Shqiptari lider i opozitës në Serbi: Bernabiq po frikësohet nga e vërteta, të shkojë në Batajnicë - Gazeta Express
string(95) "shqiptari-lider-i-opozites-ne-serbi-bernabiq-po-frikesohet-nga-e-verteta-te-shkoje-ne-batajnice"

Shqiptari lider i opozitës në Serbi: Bernabiq po frikësohet nga e vërteta, të shkojë në Batajnicë

Gazeta Express

08/11/2020 14:03

Refuzimi i Ana Bërnabiqit ndaj ftesës sime për ta vizituar Batajnicën reflekton pikërisht frikën e pushtetit në Serbi nga e vërteta, sepse e vërteta do ta çlironte Serbinë nga ky pushtet që mbahet nëpërmjet mohimit të së vërtetës.

Intervistoi: Vukashin Obradoviq

Lexo Edhe:

Në nëntorin e  vitit 1999, në Gjykatën për kundërvajtje në Vranjë, ishte inicuar procedurë kundër gazetës së përjavshme “Vranjske”, sipas Ligjit famëkeq për informim publik. Akuza ishte se duke e publikuar raportin e Komitetit të Helsinkit pë të drejtat e njeriut për pozitën e shqiptarëve në Jug të Serbisë përgjatë bombardimeve të NATO-s, “Vranjske” kishte nxitur urrejtje nacionale, fetare dhe racore ndaj shqiptarëve.

Njëri nga dëshmitarët e mbrojtjes ishte Shaip Kamberi, asokohe kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Ai deklaroi të kundërten në gjykatë. “Vranjske” u dënua me 1.2 milion dinar, ndërsa në aktvendim shkruhej se i akuzuari “kishte guxuar” ta ftoj një shqiptar si dëshmitar. Në atë atmosferë të zjarrtë, Shaip Kamberi kishte dëshmuar qetësi dhe guxim magjepsës.

Njëzet vjet më vonë, tashmë si deputet, Kamberi mbajti një fjalim në parlament në manirin e njëjtë. Në zemër të parlamentit serb, ai, siç e thotë edhe vet në intervistën për “Vreme”, pati vetëm një motiv, atmosferën e “post-vërtetës” që po mbretëron për një kohë të gjatë në Serbi, ku njerëzit dëshirojnë ta bindin veten se “e vërteta e fakteve” nuk është e vërtetë, siç e shpjegon Hana Arendt. Ikin nga e vërteta edhe pse janë të vetëdijshëm se po e gënjejnë veten.

Për Kamberin, zgjedhja e qeverisë së re dhe përbërja e parlamentit është pjesë përbërëse e kësaj fryme që banalizon të vërtetën duke e zbukuruar gënjeshtrën.

Shaip Kamberi: Ato që i kam thënë në fjalimin tim janë thënë edhe nga të tjerët në mënyra të ndryshme. Dallimi është se i kam thënë në një situatë ku pati humbur shpresa se e vërteta ka ende kuptim. Pra, fjalimi im ishte përtej shpërfaqjes së pushtetit totalitar dhe autoritar, sepse këtë e dijnë pothuajse të gjithë, përfshirë edhe kryeqendrat ndërkombëtare. Ishte përtej ballafaqimit me të kaluarën e cila dihet ani se nuk pranohet. Fjalimi im kishte për qëllim përmbytjen e rendit aktual të raportit shoqëror me të vërtetën. Përballja me këtë universin tonë ku e vërteta nuk ndjehet e rëndësishme, siç e përshkruan Orwell në veprën e tij ‘1984’. Dhe janë pikërisht mijëra mesazhe mbështetëse që kam pranuar nga qytetarët pas fjalimit tim, të cilat dëshmojnë se në Serbinë e sotme ekziston një vullnet shumë më i madh për të vërtetën sesa që e mendojmë dhe se mbretëron një lodhje e të jetuarit në mitomaninë kolektive të cilën e ushqen pushteti i sotëm i post-vërtetës. Prandaj edhe fjalimi im është pranuar si çlirim kolektiv nga shumëkush në Serbi, si një rikthim në jetë, për ta përdorur shpjegimin e Albert Camus, që thoshte se « në situata absurdi dhe negacionizmi, revolta si refuzim pozitiv mbetet mjeti i vetëm për ta jetuar jetën në një botë absurde ».

