Shtetet e Bashkuara kanë konsumuar një pjesë të konsiderueshme të arsenalit të tyre me raketa të avancuara mbrojtëse gjatë luftës mes Izraelit dhe Iranit, raportoi së fundmi The Washington Post.
Sipas medias amerikane, pjesa më e madhe e barrës për mbrojtjen ajrore të Izraelit u mbajt nga ushtria amerikane, ndërsa vetë Izraeli përdori një numër shumë më të kufizuar raketash nga rezervat e tij strategjike.
Raporti zbulon se SHBA-ja lëshoi mbi 200 raketa THAAD për të neutralizuar kërcënimet balistike ndaj Izraelit, një shifër që përbën afro gjysmën e stokut total amerikan të këtij sistemi.
Po ashtu, forcat amerikane përdorën më shumë se 100 raketa SM-3 dhe SM-6, të cilat u lëshuan kryesisht nga anije luftarake në Mesdhe për të interceptuar raketat armike.
Në kontrast me këtë, Izraeli përdori më pak se 100 raketa Arrow dhe rreth 90 raketa David’s Sling. Sipas raportit, një pjesë e tyre u përdorën edhe kundër raketave të lëshuara nga rebelët Houthi në Yemen, të cilat konsiderohen më të lehta për t’u interceptuar krahasuar me raketat balistike iraniane.
Ekspertët e cituar nga Washington Post theksojnë se “SHBA mori përsipër pjesën më të madhe të misionit të mbrojtjes raketore, ndërsa Izraeli ruajti rezervat e veta ushtarake”.
Megjithatë, edhe pse kjo strategji konsiderohet logjikisht e justifikueshme nga pikëpamja operacionale, zëvendësimi i arsenalit të përdorur pritet të kërkojë muaj të tërë, madje edhe vite.
Sipas të njëjtave burime, nëse tensionet mes Izraelit dhe Iranit rikthehen dhe Teherani rifillon sulmet me raketa balistike, presioni mbi rezervat amerikane do të rritet ndjeshëm, duke e vendosur Uashingtonin përballë një sfide serioze ushtarake dhe strategjike. /Panorama