“Muslimani”, një zonë gri e mbuluar nga mjeshtëria aktoriale - Gazeta Express
string(59) "muslimani-nje-zone-gri-e-mbuluar-nga-mjeshteria-e-petrovcit"

“Muslimani”, një zonë gri e mbuluar nga mjeshtëria aktoriale

Arte

Gazeta Express

16/05/2022 14:41

Shfaqja “Muslimani” në regji të Ener Petrocit (regjisor dhe në rolin kryesor, sëbashku me Vlora Nikçin) përmbylli Prishtina International Theater Festival, që do të mbajë emrin ‘Burbuqe Berisha’, në kujtim të regjisores dhe pedagoges së ndjerë të Kolegjit AAB.

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

1.

Enver Petrovci u shfaq para publikut në Teatrin “Faruk Begolli”, në AAB, me një shfaqje skematike dhe me shthurje dramatike klishe: me farsë!

Ai u pa i rrënuar fillimisht në një skenë të varfër, tipike të një të moshuari pensionist fetar dhe me aksesorë që e përshkruajnë këtë moshë dhe këtë vend.

2.

Enver Petrovcin e kam pa maspari në skenë më 1988 në rolin e Jozef K. tek shfaqja “Proces” të Dramës Serbe të Teatrit (atëherë) Krahinor të Kosovës. 

Atëbotë Enver Petrovci, aktor i sensibiliterit të ri, e luajti kryepersonazhin e Franc Kafkës në mënyrë thjesht briliante. 

I rreptë, në çaste nervoz, vdekshëm serioz, me aftësi e amplitudë të gjerë transformuese si dhe transmetues i emocioneve të fuqishme tek publiku. 

Thjesht madhështor. 

Kurrë nuk e harroj kur në fund të shfaqjes Petrovci e shqipton atë fjalinë e famshme e dëshpëruese të Jozef K. sikur e shpall mallkimin mbi persekutorët: “Ko pseto” (Si qen) dhe trëndafilat e kuq në skenë që ia dhuruan fëmijët.

Pastaj, Petrovcin jo që e kam përcjellë shumë në Teatër, pos në produksionin e Kosova-filmit, në disa role të realizuara mirë.

3.

Duke qenë vetë skenarist e regjisor i shfaqjes “Muslimani”, që vështirë ta përcaktosh në rendin zhanror, (do ta cilësoja mes dramës me thekse komedie dhe farsës?), Enver Petrovci i ka dhënë vetes një barrë të rëndë që për rreth dy orë ta mbajë zgjuar kureshtjen e publikut prishtinas dhe ia doli, ndoshta edhe me improvizime gjatë lojës!?

I sigurt në secilin hap e fjalë, impulsiv por edhe i ndjeshëm e i thyeshëm, Petrovci e ka ndërtuar një rol me karakter kompleks të një kosovari musliman të devotshëm, i cili deri në shfaqjen e Nitës (Vlora Nikçi) e cila e kontraktuar nga e bija e tij nga Amerika, duhej të kujdesej për të. 

Mirëpo, Haxhi Sefedini ndonëse besimtar tradicional, nuk është ndonjë musliman puritan, porse sillet nën ndikimin e dogmës fetare.

Ai i mbanë mëni të bijës përse nuk është martuar me musliman por me “një shka”, sepse në optikën e tij, të gjithë krishterët janë “shkie”, ndonëse dhëndri i tij është një amerikan. 

Përpjekja e tij që ta nxjerrë nga jeta e tij të bijën, për arsye të fesë më shumë duket trill mekanik, sepse Dini në thelb, kur është me vetveten e do të bijën dhe fëmijët e saj, porse ai “luan” teatër në sy të hallkut.

Edhe pse raporti i Nites dhe Dinit në fillim duket që nuk funksionon, kjo marrëdhënie nis të marrë kthesë pozitive deri në empati.

Dini, më të nisur të dalë nga vetmia, del edhe nga feja!?

Për hir të afeksionit ndaj Nitës, Dini “ndreqet” me të bijën dhe zaten ky ishte misioni i Nitës, e cila ia del që ta destabilizojë muslimanin dogmatik brenda Dinit!?

Kjo është baza ideore mbi të cilën është shkruar një skenar që nuk gërmon më thellë në natyrën psikosociale të urrejtjes ndërfetare e ndërkulturore, si model sjelljeje, por mbetët si një tubë skeçesh të “salduara” mekanikisht me njëra-tjetrën. 

4.

Porse “zonat gri” të skenarit Petrovci i mbush frymë, me lojën e tij prej mjeshtri të vërtetë e të verifikuar. 

Në anën tjetër, në rrafshin regjisorial, shenjat dhe gjuha teatrore e Petrovcit shtrihen njëtrajtshëm, pa një ndërthurje simbolesh e me konotime lehtë të deshifrueshme.

Kjo ishte shfaqja e kufijve artistikë që nuk shkojnë përtej një rutine të punonjësve teatrorë, por që aktrimi pasionant transmeton tek publiku mesazhe që e prekin atë në ndërdije ose edhe ia zgjojnë sensin për humor. 

Një humor i lehtë që paralajmëron farsë dhe përmes saj, njëfarë çlirimi, një katarsis…

5.

Përballë Enver Petrovcit u shfaq Vlora Nikçi, solide në shtrirjen interpretative, herë si profesioniste sociale e herë e impenjuar shpirtërisht në dramën që Dinit ia imponon dogma.

Ajo dha aq sa i mundëson skenari. Zbrazëtitë në procedeun e skenarit dhe mungesën e çasteve me kthesa të forta dramatike, (të një tensioni të lartë emocional) i mbulon me finesë e korrektësi.

/Gazeta Express