“VREME”: Si ndjeheni si « lider i opozitës », siç ju kanë quajtur pas fjalimit tuaj në parlamentin e Serbisë ?

Shaip Kamberi : Shprehja kaq e shpejtë e vullnetit për të më perceptuar si « lider i opozitës » në Serbi, mua, që ndoshta një orë para fjalimit isha i papërfillshëm, flet për vullnetin shoqëror që mbretëron aktualisht në vend për një alternativë demokratike që përfaqëson të kundërtën e pushtetit të sotëm, e të cilën nuk e ndjejnë edhe tek politikanët e tjerë aktualë që deklarohen opozitarë. Reagimi pozitiv i qytetarëve vërteton se jo vetëm pushteti, por as opozita nuk i përfaqëson ata. Ky vullnet shoqëror për opozitarizëm dëshmon më së miri se vendi ka nevojë para së gjithash për zë, mobilizim dhe organizim horizontal opozitar i cili buron nga vullneti qytetar, si dhe për politika që krijojnë diskontinuitet radikal me të kaluarën. Nuk duan opozitë të ndërtuar nga « lartë », me figura të establishmentit të afërt me pushtetin  

“VREME”: Kryeministrja ju kundërshtoi duke thënë se « kur flitni për viktimat, atëherë së paku do të ishte në rregull të flitni për viktimat serbe, ashtu si e bëni për ato shqiptare ».

Shaip Kamberi : Një përgjigje që vetëm ridëshmon arratisjen e pushtetit nga e vërteta, si viktimë e parë e luftës. As ajo dhe as unë nuk jemi kompetent të fillojmë hetime në territoret e shteteve të tjera. Por është detyrë e saj si kryeministre dhe si shtetase e kësaj Republike të angazhohet për zbardhjen e krimeve në territorin e shtetit ku është kryeministre.

Drejtësia është barazi dhe lindë vetëm në kushte barazie. Krimi është krim, viktima është viktimë. Shqiptare, serbe, rome, boshnjake apo kroate, ajo është viktimë dhe meriton drejtësi pa përjashtim. Si shtetas dhe si deputet i Republikës së Serbisë unë nuk e kam problem t’i kërkoi falje të gjithë shtetasve të Kroacisë, Bosnjes dhe Kosovës për krimet e luftës të kryera nga ana e strukturave shtetërore të Republikës së Serbisë. Por nuk e pres që të njëjtën ta bëjnë krerët shtetëror të Serbisë. Sepse refuzimi i Ana Bërnabiqt ndaj ftesës sime për ta vizituar Batajnicën reflekton pikërisht frikën e pushtetit në Serbi nga e vërteta, sepse e vërteta do ta çlironte Serbinë nga ky pushtet që mbahet nëpërmjet mohimit të së vërtetës.

“VREME”: Ana Bërnabiqi tha se për juve është më e rëndësishme ta “provokoni” Aleksandër Vuçiqin në vend se ta pranoni se ai ka bërë më shumë  se çdo politikan tjetër për pajtimin historik midis serbëve dhe shqiptarëve?

Shaip Kamberi : Vërtetë uroj që këtë nuk e beson realisht, sepse do të duhej filluar të dyshojmë në kompetencat profesionale të mësimdhënsve arsimor të saj. Aleksandër Vuçiqi le të filloj ta pajtojë së pari shoqërinë në Serbi, në raport me të vërtetën, si dhe me opozitarët, serbët, boshnjakët, romët dhe shqiptarët.  

