës \ Letra nga burgu - Gazeta Express
string(32) "epistula-e-javes-letra-nga-burgu"

Epistula e javës \ Letra nga burgu

Arte

Gazeta Express

20/05/2022 17:09

Kjo letër e të burgosurës Gemma është një prej letrave të përmbledhjes ‘Fili blu, lettere dal carcere’, të cilat të burgosurit e ndryshëm ia kishin dërguar Athe Gracci-t, asistente vullnetare në burgun Don Bosco të Pizës.

Vigevano, 2 maj 1995

Lexo Edhe:

E dashura Athe,

para së gjithash më fal që s’të kam shkruar deri më tash, por ende jam shumë e tronditur. Shpresoj shumë tek apeli dhe kam mbetur shumë keq prej tij. Aty për aty mendova: mori fund, më dënuan më shumë vite se sa ato që më kanë mbetur të rroj, s’do të dal e gjallë nga burgu! Mandej u mundova të marr zemër, i thashë vetes: mbase është tamam kështu, por askush nuk e njeh të ardhmen… prandaj po vazhdoj tutje. Unë vetë do t’i bëj ballë jetës në një mënyrë tjetër, botës dhe çfarë do fati. S’do të rri më aty si hu duke shpresuar që të më jepet diçka e mirë, duke pritur që gjërat të ndodhin… do t’i bëj të ndodhin. Realiteti duhet të pranohet dhe të përballet për atë që është dhe kur nuk na pëlqen duhet të kërkojmë ta modifikojmë për aq sa jemi të zotë. Kurrë, po them kurrë, nuk duhet ta lëshojmë veten ta jetojmë në mënyrë pasive.

Ndiej se jeta mund të më japë ende shumë gjëra, prandaj duhet të përpiqem ta jetoj në mënyrë pozitive atë që më mbetet.

Jo, nuk do të lejoj të asgjësohem! Nuk do ta lejoj!

Mund të më mbajnë ngujuar, ta ndrydhin trupin tim, por vetëm kaq. Vazhdoj dhe do të vazhdoj të mendoj me vullnetin tim, të provoj gëzime dhe emocione; mund të njoh gjëra dhe ndjesi të reja; t’ia bëj vetes një mijë pyetje dhe t’ia kthej po aq përgjigje; të marr frymë, të qaj nga mallëngjimi: jam gjallë!

Mike e dashur, tash më shumë se kurrë e ndiej qenien time në mënyrën më të bukur dhe më të ngjeshur, e kuptoj vlerën e saj dhe dua ta mbroj. Tash më shumë se kurrë kam nevojë për veten time dhe këtë herë do të jem, do të jem aty ta ndih veten. Bota dhe jeta ime janë siç i shoh unë, siç dua të jenë. Pirandello mendonte se e vërteta dhe realiteti absolut nuk ekzistojnë, se nga ana tjetër ekzistojnë shumë të vërteta dhe shumë realitete… Po më ndjek, ë? Mirë pra, po i jap vetes zemër sa po mundem dhe po shkoj përpara.

Jam në fund. Përshëndetmi të gjitha agjentet dhe mikeshat e Don Bosco-s, e edhe drejtoreshën.

Të përqafoj fort dhe të puth, mikja jote

Gemma.

P.S: Po qëndis, nëse mund të më dërgosh penj, pëlhurë dhe gjilpëra pa maje për t’i bërë nyjat (këtu s’ka asnjë asistent që të na i sjell!), do të të isha mirënjohëse.

/Marrë nga: AA.VV, Fili blu, lettere dal carcere, Il Grappolo, 1998

/Përkthimi: Gazeta Express