Firma e Viagra-s prezanton versionin e ri ‘diskret’ – tableta që shkrihet në gjuhë dhe shmang sikletin e përdorimit të pilulës së vogël blu
Prodhuesit e Viagra-s janë gati të prezantojnë një formë të re, më ‘diskrete’ të ilaçit, e cila do të zëvendësojë pilulën e vogël blu, ikonike dhe menjëherë të dallueshme.
Tabletat karakteristike me formë diamanti mund të zëvendësohen së shpejti me një ‘wafer’ ngjyrë rozë dhe me formë drejtkëndëshe, që shkrihet në gjuhë dhe nuk ka nevojë të merret me ujë.
Rreth gjysma e burrave mbi 40 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar vuajnë nga mosfunksionimi erektil, dhe vitin e kaluar u shënuan 4.57 milionë receta për Viagra përmes NHS-së, një rekord historik.
Ky ilaç u hodh për herë të parë në treg në vitet 1990, pasi u shpik nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer. Fillimisht, ai u zhvillua në vitet 1980 si një ilaç për sëmundjet e zemrës, por pjesëmarrësit në prova vunë re një efekt anësor të pazakontë – ereksione të shpeshta.
Tani, Viatris, një degë e Pfizer-it që zotëron emrin dhe markën Viagra, ka aplikuar për një markë tregtare në Mbretërinë e Bashkuar për versionin e ri të ilaçit, të quajtur Viagra ODF.
Viatris tashmë e ka hedhur në treg Viagra ODF në Kanada, ku e ka reklamuar si një alternativë ‘të hollë dhe diskrete’, e cila mund të jetë më e preferueshme për shumë klientë.
“Tabletat nuk janë gjithmonë të tolerueshme për pacientët, dhe ndonjëherë madhësia e tyre mund t’i pengojë ata t’i përdorin,” tha për The Telegraph farmacistja dhe ekspertja e shëndetit, Thorrun Govind, transmeton GazetaExpress.
“Disa burra ende mund ta konsiderojnë të sikletshme idenë e përdorimit të Viagra-s, por shpresoj që bisedat rreth shëndetit seksual të burrave të kenë avancuar që nga krijimi i këtij ilaçi”, shtoi ajo.
Znj. Govind beson se ky dizajn i ri është një “hap pozitiv përpara.”
Mendohet se ky ilaç i ri i tretshëm në gjuhë do të jetë i disponueshëm së shpejti në Mbretërinë e Bashkuar mandej edhe në Europë.
Rebecca Anderson-Smith, partnere dhe eksperte e markave tregtare në kompaninë Mewburn Ellis, i tha gazetës se aplikimi për markë tregtare është një “tregues i mirë” që produkti do të jetë i disponueshëm brenda pesë viteve të ardhshme.
Ajo shpjegoi se regjistrimet e markave tregtare mund të anulohen nëse nuk përdoren për një periudhë të vazhdueshme prej pesë vjetësh ose më shumë pas regjistrimit. Si rezultat, duket se Viatris synon ta prezantojë produktin brenda disa viteve të ardhshme.
Megjithatë, miratimi i markës tregtare nuk garanton që Viagra ODF mund të shitet, pasi do të duhet të miratohet fillimisht nga Agjencia për Rregullimin e Produkteve Mjekësore dhe të Kujdesit Shëndetësor (MHRA).
Parashikohet që çmimi i këtij ilaçi të jetë i njëjtë me versionin në tabletë dhe të jetë i disponueshëm në të njëjtat doza.
Kjo vjen pasi Viagra e falsifikuar u shpall ilaçi më i madh i kontrabanduar në Britani, pas sekuestrimit të mbi 6.2 milionë paundëve pilula blu të falsifikuara nga rregullatorët britanikë në vitin 2023.
Më shumë furnizime të ilaçit për mosfunksionim erektil u zbuluan sesa versione të falsifikuara të qetësuesve si morfina.
Zyrtarët shëndetësorë deklaruan se shitësit online që shkelin rregullat janë përgjegjës për furnizimet e falsifikuara, shumica e të cilave importohen nga vende si India pa licenca të përshtatshme.
Të dhënat nga Agjencia për Rregullimin e Produkteve Mjekësore dhe të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) tregojnë se vitin e kaluar u konfiskuan 2.6 milionë doza të sildenafil-it, emri gjenerik i ilaçit të njohur si Viagra.
Gjithashtu, u sekuestruan gjysmë milionë doza të tadalafil-it, një tjetër ilaç për mosfunksionimin erektil, i shitur nën markën Cialis, me vlerë 1.2 milionë paundë.
Ndërsa të gjitha ilaçet mund të kenë efekte anësore, ato nga burime të pasigurta mund të mos funksionojnë ose të përmbajnë përbërës shtesë ose kontaminues, si metale të rënda apo ilaçe të tjera që mund të jenë të rrezikshme. /GazetaExpress/