“VREME”: Keni ftuar Ana Bërnabiqin t’i vizitojë lokacionet e varrezave masive të shqiptarëve të vrarë në Serbinë qendrore, si Batajnicën dhe vendet e tjera, për të dëshmuar “solidaritetin kolektiv” me viktimat dhe për të dënuar krimet e luftës. Besoni se kjo mund të ndodhë?

Shaip Kamberi: Edhe pse në momentin që e kam thënë kisha pak shpresë se zonja Bërnabiq do të dëshmojë se është ndryshe, reagimi i saj vërteton se nuk e ka guximin të veproj as sikurse shefi i saj i cili nderoj viktimat e Batajnicës në ambient të mbyllur. 

“VREME”: U kritikuat se nuk folët për viktimat serbe, konkretisht për “shtëpinë e verdhë”?

Shaip Kamberi:  E përsëris. Unë jam deputet në Kuvendin e Republikës së Serbisë dhe përgjegjësia ime është të paraqes qëndrime lidhur me çështjet që janë në kompetenca të Republikës së Serbisë. E ashtuqajtuara “shtëpi e verdhë” është në kompetencë të Republikës së Shqipërisë dhe sa e di kanë nisur hetimet nga ana e Gjykatës Speciale. Ndryshe nga Batajnica që është fakt, “shtëpia e verdhë” është në fazën e hetimeve. Pse kreu shtetëror serb duhet pritur epilogun e hetimeve për “shtëpinë e verdhë” për ta vizituar Batajnicën dhe për t’i kërkuar falje popullit të Kosovës? Nëse një ditë “shtëpia e verdhë” bëhet fakt, le të shkojmë për ta vizituar i njëjti delegacion i Batajnicës. 

Megjithatë, krimet e luftës nuk janë çështje reciprociteti dhe paralelizmash. Zgjidhja nuk është në përgjigjen “edhe të tjerët kanë bërë krime ndaj nesh”. Secili duhet të përballet me krimet e kryera në emër të shoqërisë së tij. Luftë të pastër nuk ka, por ka luftë të drejtë dhe të padrejtë.  Lufta e armatosur kundër regjimit të Millosheviqit ishte luftë e drejtë dhe antifashiste, por natyrisht se kjo nuk do të thotë se ato që kanë ndodhur përgjatë operacionit “Olluja” në Kroaci ishin të drejta. Apo edhe në Kosovë, ku forcat policore e ushtarake dhe paramilitare të Serbisë vranë mbi 10 mijë civilë shqiptarë, si dhe dëbuan  mbi 1 milion prej tyre nga shtëpitë e tyre. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe antifashiste, por kjo nuk nënkupton se nuk duhet drejtësi për viktimat joshqiptare.

Po edhe kjo është pjesë përbërëse e kësaj politike të kreut shtetëror të Serbisë që përdor viktimat për ta barazuar antifashizmin dhe fashizmin, për t’i ikur së vërtetës, e cila po e mban peng shoqërinë serbe për t’u çlirruar nga e keqja.

Është për t’u çuditur sesi Serbia, si një vend me frymë të atillë antifashiste në Luftën e Dytë Botërore dhe me potencialin demokratik të 5 tetorit, ka përfunduar në gjendje të mohimit të Srebrenicës, apo Reçakut, edhe duke qenë e vetëdijshme për të vërtetën. Kjo flet se Serbia e sotme është jashtëzakonisht keq në raport me të vërtetën.

“VREME”: Kryeministrja ka thënë se ndaj Bujanocit dhe Preshevës ka raport të njëjtë sikurse ndaj pjesëve tjera të Serbisë. A pajtoheni me këtë konstatim? A është vërtetë?

Shaip Kamberi : Pajtohem në kontekstin se sikurse Bujanoci, Presheva dhe Medvegja, edhe pjesët e tjera të Serbisë janë të diskriminuara. Edhe në zonat e tjera të Serbisë shtypen qytetarët. Në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc kësaj i shtohet edhe diskriminimi mbi baza kombëtare.

“VREME”: Si jetohet në Jug të Serbisë?

