Ardian Ndreca: “B2” drama e panjohun gjermanisht e Gjovalin Gjadrit - Gazeta Express
string(64) "ardian-ndreca-b2-drama-e-panjohun-gjermanisht-e-gjovalin-gjadrit"

Arte

Gazeta Express

18/03/2024 14:43

Ardian Ndreca: “B2” drama e panjohun gjermanisht e Gjovalin Gjadrit

Arte

Gazeta Express

18/03/2024 14:43

Për ma shumë se nandë dekada ato letra thuejse të tejdukshme, të zverdhuna e të brishta, kishin ndejt të mbylluna në nji sirtar mes skicash, kalkulimesh inxhinierike, projektesh të realizueme apo të harrueme që inxhinier Gjovalin Gjadri ka ba ndër vite. Askujt nuk i kishte shkue ndër mend, dhe arsyeja kryesore asht gjuha në të cilën janë shkrue, se bahej fjalë për nji dramë, madje për nji vepër teatrale tepër moderne dhe interesante që e nxjerr në pah Gjadrin si nji shkrimtar të mirëfilltë e jo thjesht si nji bashkëshort që mori shtysëm me shkrue librin e tij të mirënjohun “Letra grues seme teme të vdekun” nga tragjedia e vdekjes së grues së tij.

Dihet tashma se ky libër papritmas ka dalë si nji bestseller i letërsisë sonë, tue pasë në nji kohë krejt të shkurtë tri botime, të gjitha të shtypuna nga Shtëpia e mirënjohun botuese “Onufri”.

Lexo Edhe:

Kësaj herë kemi të bajmë me nji dramë të shkrueme në gjuhën gjermane, nji vepër me nji sfond të theksuem autobiografik që trajton atë pjesë të shkurtë të jetës së autorit që ai ka kalue si inxhinier në Bashkimin Sovjetik në fundin e viteve ’20. Emigrimi i tij në atë shtet nuk përban nji çudi për kohën, edhe pse nuk ka asnji lidhje me ideologjinë e shtetit sovjetik, por thjesht me profesionin e tij. Asokohe Bashkimi Sovjetik për arsye të numrit të madh të veprave publike që ndërtonte dhe nevojës për specialista kishte mbërrijtë me tërheqë nji numër të madh inxhinierash dhe specialistash nga Austria, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, të cilët paguheshin shumë mirë dhe kishin kushte të mira jetese. Nji ndër ta ishte edhe Gjovalin Gjadri, i cili me formimin e tij profesional në shkollën austriake i plotësonte kushtet për nji kontratë pranë Komisariatit të Transporteve në Moskë që asokohe drejtohej nga ministri Rublev.

Drama duhet të jetë shkrue në harkun kohor 1930-’31, dhe ka shumë elemente që na shtyjnë me mendue se asht hedhë në letër me turr menjiherë sapo Gjadri ishte kthye në Tiranë dhe si e tillë ajo ruen freskinë e emocioneve të forta dhe të tragjedisë që ai kishte përjetue në ato dy vite e gjysëm që kishte jetue në Rusinë sovjetike.

Në pesë aktet e dramës zbulohet nji dramaturg me nerv të fortë, i cili mbërrin me ndërthurë dinamizmin skenik me thellësinë e mendimit filozofik, përgjatë veprës ndihen nuancat büchneriane si edhe ndikimi i teatrit ekspresionist vjenez dhe forca e mendimit e ndjeshmënia tej mase e thellë e ndjenjave të autorit. Dashunia dhe vdekja krijojnë kushtet ideale për nji tension dramatik në “crescendo”. Tablotë e dramës zhvillohen në Moskë, në Alupka në Krime dhe në Shafranovo, nji sanatorium në Urale.

Rrezikut që i kanoset për jetën e protagonistit Enrik Vremeda sëmundja e tuberkulozit pulmonar i shtohet edhe survejimi dhe përndjekja nga ana e agjentëve të GPU, sigurimit të Lubjankës, prej të cilëve arrestohet edhe pse i sëmurë randë. Dashunia e tij plot tallaze për Tatjanën, marrdhanjet komplekse shoqnore me kolegët, diskutimet me tone nietzscheane me ipeshkvin katolik Brisanski në qelitë e Lubjankës, si edhe skena e fundit me të dashunën e tij duken të shkrueme prej nji shpirti që jo vetëm e njeh jetën në palat e saja ma të mshehta e tragjike por zotnon artin dramatik dhe sekretet ma të thella. Familjariteti i tij me skenën spjegohet edhe pse tashma dihet se Gjadri gjatë viteve të studimit në Vjenë e kishte ba zakon që çdo muej të hiqte mënjianë aq sa i duhej për me pague biletat për shfaqjet teatrale në Burgtheater.

Gjuha e dramës asht e pasun, nji gjermanishte e zhdërvjellët dhe shumë shprehëse, figuracioni i pasun, ndërsa ajo që të bjen në sy asht sensi i pritjes, element ky i dramës ekspresioniste, gja që e ban autorin nji pionier shqiptar në këtë lloj drame dhe nji dramaturg shqiptar “sui generis”.

Shumë shpejt kjo dramë që tashma asht përkthye gegnisht nga i nënshkruemi, do t’i vijë në dorë lexuesit shqiptar e ndoshta teatri i qytetit të tij të lindjes do të mund ta nderojë autorin Gjovalin Gjadri tue e vu në skenë veprën, e cila – e themi pa modesti – do të hynte me të drejta të plota në repertorin e artë të atij teatri tue i dhanë sens dhe jetë kulturës dhe artit tonë skenik./Exlibris