Një studim i ri hedh dritë mbi përjetimet e fundit të njerëzve me sëmundje terminale, duke zbuluar se shumë prej tyre përjetojnë ëndrra dhe vizione të ngjashme teksa i afrohen fundit të jetës.
Hulumtimi, i kryer nga studiues të institucionit shëndetësor Azienda USL–IRCCS di Reggio Emilia, përfshiu më shumë se 200 profesionistë të kujdesit paliativ, të cilët raportuan për ëndrrat dhe vizionet e pacientëve të tyre në fazën përfundimtare të jetës.
Rezultatet tregojnë disa tema të përsëritura. Shumë pacientë raportojnë takime me persona të dashur që kanë ndërruar jetë, ndërsa të tjerë përshkruajnë simbole kalimi si dyer, shkallë apo dritë. Studiuesit vlerësojnë se këto përjetime mund të ndihmojnë në përballimin emocional të fundit dhe t’u japin kuptim momenteve të fundit.
Sipas studimit të publikuar në revistën Death Studies, këto vizione kanë një rol të rëndësishëm psikologjik, duke u mundësuar pacientëve të shprehin ndjenja dhe mendime që shpesh janë të vështira për t’u artikuluar me fjalë.
Një pjesë e pacientëve përjetojnë ëndrra qetësuese. Në një rast, një paciente kishte parë bashkëshortin e ndjerë që i thoshte: “Po të pres”, çka u interpretua si shenjë pranimi dhe paqeje me fundin.
Megjithatë, jo të gjitha përjetimet janë pozitive. Disa pacientë raportojnë ëndrra shqetësuese, që mund të lidhen me frikëra apo konflikte të pazgjidhura emocionale. Një rast i tillë përfshinte një vizion ku një “figurë përbindëshi me fytyrën e nënës” e tërhiqte pacientin poshtë, duke reflektuar ankth dhe pasiguri.
Në kontrast, të tjerë përjetojnë imazhe të bukura dhe simbolike, si natyra apo kafshë, që përcjellin ndjenjë qetësie. Një pacient përshkroi një “kalë të bardhë që vraponte përgjatë bregdetit”.
Ekspertët theksojnë se arsyet e këtyre vizioneve mbeten ende të paqarta, por sugjerojnë se ato mund të shërbejnë si mekanizma psikologjikë dhe shpirtërorë për përballimin e fundit të jetës. Ndërsa ëndrrat qetësuese lidhen me pranimin dhe paqen, ato shqetësuese mund të tregojnë nevoja emocionale apo klinike që kërkojnë vëmendje.
Studimi nënvizon gjithashtu se shumë pacientë hezitojnë të flasin për këto përjetime nga frika e paragjykimit, duke bërë që ky fenomen të mbetet ende pak i kuptuar në aspektin klinik dhe kulturor. /GazetaExpress/