Shaip Kamberi : Siç e thash në Kuvend, vështirë. Gjendje e paperspektivë, si për shqiptarët, serbët dhe romët. Shteti nuk është i pranishëm në politika demokratizuese, me të drejta të njeriut, me politika sociale, arsimore, shëndetësore etj.  Rajoni i Luginës së Preshevës sot përfaqëson atë që Gilles Deleuze dhe Michel Foucault konceptojnë si “shoqëri e kontrollit dhe disiplinuese”. Në rajonin tone ku ka vullnet të madh për punë – nuk ka fabrika. Ekonomia është rrënuar nga ajo që quhet privatizim e që realisht ishte plaçkitje e pronës shoqërore. Vlenë vetëm t’i vizitoni shkollat dhe institucionet shëndetësore në Bujanoc, Preshevë, Vranjë, Surdulicë, Bosilegrad për ta kuptuar degradimin e këtyre komunave nga qeveritë e njëpasnjëshme të Serbisë.

“VREME”: Sa investon shteti në Bujanoc dhe Preshevë?

Shaip Kamberi: E dini, përmes Trupit Koordinues, këto komuna marrin rreth 100 milion dinarë (më pak se 1 milion euro-v.j). Këtë vit, kjo shumë është zvogëluar për 20%. Kur ta kemi parasysh faktin se 20% të tjera i kthehen shtetit përmes TVSH-së, atëherë mbeten pak para për investime serioze. Këto janë mjeteet e vetme që marrim për investime kapitale. Të pamjaftueshme për t’i plotësuar nevojat e qytetarëve.

“VREME”: Vuçiqi ju akuzon se po kërkoni vendin e ministrit me 0,5% të popullsisë në Serbinë qendrore dhe Vojvodinë, ndërsa, atyre që “përbëjnë 42% nuk i lejoni të jenë pjesë e pushtetit lolal”. A keni kërkuar post ministri në qeveri dhe a ju ka ofruar postin e zëvëndës-ministrit?

Shaip Kamberi : Ajo që kemi kërkuar nga presidenti Vuçiq është që qeveria e re të nisë dialogun me të zgjedhurit e shqiptarëve për implementimin e Planit 7 pikësh, i cili përmban masa serioze për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve. Pra janë shqiptarët që dëshirojnë të integrohen në sistemin e Republikës së Serbisë, por shteti është ai që i refuzon. Sa më përket mua personalisht, e ripërsëris. As kam dashur, as dua dhe as që do ta pranoj vendin e ministrit në këtë qeveri. As unë dhe as ndonjë shqiptar tjetër nuk do të pranonte vendin e ministrit në një qeveri e cila betohet asisoj. Ai betim nuk jep hapësirë për pajtim. Ajo që ne kërkojmë është më shumë demokraci në Serbi dhe garanci kushtetuese për të drejtat e minoriteteve.

“VREME”: Vuçiq ju akuzon se nuk ka përfaqësues serb në pushtetin lokal në Bujanoc edhe pse ata përbëjnë 42% të popullsisë?

Shaip Kamberi: Parimi i multietnicitetit në pushtetet lokale në Bujanoc, Medvegjë e Preshevë zbatohet që nga viti 2002. Deri më tani, të gjitha partitë shqiptare e kanë respektuar këtë parim vullnetarisht, por, mjerisht, ky parim është rrënuar në Medvegjë par dy viteve pikërisht nga SNS e Vuçiqit, ku shqiptarët u përjashtuan tërësisht nga pushteti lokal, pas 16 vjetësh pjesëmarrjeje. Pse Presidenti Vuçiq kujdeset për respektimin e parimit multietnik në mënyrë selektive dhe vetëm për SNS e tij? Në Bujanoc ekzistojnë edhe opsione të tjera politike serbe që mund të jenë pjesë e pushtetit. Të mos harrojmë, pikërisht SNS e Vuçiqit me 0,5% në Preshevë përbën shumicën në pushtet, ku 18 nga 36 këshilltarët shqiptarë janë në opozitë. Serbët për 20 vjet kanë qenë pjesë përbërëse e pushtetit në Bujanoc, bashkë me shqiptarët dhe romët, por edhe kjo s’ka mjaftuar për t’u përfillur nga Beogradi. Ose shembulli i Medvegjës, ku pushtetin e përbëjnë vetëm partitë serbe, pse kjo komunë është e pazhvilluar?

