Beha tregon se çfarë dënimi mund të marrin Zymberi dhe të tjerët, kritikon masën e kërkuar nga Prokuroria - Gazeta Express
string(104) "beha-tregon-se-cfare-denimi-mund-te-marrin-zymberi-dhe-te-tjeret-kritikon-masen-e-kerkuar-nga-prokuroria"

Sport

Gazeta Express

29/04/2024 0:05

Beha tregon se çfarë dënimi mund të marrin Zymberi dhe të tjerët, kritikon masën e kërkuar nga Prokuroria

Sport

Gazeta Express

29/04/2024 0:05

Gazetari i njohur i drejtësisë në vendin tonë, Besian Beha, sonte në emisionin “Favorit” në T7 ka komentuar rastin e ndodhur në Gjilan ditë më parë, ku drejtori sportiv i klubit të Dritës, Valon Zymberi, bashkë me disa persona tjerë, sulmoi fizikisht liderin e tifo-grupit të “Intelektualëve”.

Beha tregoi se si parashihet të jetë një dënim në këso raste, teksa pati kritika për Prokurorinë lidhur me masën e kërkuar për Zymberin dhe të tjerëve, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Zymberi dhe të tjerët të akuzuar për sulmin fillimisht u morën në paraburgim dhe pastaj u liruan. Atyre iu ndalua t’i afrohen personave të caktuar dhe detyrohen të lajmërohen një herë në javë në stacion policor.

“Është e dhimbshme për të parë këso skena. Nuk e di që ka raste që kryesia të sulmojë tifozët. Ndaj personave që e kanë kryer sulmin është iniciuar vepra ‘Lëndim i lehtë trupor’, domethënë kjo me Kodin Penal të Kosovës dënohet me gjobë ose deri në 3 vite burg. Por, çka është e rëndësishme për mua të paktën, duke i njohur edhe tensionet, është që Prokuroria e ka parë të arsyeshme që Valon Zymberit dhe personave të tjerë t’u ndalohet që t’u afrohen personave të caktuar, në këtë rast viktimës, edhe gjithashtu masën e lajmërimit në stacion të Policisë. Zakonisht në raste të tilla kjo është masa që kërkohet, nuk shkohet me paraburgim ose arrest shtëpiak sepse është masë e fundit”, tha fillimisht Beha.

“Prokuroria duke i njohur rrethanat dhe tensionet, mundësinë që vepra të përsëritet, unë besoj që Prokuroria është dashur të kërkoj arrest shtëpiak për personat e akuzuar. Këta janë persona që njihen mes vete dhe jetojnë afër. Ashtu siç kam mësuar nga burimet, njëri nga sulmuesit dhe kryetari i tifozëve i kanë lagjet afër, domethënë është goxha problem të menaxhohet sepse Policia e Kosovës nuk ka masa të menaxhimit se sa po i afrohesh ti personit ndaj të cilit e ki të ndaluar. Në vendet e Evropës po, janë ‘GPS-at’ dhe në momentin që afrohesh njoftohet Policia, por te ne nuk ka asnjë shans që Policia ta monitorojë gjatë tërë kohës nëse Valon Zymberi dhe të akuzuarit tjerë i afrohen viktimës. Kjo, sipas këndvështrimit tim, e lë të hapur mundësinë që të ketë tension të ri, të cilin nuk e dëshiroj”, shtoi ai.

“Gjithsesi, duke i njohur vendimet gjyqësore, Gjykata nuk ka mundur të merr tjetër vendim sepse Prokuroria ka kërkuar masa më të buta. Do të duhej të kishte masë më të ashpër, të paktën derisa të qetësoheshin gjakrat. Kur merren vendime të tilla, merren ato masat lehtësuese dhe rënduese. Si masë lehtësuese në këtë rast është marrë fakti që Valon Zymberi dhe të tjerët nuk kanë pasur më herët vepra penale. Por, si masë rënduese merret rreziku për përsëritje të veprës, mundësia e ndikimit te dëshmitarët apo në prova. Nuk mund ta anulojmë mundësinë që të ketë ndikim te dëshmitarët, sepse aty ka pasur persona që e kanë parë ngjarjen dhe mund të ndikojnë në dëshminë e tyre. Për mua është shqetësuese që Prokuroria në kërkesën e saj e ka arsyetuar veprimin e dhunshëm me sharje. Thotë se sulmi është kryer pas sharjeve. Për mua nuk duhet të renditej si shkak, sepse ti në një mënyre e arsyeton dhunën si pasojë e një sharjeje. Nuk janë të mira as sharjet as ofendimet që i kemi dëgjuar, por Prokuroria nuk do të duhej të bënte këtë lloj rrjedhjeje të ngjarjes, me arsyetu veprimin e dhunshëm, ashtu siç bëri edhe klubi i Dritës”, vazhdoi gazetari Beha.

“Për mua është e papranueshme që një klub si Drita të del me një reagim ndoshta tri faqe dhe vetëm me një paragraf të shpreh keqardhje për veprimin, kurse komplet në anën tjetër ta amnistojë veprimin. E kanë përmendur statutin, por nuk e kam gjetur, nuk ishte i publikuar askund. Nuk pajtohem me sharjet dhe ofendimet, por besoj se është një hije e keqe për futbollin tonë. Një proces gjyqësor si ky mund të mbyllet shumë shpejt. Sipas videove, por edhe dosjes së Prokurorisë, ka pasë sharje nga tifozët, por Prokuroria nuk ka evidentuar edhe sharjet nga personat zyrtarëve ndaj tifozëve. Pastaj duket se është sulm i organizuar, nuk ndodhi spontanisht. Ata futën në mënyrë të organizuar, sulmuan kryetarin e tifo-grupit dhe personat tjerë aty”, deklaroi Beha. /Gazeta Express/