Asgjë e re në Bruksel - Gazeta Express
string(21) "asgje-e-re-ne-bruksel"

Asgjë e re në Bruksel

Gazeta Express

18/07/2020 19:49

Nuk ka kurrfarë logjike që në Bruksel të vazhdojë dialogu, pa e pasur të qartë se për çfarë po negociohet dhe cili do të jetë epilogu? Si mund t’i normalizosh marrëdhëniet me një shtet që nuk pranon ekzistencën e tjetrit? Njohja “de jure” e Kosovës nga Serbia do të duhej të ishte kusht për vazhdimin e dialogut.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Ka vazhduar në Bruksel dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë, pas më se njëzet muajsh ndërprerje. Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë janë takuar dhe kanë diskutuar për të pagjeturit dhe ekonominë. Asgjë e re në procesin me shumë të panjohura dhe asgjë konkrete.

Tash gati një dekadë delegacione të Serbisë e Kosovës takohen, bisedojnë, nënshkruajnë marrëveshje. Gjithçka, siç thuhet, në funksion të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Normalizimit të marrëdhënieve me një shtet, i cili mohon ekzistencën tënde.

Tash një dekadë Kosova ka qenë ajo që vazhdimisht ka lëshuar pe në proces, e që është përkthyer me përparimin e Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Tash një dekadë Kosova nuk ka as liberalizim vizash, e lëre më të bëjë hapa përpara në proces si Serbia. Tash një dekadë Serbia refuzon ekzistencën e Kosovës shtet. Për më tepër dy vitet e fundit ka ndikuar tek rreth 15 shtete që ta tërheqin njohjen e shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, si të mos kishte ndodhur asgjë, në Bruksel dialogu vazhdon.

Dialogu që nuk ka një qëllim, sepse “normalizimi i marrëdhënieve” është një nocion shumë i gjerë. Ndryshe do të ishte po që se dialogu do të kishte qëllim të qartë dhe secila palë ta dinte se çfarë do të fitojë. Por, kjo është e pamundur në këtë format, në këtë mënyrë se si dialogu vazhdon. Ka qenë e pamundur që nga fillimi, qysh atëherë kur Serbia nuk u kushëzua ta njohë Kosovën dhe të dy shtetet, të barabarta, të vazhdojnë bisedimet për normalizim marrëdhëniesh. Si mund t’i normalizosh marrëdhëniet me një shtet që nuk pranon ekzistencën e tjetrit? Njohja “de jure” e Kosovës nga Serbia do të duhej të ishte kusht për fillimin e dialogut. Kjo nuk ka ndodhur dhe tash, dhjetë vjet pas, Brukseli vazhdon me logjikën e njëjtë. Palët bisedojnë, arrijnë ndonjë marrëveshje që në plot raste nuk zbatohen, sërish bisedimet vazhdojnë pafundësisht, Serbia përfiton në rrugën drejt BE’së, kurse Kosova është aty për t’ia bërë më të lehtë Serbisë këtë rrugë.

* * *

Vazhdimi i dialogut po ndodh në një situatë të vështirë për Kosovën. Mungesa e unitetit të brendshëm, aktakuza kundër presidentit dhe kryetarit të PDK’së dhe brishtësia e Qeverisë Hoti janë probleme seriozë për pozicionin e Kosovës në proces.

Kryeministri Avdullah Hoti formalisht ka mandat e legjitimitet, por jo edhe peshë politike. Koalicioni i udhëhequr nga ai është në zgrip të ekzistencës, nëse llogaritet diskutabile vota e një deputeti që duhet të shkojë në vuajtje dënimi me burg. Ndërkohë, Kosova nuk ka një platformë për bisedime, që do të nënkuptonte vijat e kuqe përtej të cilave nuk duhet shkuar. Gjithë çfarë vendi ka në këtë proces janë deklarimet e Hotit se nuk do të diskutohet për sovranitetin dhe integritetin e vendit. Fjalë që tingëllojnë bukur, por që edhe Hoti e di se është vështirë t’iu besohet.

Kosova po merr pjesë në bisedime në një pozicion të dobësuar, karshi Serbisë me Aleksandër Vuçiqin, që është rilegjitimuar si lider i fuqishëm. Ndryshe nga ai, Hoti nuk i ka madje as të gjitha votat e partisë së vet, ndërkohë që presidenti Thaçi nuk mund të jrtë pjesë e procesit për shkak të situatës me Gjykatën Speciale.

Serbia mund ta keqpërdor këtë situatë të krijuar, respektivisht pozicionin e dobët të Kosovës. Ndërkohë, mungesa e koncensusit brendakosovar vetëm sa ia bën më të lehtë veprimin Serbisë.

Kuptohet, vullneti i palës kosovare për vazhdimin e dialogut nuk duhet të mungojë, por Kosova duhet t’i shohë me kujdes interesat e veta sa i përket dialogut në këtë periudhë. E para që do të duhej bërë është që nga Brukseli të kërkohet një agjendë e qartë e dialogut dhe qëllimi final i tij. Është tërësisht e pakuptueshme që takimet të vazhdojnë si tash një dekadë, që vazhdimi i dialogut të mos kushtëzohet me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme. Për më tepër, për vazhdimin ose jo të dialogut kryeministri Hoti do të duhej të marrë koncensusin nga spektri politik dhe institucional në Kosovë. Nëse interesi i Serbisë është që dialogu të vazhdojë tash dhe me çdo kusht, ky mund të mos jetë edhe interesi i Kosovës.

* * *

Nga vazhdimi i dialogut përfituesi më i madh do të jetë Brukseli. Për të e rëndësishme është që t’i ketë palët në tavolinë, ndërkohë që nuk është në gjendje të ofrojë kurrfarë garance për rezultatin final të procesit. Kosova është aty për të treguar vullnetin e mirë, por ky vullnet do të keqpërdoret siç ka ndodhur tash një dekadë.