“VREME”: Ministri Dmitroviq ka shkruar në Tëitter se fjalimi juaj është shkruar në Beograd, se nuk e keni shkruar ju?

Shaip Kamberi: Në njërën anë ka një spin propagandistik nga pushteti që dëshiron të më ndërlidh me opozitën në Beograd, për t’i goditur edhe ata, se kinse qenkam zëri i tyre. Tjetra mbase duhet kërkuar edhe te stereotipet që dominojnë ndaj shqiptarëve. Nuk i marrë seriozisht.  

“VREME”: A keni biseduar me dikënd nga opozita para ose pas fjalimit tuaj në Kuvend?

Shaip Kamberi: Me askë. Unë e kam thënë çfarë, sipas meje, duhet të jetë opozita e vërtetë në Serbi. Mendoj se Serbia ka nevojë për opozitë të re. Gjendja aktuale në Serbi është edhe përgjegjësi e kësaj opozite që ka dëshmuar se nuk ka as kapacitete dhe as vullnet për ta ndërtuar një alternativë politike që krijon diskontinuitet me të kaluarën dhe të tashmën.

“VREME”: A do të bisedonit me opozitën dhe nëse po, me çfarë kushte?

Shaip Kamberi: Do të angazhohem për bashkëpunim me qytetarët opozitarë të cilët realisht dëshirojnë demokraci në Parlament. Nuk po shoh që një Serbi të këtillë e dëshiron opozita aktuale.

“VREME”: A besoni se mund të ndërtoni koalicion me partitë e tjera opozitare?

Shaip Kamberi : Ne jemi e vetmja opozitë parlamentare dhe mbi ne po bie detyra për angazhim për demokraci në parlament. Nuk mund ta përfaqësojë opozitën demokratike dikush që sjell qytetarët para Kuvendit për të brohoritur  “Vučiću, šiptare”.

“VREME”: Si i vlerësoni krahasimet që ju bëjnë me Dritan Abazoviqin?

Shaip Kamberi : E panevojshme dhe e pandërlidhshme. Më së miri është që secili prej nesh ta ruajë identitetin e vet politik dhe autonominë.

“VREME”: Si ishin reagimet ndaj fjalimin tuaj të shqiptarëve  dhe serbëve në Jug të Serbisë?

Shaip Kamberi : Të fuqishme dhe të papritura. Por jo vetëm në Serbi, por edhe në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Ajo që kam thënë ka qenë e përbrendësuar në shpirtërat e shumë njerëzve që kanë mbijetuar 1998 dhe1999. Sinqerisht nuk e kam pritur një jehonë të këtillë. Të jem i sinqertë, ka pasur edhe shumë reagime pozitive të cilët i kam pranuar përmes rrjeteve sociale edhe nga njerëzit në Serbi.

“VREME”: Si do të silleni në të ardhmen në Kuvend? A do të angazhoheni vetëm për çështjet e pakicave, apo do të flisni edhe për problemet e tjera në shoqëri?

Shaip Kamberi: Sigurisht që pakicat janë një test i rëndësishëm lakmusi për demokracinë. Por ato nuk janë problem i vetëm në shoqëri. Aq më tepër, mbetem i vetëdijshëm se problemet e pakicave nuk mund të zgjidhen pa ndryshime të rrënjësishme demokratike. Siguriht se aktiviteti jonë nuk do të kufizohet vetëm në çështjet e pakicave. Këtë e dëshiron pushteti. Të na paraqes si njerëz që përhapim urrejtje për t’u paraqitur si shpëtimtarë të serbizmit.