Një ekspert i obezitetit ka paralajmëruar se kapacitetet e ashensorëve nuk po përshtaten me rritjen e peshës mesatare të pasagjerëve, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe përfshirjen e personave me obezitet.
Sipas një studimi, vlerësimet e peshës që përdoren për të përcaktuar numrin maksimal të personave që mund të hyjnë në një ashensor janë tashmë të vjetruara. Në Mbretërinë e Bashkuar, pesha mesatare e burrave është rritur nga 75 kilogramë në vitet 1970 në 86 kilogramë sot, ndërsa pesha mesatare e grave është rritur nga 65 në 73 kilogramë.
Profesori Nick Finer, president i International Prader-Willi Syndrome Organisation, fotografoi 112 ashensorë në vende të ndryshme të Evropës. Ai zbuloi se pesha mesatare e supozuar për përdoruesit e ashensorëve ishte rritur ndjeshëm mes viteve 1972 dhe 2004, por më pas kishte mbetur në nivelin 75 kilogramë për person, pavarësisht se pesha mesatare e popullsisë është rreth 79 kilogramë.
“U kthye në një lloj obsesioni për mua, por pas kësaj ka një çështje serioze. Nëse nuk i njohim prirjet në rritje të obezitetit dhe përmasave trupore, po ua bëjmë shumë të vështirë këtyre personave të funksionojnë normalisht në shoqëri”, tha prof. Finer.
Ai shpjegoi se prodhuesit e ashensorëve duket se po e llogarisin kapacitetin më shumë mbi bazën e hapësirës që zënë njerëzit në dysheme, sesa vetëm mbi peshën. Megjithatë, sipas tij, këto llogaritje shpesh bazohen në supozimin se forma e trupit të një personi është ovale, jo rrethore.
“Ata nuk kanë marrë parasysh se, nëse obeziteti po rritet, atëherë rritet edhe hapësira që një person zë”, shtoi ai.
Prof. Finer paralajmëroi se kjo prirje rrezikon të stigmatizojë personat që jetojnë me obezitet. Ai theksoi se nuk është inxhinier ashensorësh, por është në dijeni të rasteve kur njerëzit kanë mbetur të bllokuar në ashensorë, pasi është tejkaluar kufiri i peshës totale, edhe pse numri i pasagjerëve ka qenë më i ulët se maksimumi i rekomanduar.

Duke prezantuar gjetjet e tij në Kongresin Evropian për Obezitetin në Stamboll të Turqisë, ai tha se shoqëria duhet të përshtatet me realitetet e reja trupore.
“Fatkeqësisht, duhet të rrisim përmasat e shumë gjërave në jetën e përditshme. Në spitale, për shembull, shumë dyer nuk janë mjaftueshëm të gjera për karrocat e projektuara për persona që jetojnë me obezitet. Këto janë çështje reale sigurie”, u shpreh ai.
Sipas profesorit, shoqëria në tërësi po mbetet pas ndaj prirjeve afatgjata që lidhen me rritjen e mbipeshës dhe obezitetit.
Edhe Jane DeVille-Almond, presidente e British Obesity Society, tha se është koha të pranohet se shoqëria nuk ka gjasa të kthehet në përmasat trupore të 50 viteve më parë.
“Duhet të fillojmë të zhvillojmë ambiente dhe shërbime të përshtatura për shekullin XXI”, tha ajo. /GazetaExpress/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...